Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit shmang Kryeministrin Rama

Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike A. Wes Mitchell ka përjashtuar Shqipërinë nga turi i tij në rajonin tonë.

Javën e ardhshme, Mitchell do të vizitojë, njëra pas tjetrës, Kosovën, Maqedoninë, Serbinë, Greqinë dhe Qipron. Në Prishtinë ai do të takohet me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, në Shkup me kryeministrin Zoran Zeav dhe Ministrin e Jashtëm Nikola Dimitrov, në Beograd ai do të takohet me Presidentin Aleksandër Vuçiç dhe kryeministren Ana Brabiç.

Wes Mitchell ka vendosur të mos takohet me Kryeministrin Edi Rama dhe të mos vizitojë Shqipërinë. Duke e dalluar Tiranën nga i gjithë rajoni, ai zgjodhi të dërgonte këtu një nga zëvendëset e tij, Suzan Falatko, e cila zhvilloi javën e shkuar disa takime me deputetë dhe ministra. Vizita e saj nuk u njoftua publikisht dhe nuk u përcoll nga asnjë media.

Mitchell, i cili u emërua nga Presidenti Trump në tetor 2017 në postin që më parë mbante Victoria Nuland, është shefi direkt i ambasadorëve amerikanë në Europë, ndërsa Suzan Falatko është diplomate karriere, detyra më e lartë e së cilës ka qenë numri dy i ambasadës amerikane në Mauricius dhe Sejshell.

Ndërsa injorimi i Shqipërisë nga Mitchell është i qartë, motivimi i këtij injorimi është i paqartë dhe vetëm mund të hamendësohet. Linja e politikës së jashtme të Departamentit të Shtetit ka ndryshuar rrënjësisht nga ajo e përfaqësuar nga Nuland, ndërkohë që i gjithë stafi i mëparshëm që lidhej me Shqipërinë tashmë është larguar.

Megjithatë, Falatko, e cila është zyrtarja direkte që merret me Shqipërinë në DSH dhe ambasadori amerikan Donald Lu përfaqësojnë një linjë të qartë dhe të hapur proqeveritare. Të paktën dy deputetë dhe një zyrtar i lartë shtetëror që kanë takuar Falatko në Washington muajt e fundit u shprehën, individualisht, për Exit.al se Falatko kishte shpehur opinion jashtëzakonisht pozitiv pro qeverisë dhe kënaqësinë të plotë me qeverinë.

Ky qëndrim, minimalisht, dëshmon mungesë informacioni për zhvillimet në Shqipëri. Më e rëndësishmja, ai bie ndesh me të gjitha raportet e vetë Departamentit të Shtetit për Shqipërinë, gjatë dy viteve të fundit, të cilat janë ndër raportet më negative që janë hartuar ndonjëherë për vendin tonë, veçanërisht në fushën e trafikut të drogës, krimit të organizuar dhe të korrupsionit. I vetmi përmirësim i lehtë i konstatuar prej tij gjatë viteve të fundit është ai në fushën e trafikut të qenieve njerëzore.

Nga ana tjetër, pavarësisht përshtypjes që ambasadori amerikan Donald Lu ka projektuar me sukses në opinionin publik vendas, Shqipëria nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë për Departamentin e Shtetit dhe është krejtësisht e parëndësishme për politikën e jashtme amerikane. Kjo mungesë rëndësie dhe ndryshimi tërësor i drejtuesve politikë të Departamentit të Shtetit kanë bërë që reforma në drejtësi, e cila ishte fokusi kryesor i Nuland dhe drejtuesve të mëparshëm, të mos shihet me ndonjë interes të veçantë nga drejtuesit e rinj politikë. Prandaj, as reforma në drejtësi nuk ka qenë arsye e mjaftueshme për Mitchell për të kaluar pak orë në Tiranë.

Kjo do të thotë se politika amerikane për Shqipërinë tashmë nuk e kalon nivelin e Ambasadorit Lu, i cili po e përdor këtë situatë dhe muajt e fundit të qëndrimit në Tiranë për të sajuar me çdo mjet “rezultate” të reformës, me qëllim shpëtimin e imazhit të tij të investuar tërësisht në një reformë të dështuar.