Gjendja aktuale e sistemit të drejtësisë | Exit Shpjegon

Kuvendi i Shqipërisë amendoi, në korrik 2016, më shume se një të tretën e Kushtetutës, përmes një vote unanime. Në muajt që pasuam, Kuvendi miratoi, vetëm me votat e shumicës socialiste, një sërë ligjesh, të cilat krijuan kuadrin ligjor për zbatimin e këtyre amendimeve kushtetuese.

Kjo paketë kushtetuese dhe ligjore u njoh me emrin reforma në drejtësi. Qellimi i reformës ishte të çrrënjoste korrupsionin nga rradhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të krijonte një drejtësi vërtet të pavarur.

Reforma sanksionoi procesin e vetingut të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës të sistemit të drejtësisë. Gjithashtu, ajo krijoi një numër institucionesh të reja, përfshi Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Prokurorinë Speciale (SPAK) dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Zbatimi i suksesshëm i reformës në drejtësi është kushti kryesor ndaj qeveria shqiptare për të mundësuar hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE. Sinjalet që vinë nga ambasada e BE-së në Tiranë dhe nga qeveria tregojnë se të duja kanë pritshmërinë se BE do të vendosë hapjen e bisedimeve brenda vitit.

Kjo çon në çështjen kryesore: cilat kanë qenë efektet e vërteta  të reformës në drejtësi deri më tani? Më poshtë po bëjmë një permbledhje të shkurtër të gjendjes të drejtësisë, thuajse dy vjet pas miratimit të reformës në drejtësi.

Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë

Për shkak të dorëheqjeve nga “kërcënimi” i vetingut, përfundimit të mandatit apo daljes në pension të anëtarëve, puna normale e Gjykatës Kushtetuese dhe e Gjykatës së Lartë është bllokuar.

Sipas Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Kuorumi i nevojshëm për mbledhjet dhe vendimmarrjen është 6 anëtarë. Por aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka vetëm 7 anëtarë: gjyqtarja Altina Xhoxhaj mungon prej kohësh për arsye shëndetësore, gjyqtarëve Vitore Tushaj dhe Vladimir Kristo u mbaruan mandatet, ndërsa Besnik Imeraj dha dorëhoqjen. Asnjë prej vendeve të lëna bosh në Gjykatën Kushtetuese nuk është plotësuar dhe nuk duket se do të plotësohet as në muajt e ardhshëm për shkak të mosfunksionimit të institucioneve të reja që ka parashikaur reforma në drejtësi.

Gjendja në Gjykatën e Lartë është edhe më problematike. Gjykata e Lartë duhet të përbëhej nga 19 anëtarë, por aktualisht përbëhet vetëm nga 9, më pak se gjysma e numrit të nevojshëm dhe më pak se kuorumit të domosdoshëm. Kjo do të thotë që Gjykata e Lartë, e cila është gjykata që gjykon rastet e zyrtarëve me imunitet, përfshi deputetë, ministra dhe drejtues të lartë shtetërorë, është tërësisht jashtë funksionit. Mbingarkesa aktuale e Gjykatës së Lartë është më shumë se 22 500 çështje.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED)

KED verifikon dhe vlerëson kriteret profesionale dhe morale të kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektoriatin e Lartë Gjyqësor. Anëtarët e KED u zgjodhën në dhjetor 2017 nga Parlamenti, edhe pse opozita argumentoi se zgjedhja e tyre ishte bërë në shkelje të Kushtetutës.

Sipas opozitës, hedhja e shortit për KED pa u formuar ende dy organet e tjera, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, është shkelje e Kushtetutës. Gjithashtu, gjatë kësaj procedure u anashkalua institucioni i Presidentit dhe hedhja e shortit u bë nga Kryetari i Kuvendit, në kundërshtim me përcaktimet kushtetuese.

Deri më tani, KED nuk ka qenë në gjendje të plotësojë vendet bosh në Gjykatën Kushtetuese apo ndonjë vend tjetër të lirë në sistemin e drejtësisë, që do të thotë se praktikisht KED ekziston vetëm në emër.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ)

Kërkimi i kandidatëve të kualifikuar për KLP dhe KLGJ-së zgjati shumë më tepër muaj nga sa e lejon Kushtetuta: në shkurt të vitit 2017, të dy institucionet duhet të ishin formuar, por qeveria zvarriti procedurat duke bërë që dhe Prokuroria e Përgjithshme të funksionojë në shkelje të ligjit.

