Ambasadori Lu, Ministri Xhafaj, Drejtori Veliu  në një “takim krize” me ambasadoren gjermane Ambasada gjermane në Tiranë

Dje në mbrëmje, rreth orës 19:00, një grup interesant zyrtarësh të huaj dhe shqiptarë u takuan në ambasadën gjermane. Njëri pas tjetrit, ambasadori amerikan Donald Lu, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu mbërritën në Ambasadën e Gjermanisë në Rrugën “Skënderbej” në Tiranë, me sa duket për të takuar ambasadoren gjermane Susanne Schütz.

Takimi vjen në një moment kur Ambasadori Lu po sulmohet për tejkalim të kufijve diplomatikë për kërkesën e tij për arrestimin e ish-Kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit aktual Ilir Meta. Dje, Ambasadori Lu zhvilloi edhe një takim të paplanifikuar me Presidentin Meta, i cili zgjati nga ora 12:50 deri në orën 13:45.

Edhe pse zyra e Presidentit lëshoi ​​një deklaratë që shprehej se Presidenti Meta dhe Ambasadori Lu “diskutuan mbi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona dhe çështjeve aktuale të sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare”, mediat raportuan gjerësisht se takimi ishte një përpjekje për të kontrolluar dëmin nga ana e ambasadorit amerikan.

Prandaj, ka gjasa që takimi i mbrëmshëm në Ambasadën Gjermane të lidhet me të njëjtën çështje, pra ndërhyrjet e dukshme të ambasadorit amerikan në çështjet e brendshme të Shqipërisë.

Ambasadori Lu ka deklaruar për median shqiptare se ish-Prokurori i Përgjithshëm Llalla “është nën hetim aktiv për pastrimin e parave dhe pasurinë masive të pajustifikuar” dhe ka bërë komente të ngjashme edhe për mediat e huaja. Megjithatë, Exit.al ka mundur të konfirmojë nga burimet brenda prokurorisë, se të paktën deri javën e kaluar nuk ka patur ende asnjë hetim formal të hapur për Adriatik Llallën.

Dihet publikisht se familja e Llallës është vendosur në Gjermani dhe se vetë Llalla udhëton shpesh atje, kështu që nuk do të ishte e habitshme nëse Ambasadori Lu, i ndihmuar nga Ministri Xhafaj dhe Drejtori i Policisë Veliu, mund të kenë tentuar të bindin ambasadoren gjermane, në këtë “takim krize”, për t’u bashkuar në kërkimin e tyre për të gjetur fakte të vërteta inkriminuese për të lejuar hapjen e hetimit kundër Llallës, me qëllim “vertetimin” e akuzave të parakohshme të Lusë.

Veçanërisht, prania në takim e Drejtorit të Policisë Ardi Veliu  është detaj shumë domethënës. Shumica e drejtuesve më të lartë të policisë, të emëruar nga ish-ministri Tahiri, kanë qenë të përfshirë në një mënyrë ose në një tjetër, në lejimin apo ndihmesën e trafikut të kanabisit, dhe ministri aktual Xhafaj personalisht emëroi Ardi Veliun si një person jashtë “klanit Tahiri”, duke e katapultuar atë nga hiçi në pozitën e “reformatorit” të Policisë së Shtetit. Ose me fjalë të tjera, e zgjodhi atë si një person që do t’i shërbejë në mënyrë të bindur ministrit Xhafaj në riorganizimin e Policinë e Shtetit sipas dëshirave të tij personale.

Exit.al i iu drejtua Ambasadës së Gjermanisë për të pyetur rreth arsyes dhe përmbajtjes së këtij takimi tepër të veçantë, por deri në momentin e botimit të këtij artikulli, nuk kishte marrë ende përgjigje.