Veliaj mburret me gjethen e tij të preferuar të fikut — fëmijët

Nga Vincent van Gerven Oei
Veliaj mburret me gjethen e tij të preferuar të fikut — fëmijët Veliaj duke përqafuar një fëmijë shtrirë në dysheme. Burimi: Facebook

Ka një lloj të veçantë artikujsh gazete që të shtyjnë të mendosh për “dhurimet” private që fshihen pas gazetave bujare e pa pagesë si gazeta britanike The Guardian. Ndonëse, ideja e gazetarisë cilësore, të ofruar pa pagesë, është për t’u duartrokitur, ka gjithmonë një sakrificë në mes—sidomos kur bëhet fjalë për vende dytësore në skenën botërore, siç është Shqipëria, është e lehtë të botosh lajme pozitive, pa bërë shumë pyetje.

Një artikull i tillë i dyshimtë u shfaq në nëntor të vitit 2016, kur Jason Farago thuri një mal me lëvdime naive për politikat e Kryeministrit Edi Rama, në kohën kur ky i fundit hapi ekspozitën e tij personale në galerinë Marian Goodman në Nju Jork.

Shembulli më i fundit është artikulli i shkruar nga Laura Laker për The Guardian, i cili flet për qytetet “miqësore ndaj fëmijëve”. Çuditërisht, Tirana merret shembull si një qytet i tillë, dhe artikulli përfundon në një himn për politikat e kryebashkiakut Erion Veliaj, pa bërë asnjë përpjekje për hetimin kritik të tyre.

Laura Laker, në mënyrë jokritike, shkruan për “bizneset që [sponsorizojnë] transformimin e kopshteve dhe çerdheve nga ‘qeli burgu’ në hapësira të bukura”, pa trajtuar fare klientelizmin dhe korrupsionin që sjellin këto “sponsorizime” të cilat më pas shpërblehen me leje ndërtimi. Ajo përmend “partneritetet publike private” pa e kuptuar fare se ato sjellin një barrë të rëndë financiare për taksapaguesit shqiptarë.

Sërish pa asnjë vlerësim kritik, artikulli citon Veliaj të thotë se protestat kundër betonizimit të Parkut të Liqenit në Tiranë u organizuan nga “një pakicë e zhurmshme, e cila ka lidhje të ngushta me interesa private.”

Në të vërtetë, protestuesit e Parkut të Liqenit janë e kundërta e atyre me “interesa të ngushta”. Ata që kanë interesa të tilla, ishin ata që Veliaj i kishte kontraktuar për të hedhur qindra metra kub betoni në një zonë të mbrojtur natyrore, siç është Parku i Liqenit.

Në fakt, Erion Veliaj ka shkatërruar në mënyrë të vazhdueshme parqet dhe hapësirat për fëmijë në Tiranë. Shembujt më të fundit janë zona pranë ish-Parkut të Autobuzëve dhe këndi ‘7-Xhuxhat’ në Rrugën e Elbasanit. Të dy parqet nuk janë më dhe i kanë lënë vendin kullave të betonit, miratuar nga kryebashkiaku, premtimi kryesor i fushatës të së cilit ishte të mos miratonte leje ndërtimi, pa të cilat bashkia në fakt do të falimentonte.

Por ndoshta gjëja më e turpshme nga të gjitha është fakti se Kryebashkiaku Veliaj i ka përdorur fëmijët në çdo moment të propagandës së tij si mburojë për të mbrojtur veten nga çdo formë kritike. Dhe Laura Laker e “ka blerë” me shumicë këtë strategji propagandistike, duke i bërë fëmijët temën kryesore të artikullit të saj. Mjafton vetëm një vështrim në faqen në Facebook të Veliajt për të kuptuar se i tërë imazhi i tij politik bazohet në ndërveprimin dhe kontaktin fizik me fëmijët.

Përveç çështjes nëse është morale që fëmijët të shfrytëzohen vazhdimisht në një axhendë të diskutueshme politike, fushata aktuale e denoncimeve publike ndaj ngacmimeve seksuale dhe sjelljeve të pahijshme të figurave publike, ngre pyetjen nëse është e përshtatshme për një politikan të fotografohet në çdo aktivitet publik duke mbajtur në krah fëmijë.

Fëmijët—sidomos ata të vegjël dhe të qeshur, ata që nuk e ngrenë dot zërin kundër klientelizmit, që nuk e kuptojnë dot natyrën e korrupsionit dhe që janë mirënjohës për çdo dhuratë, pavarësisht se nga vjen—duket se janë të preferuarit e Erion Veliajt.

Me fëmijët, Veliaj nuk rrezikon të përballet me kritika për premtimet e shkelura dhe politikat që dëmtojnë interesin publik. Pikërisht, kjo është arsyeja pse Laura Laker duhet të kishte pyetur të rriturit për natyrën e vërtetë të politikave të ashtuquajtura “miqësore për fëmijët” të kryebashkiakut Veliaj.

Lajme te ngjashme