Teorema e lidhjes ruse

Nga Carloalberto Rossi
Teorema e lidhjes ruse

Duke parë se shumë lexues na pyesin për qartësime në lidhje me “Russian Connection” të lëshuar nga një artikull investigues i medias amerikane Mother Jones, dhe të rimarrë më furi nga media vendase, dhe për të cilën Exit.al nuk ka shkruar asgjë, pasi kemi lexuar dhe analizuar ato që janë botuar e thënë, po përmbledhim më poshtë atë që ne kemi kuptuar.

Në mënyrë shumë të përmbledhur, historia e publikuar nga Mother Jones është se Lulzim Basha përmes një kompanie guackë skoceze — e cila aludohet se kontrollohet nga nënshtetas rusë — pagoi një lobist amerikan mik të Presidentit Trump për të bërë një foto me këtë të fundit, pak ditë përpara zgjedhjeve të përgjithshme në qershor.

Hamendësimi, i shitur për diçka të sigurtë, është se shërbimet ruse në këtë mënyrë po përpiqen të destabilizojnë Ballkanin, sepse një foto e Bashës me Trump do të kishte favorizuar një fitore zgjedhore të Bashës, i cili do të kishte bllokuar “vetingun” dhe në mënyrë të pashmagshme do të largonte Shqipërinë nga BE. E si rrjedhim do të ndihmonte në destabilizimin e të gjithë rajonit.

Artikulli është një lum me lajme pak ose aspak të lidhura më njëra-tjetrën. Lajme aspak të rëndësishme dhe shpesh të futura me dinakëri në artikull. Ato shërbejnë si një garniturë logjike në një artikull që vjen erë të keqe, i përpunuar në mënyrë mjeshtërore për t’ju lënë lexuesve ndjesinë e një të vërtete të bezdisshme. Në të vërtetë, artikulli është i përqendruar në një detaj tërësisht të pavërtetueshëm, mbi të cilin ngrihet një teori e thellë alogjike.

Në fakt:

– Që Basha bëri një foto me Trump disa ditë përpara zgjedhjeve, është e ditur dhe e vërtetë.

– Që Basha pagoi një lobist për këtë shërbim është e konfirmuar dhe veprim normalisht i rregullt.

– Që një foto me Presidentin Trump mund të përmbysë rezultatin e zgjedhjeve shqiptare është një idiotësi politike, për më tepër e besuar dhe e praktikuar nga të gjitha partitë politike në vend, më së pari nga Basha.

– Që i njejti lobist është paguar nga një kompani guackë skoceze, për të mbrojtur interesa të paspecifikuara mirë shqiptare, nga përmendja e tyre në regjistrimet e detyrueshme të kësaj kontrate, është gjithashtu e vërtetë.

– Që shërbimet sekrete ruse po përpiqen të destabilizojnë Shqipërinë dhe Ballkanin në përgjithësi, është e mundshme por jo domsodoshmërisht e vërtetë.

– Që një fitore e Bashës në zgjedhje do të thotë destabilizim i Shqipërisë është abuzim logjik.

– Që presidenti Trump t’i shërbejë një makinacioni kundër inetresave të SHBA-ve është vetëm një rrjedhojë logjike e teoremës së pavërtetueshme, tërësisht demokrate (amerikane) dhe konspirative, se armiku i vertetë i Amerikës është Trump.

– Që një fitore elektorale e Bashës mund të sjellë ngadalësimin e procedurave për të hyrë në Europë, është një rrjedhojë logjike e teoremës tjetër të pavërtetueshme, e gjitha socialiste (shqiptare), që i vetmi armik i vërtet i Shqipërisë është Partia Demokratike.

Në këtë vazhdë pseudo-logjike mungon një element thelbësor, sepse që ajo të funksionojë, shoqëria guackë skoceze duhet të jetë me të vërtet e kontrolluar nga agjentë rusë. Por kjo është një gjë që artikulli amerikan jo vetëm nuk e vërteton, por as e thotë, por thjesht e aludon, duke e lënë të nënkuptohet nga lexuesit e shpërqendruar që nuk vënë re kapërcimet e mëdha logjike.

Artikulli amerikan tregon vetëm se shoqëria guackë skoceze (bijë) u krijua nga dy shoqëri të tjera offshore. Këto të fundit të regjistruara në Belize dhe të përdorura zakonisht nga një firmë konsulence shërbimesh sekretarie për të gjeneruar shumë shoqëri të tjera “P.O. Box”, shoqëri të paktivizuara të cilat mund të blihen normalisht të gatshme, pra të regjistruara, për disa qindra sterlina.

Këto shoqëri që regjistrohen me dhjetra përnjëherësh, në fakt i kanë adresat ligjore dhe administratorët e përbashkët me shumë shoqëri të tjera. Dhe për lehtësi të atij që i krijon dhe më pas i shet, administratorët ose drejtorët apo oficerët e tyre (në varësi të vendeve të regjistrimit të tyre) mund të jenë persona juridikë (kjo gjë në Shqipëri nuk lejohet). Më pas ai që e blen, nëse do, mund të ndryshojë administratorin duke emëruar persona të besuar, ose mund të mbajë administratorin e fillimit duke i udhëzuar ata sipas nevojës.

Në rastin e shoqërive mëmë në Belize, ato administrohen respektivisht nga dy shoqëri të ndryshme britanike. Këto shoqëri britanike nga ana e tyre administrojnë shumë shoqëri të tjera (bija), nga të cilat kanë ndër përfituesit apo të ngarkuarit e tyre qytetarë me emra në dukje rus — mes të cilëve gazetarët amerikane kanë identifikuar një ish-funksionar të KGB-së, në pension prej shumë vitesh.

Vetëm kjo është shkruar dhe tregohet nga gazetarët investigative amerikan: asnjë kontroll, asnjë ndikim.

E gjithë pjesa tjetër është, nxirje dhe shpifje, gricje dhe delegjitimacione, histori intrigante me qëllimin e vetëm për të mashtruar lexuesin, por që nuk kanë lidhje logjike me historinë e fotos dhe aq më pak me destabilizimet e mundshme apo aleancat me armikun.

Çfarë do të thonit ju, nëse do të arrestoheshit për prostitucion sepse fjetët në një hotel të ndërtuar nga një kompani e cila ka ndërtuar edhe një pallat tjetër ku ka banuar një grua e akuzuar për prostitucion?

Për drejtësinë e Enver Hoxhës kjo mund të ishte provë e mjaftueshme për të dënuar një disident, ndërsa sot për militantët kundra Trump, kundra Basha, dhe mbi të gjitha kundra logjikës, kjo provë është vetëm përpjekja e dëshpëruar për të shpërqendruar opinionin publik shqiptar dhe botëror nga droga që kalon në territorin e vendit dhe nga llogaritë bankare të tyre, kuptohet të gjitha off-shore.

Lajme te ngjashme