Kur më në fund KLP dhe KLGJ u formuan, u zbulua që disa nga anëtarët nuk plotësonin kriteret ligjore dhe madje ishin zgjedhur kundër rekomandimeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM).

Alfred Balla, i emëruar si anëtari i shoqërisë civile në KLP, në fakt nuk ka qenë aktiv në shoqërinë civile për 5 vjet dhe kishte kopjuar shumicën e platformës së aplikimit nga një tjetër kandidat i skualifikuar. Megjithatë, ai u zgjodh. Një anëtar tjetër i zgjehdur e KLP-së, nuk kishte numrin e viteve të mësimdhënies që kërkonte ligji dhe gradën e nevojshme për t’u zgjedhur si përfaqësues i Shkollës së Magjistraturës. Të dy ishin skualifikuanr nga ONM.

Disa anëtarë të tjerë të KLP dhe KLGj kanë shkelur një sërë rregullash lidhur me pagesën e tatimeve, deklarimin e pasurive apo anëtarësimin në parti politike.

Ndërkohë, anëtarët e KLP-së dhe KLGJ-së që do të vinë nga radhët e prokurorëve dhe gjyqtarëve, duhet ende të kalojnë procesin e vetingut, proces që do të marrë edhe shumë muaj të tjerë. Për aq kohë sa KLP dhe KLGj nuk kanë nisur punë, asnjë gjyqtar dhe prokuror i ri nuk mund të fillojë punë.

Prokurori i Përgjithshëm

Exit.al ka shpjeguar zgjedhjen në shkelje të Kushtetutës të Arta Markut si Prokurore e Përkohshme e Përgjithshme. Zgjedhja e saj u bë bazuar në një “mendim ligjor” të dyshimtë të misioneve të ndihmës ligjore EURALIUS dhe OPDAT. Ndërkohë, Marku që në nisje të punës së saj ka shkelur ligjin, duke bërë emërime dhe shkarkime brenda Prokurorisë në shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve përkatëse. Zonja Marku po ashtu ka ngadalësuar ndjeshëm hetimet kundër ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe kryetarit të Bashkisë Durrës Vangjush Dako.

Prokurori Special (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimeve (BKH)

Si SPAK dhe BKH duhet të ishin formuar nga KLP-ja, e cila ende nuk është krijuar plotësisht. Si rezultat, Prokurorja e Përkohshme e Përgjithshme dhe Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj kanë vendosur krijimin (përsëri antikushtetues) të prokurorisë speciale në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe prokuroritë lokale për hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Fakti se këto organe janë të bashkë-drejtuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, do të thotë se pavarësia e gjyqësorit është dëmtuar thellësisht.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut

Së fundmi, kaosi në të cilin qeveria ka hedhur gjyqësorin ka çuar gjithashtu në vonesa të gjata në zgjedhjen e gjyqtarit të ri shqiptar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Dy lista të propozuara nga qeveria Rama janë hedhur poshtë nga Asambleja e Këshillit të Evropës. Pak ditë më parë, Ministria e Drejtësisë pranoi se nuk ka nisur asnjë procedurë për të propozuar një kandidat të ri.

Pra, çfarë rezultatesh kemi parë që nga miratimi i reformës në drejtësi në vitin 2016?

– Dobësimin e sundimit të ligjit me disa vendime antikushtetuese dhe të njëanshme për kandidatët e KLP dhe KLGj, Prokurores së Përkohshme të Përgjithshme, si dhe SPAK e BKH.

– Paraliza e të gjithë sistemit gjyqësor, duke përfshirë Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë dhe vendin vakant në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndërkohë kur disa politikanë të lartë janë nën hetim.

– Kapja e gjyqësorit nga qeveria, kryesisht duke marrë në dorë sistemin e prokurorisë dhe duke bllokuar institucionet e tjera.

– Zgjedhja e anëtarëve të pakualifikuar të KLP-së dhe KLGj-së.

– Asnjë rezultat i vetëm nga vetingu, për të cilin, Komisioni Evropian vazhdon të këmbëngulë se “po përparon në përputhje me afatet kohore të parashikuara”.