Tarifa e Rrugës së Kombit – Një barrierë midis Shqipërisë dhe Kosovës

Tarifa e Rrugës së Kombit – Një barrierë midis Shqipërisë dhe Kosovës

Vendimi i qeverisë Rama për vendosjen  e një tarife prej 5 eurosh për  automjet dhe 22,5 eurosh për kamion, për çdo kalim të rrugës Milot-Morinë e bënë më të shtrenjtë komunikimin Shqipëri -Kosovë, duke vendosur kështu një barrierë midis dy vendeve.

Çfarë dimë deri më tani për vendimin e Qeverisë që nga dhënia e koncesionit deri tek vendosja e tarifës?

Viti 2015

Në nëntor 2015, Ministri i atëhershëm i Transporteve Haxhinasto bëri publik lajmin se në tenderin për përfundimin e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës Milot-Morinë, dy konsorciume kompanish kanë shfaqur interes.

Ky ishte tenderi i dytë që ministria kishte hapur për këtë rrugë. Në tenderin e parë të para disa muajve nuk u paraqit asnjë kompani e interesuar.

Gjatë kësaj dalje për shtyp, Ministri Haxhinasto njoftoi gjithashtu se koncesionari mund të aplikonte një taksa kalimi në autostradë, por se ajo nuk do të jetë më shumë se 5 euro.

Pak javë më vonë, në dhjetor 2015, Sekretari i Përgjithshëm i MTI-së njoftoi se ofertat e dy konsorciumeve ishin shumë të larta dhe se IFC ishte shprehur kundër pranimit të dy ofertave pasi ishin jofitimprurëse.

Viti 2016

Në fillim të vitit 2016 MTI hapi tender të ri për dhënien me koncesion të aksit Milot-Morinë. Tenderi u mbyll më 31 maj 2016.

Në korrik 2016, Ministria e Transportit bëri publik lajmin se konsorciumi që kishte shfaqur interes për koncesionin, bashkimi i kompanive shqiptare “Salillari” e “Kastrati” dhe kompania turke “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd”, u shpall fitues i koncesionit.

Sipas kontratës, koncesionari duhet të ndërtojë një urë mbi lumin Drin, të ndërtojë segmente e pambaruara të rrugës, të pajisë rrugën me sinjalistikën e nevojshme dhe ta mirëmbajë atë për 30 vjet.

Në këtë rast ministria nuk përmendi vendosjen e taksës për kalimin e rrugës.

Viti 2018

Më 23 mars 2018, Ministria e Transporteve lajmëroi qytetarët se që prej 15 prillit, kalimi në aksin Milot-Morinë, rreth 115 kilometra i gjatë, do të bëhet me pagesë.

Më saktësisht tarifat janë këto:

 – Motorët do të paguajnë 2,5 euro për çdo kalim, pra 5 euro vajtje-ardhje;

 – Autoveturat do të paguajnë 5 euro për çdo kalim, pra 10 euro vajtje-ardhje;

 – Autobusët dhe kamionçinat do të paguajnë 11,2 euro për çdo kalim, pra 22,4 euro vajtje-ardhje;

 – Kamionët e mesëm do të paguajnë 16,2 euro për çdo kalim, pra 32,4 euro vajtje-ardhje;

 – Kamionët e rëndë do të paguajnë 22,5 euro për çdo kalim, pra 45 euro vajtje-ardhje.

Tarifat e vendosura nga qeveria do të mblidhen dhe përdoren nga koncesionari. Ato janë rreth katër herë më të lartë se sa tarifat e rekomanduara nga kompania e huaj konsulente, e cila ka hartuar strategjinë e tarifimit të disa rrugëve në vende ku përfshihet edhe rruga e kombit.

Në raportin konfidencial të kompanisë Egnatia Odhos parashikohej tarifa nga 1 euro deri në 2,5 euro për 100 kilometra.

Në raport shkruhet se një tarifë brenda këtyre rekomandimeve është më e përballueshme nga qytetarët shqiptarë. Në rastin më të keq, kompania shkruan se tarifa më e lartë e përballueshme nga familjet shqiptare është 3,5 euro për çdo 100 kilometra. Ndërkohë tarifa e kalimit në Milot-Morinë është 4,2 euro për 100 kilometra.

Po ashtu, krahasuar me tarifat e rrugëve evropiane, tarifa e rrugës së Kombit është më e lartë.

Politikanë dhe aktivistë të tjerë kanë sqaruar për qytetarët se vendosja e një tarife të re, në një kohë kur qytetarët paguajnë dy taksa të tjera— një për mirëmbajtjen e rrugëve dhe taksa e regjistrimit të automjeteve— është e paligjshme dhe anti kushtetuese.

Zoti Pano Soko sqaron për Nismë Thurje se shqiptarët paguajnë 32,4 lekë taksë për mirëmbajte rruge për çdo litër karburant të blerë. Të ardhurat vjetore nga kjo taksë llogariten në rreth 117 milionë euro.

Po ashtu, qytetarët që zotërojnë një makinë paguajnë çdo vit 12 mijë lekë taksë regjistrimi të automjetit. Të ardhurat vjetore nga kjo taksë, që përdoren për mirëmbajtjen e rrugëve, llogariten në rreth 36 milionë euro. Pra në total, 153 milionë euro taksa mblidhen çdo vit për mirëmbatjen e rrugëve.

Bazuar në studimin e Ministrisë së Transporteve dhe Bankës Botërore, në vitin 2015, shuma e nevojshme për mirëmbajtjen e rrugëve në Shqipëri llogaritet në rreth 60-65 milionë euro në vit.

Kjo do të thotë se shuma e mbledhur prej 153 milionë euro nga qytetarët përmes taksave vjetore e plotëson nevojën e vendit për mirëmbajtjen e rrugëve në të gjithë vendin.

Lajme te ngjashme