Teorema e lidhjeve ruse dhe moshetimi i Partisë Socialiste e partive të tjera

Nga Carloalberto Rossi
Teorema e lidhjeve ruse dhe moshetimi i Partisë Socialiste e partive të tjera

Hamendësimet e përfshirjes së Rusisë në politikën shqiptare, të cilat tani po shiten si të vërteta—analiza jonë e mëparshme shpjegoi se ato janë tërësisht të pambështetura në prova dhe logjikë, por vetëm në insinuata duke lidhur fakte pa lidhje—vazhdojnë të jenë pjesë e burive që fryhen nga “burimet mediatike” të qeverisë socialiste. Ky kor frymor përbëhet nga eksponentë të të gjitha ngjyrimeve dhe interesave politike, nga socialistët e Ramës tek ata që historikisht kanë qenë pjesë e grupimit demokratik, secili me qëllimin e tij të qartë—dikush përpiqet të ngrejë tym për të kaluar pa shumë dëme çështjen e kokainës të sekuestruar në Maminas, dhe dikush tjetër për të dobësuar pozicionin e Bashës brenda Partisë Demokratike.

Në shërbim të këtyre qëllimeve, në media u shfaq lajmi i një hetimi të nisur nga FBI-ja mbi lobistin amerikan Nick Muzin, i cili ka lobuar zyrtarisht për Bashën dhe PD-në, dhe që njëkohësisht u pagua nga shoqëria e famshme guaskë skoceze, me shuma të majme për shërbime konsulence të pasqaruara në favor të Partisë Demokratike.

Gazetat e propagandës socialiste aludojnë se ky hetim i FBI-së është për kryerjen e pagesave nga rusët, por deri më sot nuk ka asnjë provë që hetimi të hipotetizojë një pagesë nga ana e rusëve, e aq më pak që një hetim i tillë amerikan të ekzistojë me të vërtetë. (Ndërsa Presidenti Trump nuk arrinte të merrte vesh nëse ishte nën hetim nga FBI dhe këmbënguli ta mësonte më kot nga Drejtori i FBI Comey, Top Channel në Tiranë, lëshuesi i lajmit të hetimit amerikan, i referohet “burimeve të sigurta” në FBI!)

E gjithë kjo “stuhi ruse” duket gjithmonë e më shumë e orkestruar pikërisht për të krijuar një turbullirë të madhe, e përmes saj të hidhet ideja—me qëllimin për t’u ngulitur në kujtesën e votuesve—e tradhtisë së madhe antiamerikane.

Edhe Rama, po përpiqet të ushqejë bateritë e makinës së propagandës dhe turbullirën e prodhuar prej saj. Ai vazhdon të lëshojë shigjeta kundra Bashës, që nënkuptojnë se hipoteza e komplotit Basha-Trump-Rusi është e vërtete dhe e padiskutueshme, duke e ftuar me tallje të paraqitet në prokurori. Pikërisht në atë prokurori “të pavarur”, e cila, qartësisht me urdhër të qeverisë, hap me shpejtësi një hetim nisur nga një lajm tërësisht i pabazuar.

I vetmi hetim që ndoshta prokuroria shqiptare duhet të bëjë kundrejt PD-së është mbi çështjen, që asnjë parti politike në Shqipëri e aq më pak socialistët nuk kanë bërë transparencë, pra për çështjen e financimit të partive politike.

Dy fushatat e fundit zgjedhore, si ajo vendore më 2015 dhe e parlamentare më 2017, kanë zbuluar para popullit shqiptar një Parti Socialiste shumë të pasur, e cila organizon mitingje dhe koncerte me mjete moderne, ekrane elektronike masive, artistë të huaj shumë të kushtueshëm, të gjitha me vlerë shumë herë më të lartë se sa fondet e deklaruara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Për këtë temë ka pasur disa thirrje nga ana e OSBE-së, fillimisht të kaluara në plan të dytë për shkak të mungesës së reformës zgjedhore dhe më pas të harruara krejtësisht. Por është e dukshme për të gjithë, se edhe nëse partitë e opozitës mund të kenë marrë ndonjë para në “të zezë”, pra jo të deklaruar, partia në pushtet ka marrë dhe ka shpenzuar shumë herë më shumë para në të zezë. Nëse kjo çështje do të ishte objekti i hetimit të prokurorisë, dhe nëse kjo e fundit do të kishte synimin të dukej e pavarur, atëherë duhet të hapë një hetim për të gjitha partitë politike, duke e nisur nga Partia Socialiste.

Duke e përmbledhur: rusët mesa duket nuk kanë lidhje me financimin e PD-së dhe është tërësisht jo realiste (për të mos thënë instrumentale) që prokuroria të hetojë mbi këtë gjë. Ndërsa i vetmi krim që mund të supozohet për të justifikuar një hetim mbi PD-në, pra financimi i padeklaruar, ngec në dy pengesa gati të pakalueshme: shoqëria guaskë skoceze nuk duket se ka lidhje me administratën e PD-së, dhe shkeljet mbi ligjin e financimit të partive politike si një krim i mundshëm do të përfshinin të gjitha partitë politike, por me prova më të dukshme Partinë Socialiste

Përfundimi i të gjithë kësaj fushate “urgjente” shpifjesh do t’i tregojë të gjithëve se prokuroria shqiptare, nën drejtimin e Arta Markut, e zgjedhur dhe e vendosur njëanshmërisht dhe politikisht nga qeveria, është pa asnjë dyshim nën kontrollin dhe ndikimin e Partisë Socialiste

Lajme te ngjashme