Fusha shpk fiton një tjetër tendër të dyshimtë prej miliona eurosh

Fusha shpk fiton një tjetër tendër të dyshimtë prej miliona eurosh

Fusha shpk do të ndërtojë Bulevardin e Vlorës. Kompania, sipas Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) ka fituar tenderin me vlerë rreth 7,7 milionë euro për rindërtimin e Bulevardit të Vlorës.

Dokumentet e vlerësimit të tenderit të botuara në Agjencinë e Prokurimeve Publike, tregojnë se Fusha ka paraqitur ofertën më të lartë nga të gjitha kompanitë pjesëmarrëse në tender.

Si ka fituar atëherë? Në fakt, nga kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit, duket se Fusha shpk ka qenë fituesi i paracaktuar, duke përsëritur një model tashmë të njohur të qeverisjes Rama, sipas të cilit për arsye misterioze kriteret e tenderit “përshtaten” për një kompani të caktuar. Në këtë rast, në kriteret e përcaktuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, bordi i të cilit kryesohet nga Kryeministri Edi Rama, kishte një hile efikase. Kërkesa 2.3.1 e “Kritereve të Veçanta” në njoftimin e tenderit, specifikonte se kompanitë konkurruese duhet të kishin kryer “punë të ngjashme” më parë—pra, duhet të kishin fituar një tender qeveritar për ndërtim rrugësh apo sheshesh qytetesh—me buxhet jo më të vogël se 50 për qind e fondit maksimal të projektit të Bulevardit të Vlorës.

Fondi limit i përcaktuar për ndërtimin e Bulevardit të Vlorës ishte rreth 7,9 milionë euro, që do të thotë se çdo kompani konkurruese në tender duhej të kishte fituar dhe ndërtuar një projekt publik me vlerë të paktën prej rreth 4 milion eurosh.

Por, deri më tani ekziston vetëm një projekt i përfunduar i qeverisë me këtë vlerë—projekti për rindërtimin e Sheshit Skënderbej.

Ky projekt u nda në dy faza—e para me vlerë 3,9 milionë euro dhe e dyta me vlerë 7,2 milionë euro (punimet e së cilës duhej të kishin përfunduar më 8 mars 2018, por vazhdojnë ende)— dhe u fitua nga kompania Fusha shpk.

Kështu, fitimi i tenderit dhe përfundimi i fazës së parë të rindërtimit të sheshit Skënderbej, e kualifikonin Fushën brenda “kriterit të veçantë 2.3.1”.  Në fakt, buxheti i fazës së parë të Sheshit Skënderbej është gati sa fiks 50 për qind e buxhetit për Bulevardin e Vlorës—me ndryshim më të vogël se 1 përqind.

Me fjalë të tjera, asnjë kompani tjetër nuk kishte shans ta fitonte këtë tender fitimprurës. Do mjaftonte një vështrim i thjesht i prokurimeve publike të viteve të fundit për ta parashikuar fituesin që para se të hapej tenderi.  Dhe në fakt, të gjithë konkurrentët e tenderit—përveç kompanisë Fusha shpk dhe një kompanie të skualifikuar për çështje teknike—u skualifikuan në bazë të kriterit 2.3.1. Ky tender i veçantë tregon sërish si qeveria Rama vazhdimisht përshtat kërkesat e tenderëve për t’i shërbyer një grupi të vogël kompanish, të cilat gjithmonë arrijnë të marrin “qershitë” e tortës.

Gjatë qeverisjes Rama, kompania ka “fituar” të dyja fazat e rindërtimit të Sheshit Skënderbej dhe ndërtimin e e parkimit nëntokësor në këtë shesh, pa ansjë konkurent tjetër në tender.

Po ashtu ajo ka fituar së bashku me Everest shpk tenderin për ndërtimin e sheshit shumë të debatuar Veliera në Durrës.

Në muajt e ardhshëm, Fusha pritet gjithashtu të fillojë ndërtimin e një ndërtese të re të Teatrit Kombëtar, qendrën tregtare në krah të tij dhe disa kulla në tokë publike, pa asnjë procedurë tenderimi.

Nje hetim nga Albanian Institute of Science, zbuloi se në periudhën korrik 2015-Janar 2017, Fusha shpk ishte kontraktori më i madh i pushtetit lokal në Shqipëri, me 14 kontrata me bashki të ndryshme, me një vlerë totale prej 2,2 miliardë lekë, afërsisht 21 milionë dollarë.

Lajme te ngjashme