Arrestimet e 23 protestuesve — Policia dhe Prokuroria shkelin ligjin

Edhe pse zbatimi e mbrojtja e të drejtave të njeriut është një nga pesë prioritetet kyçe që duhet të përmbushë qeveria shqiptare për të hapur negociatat e pranimit në BE, qeveria e kryeministrit Edi Rama ka shkelur hapur të drejtat e 23 qytetarëve të cilët u arrestuan gjatë natës pas protestave kundër vendosjes së tarifave për kalimin e Rrugës së Kombit.

Shkeljet ligjore dhe procedurale nga ana e forcave të policisë dhe Prokurorisë janë shpjeguar pjesërisht në një deklaratë të Avokatit të Popullit, lëshuar më 2 prill.

Arrestimi

– 23 qytetarët u arrestuan mes orës 02:00 dhe 03:00 të natës, në Kukës më 1 prill. 13 prej tyre u transportuan në stacione të ndryshme të policisë në Tiranë. Në procesverbale dhe flet-arreste nuk përmendet ora e saktë e arrestimit në Kukës, por përmendet ora e arritjes në Tiranë. Kjo është në kundërshtim me nenin 255, pika 1 të Kodit të Procedurës Penale (KPP) që parashikon:

“Data, ora dhe emri i oficerit të policisë gjyqësore që ka kryer arrestimin ose ndalimin shënohet në procesverbal.”

– Falsifikimi i orarit të arrestimit i ka lejuar prokurorisë që ta referojë çështjen në gjykatë më vonë se afati i lejuar me ligj prej 48 orësh.

Neni 258, pika 2 e Procedurës Penale shkruan:

“[…] prokurori, brenda dyzet e tetë orëve nga arrestimi ose ndalimi, kërkon vleftësimin e masës në gjykatën e vendit ku është kryer arrestimi ose ndalimi. Mosrespektimi i këtij afati bën që arrestimi ose ndalimi të humbasë fuqinë.”

– Avokati i Popullit, po ashtu, zbuloi se disa prej të arrestuarve nuk kishin marrë ushqim deri në orën 18:00 të datës 1 prill, rreth 12 orë më shumë pas arrestimit. Avokati i Popullit theksoi “trajtimin çnjerëzor” të të ndaluarve.

– Anëtarët e familjes së të ndaluarve nuk janë informuar për arrestimin e tyre dhe për shkakun e arrestimit të tyre. Kjo është në kundërshtim me nenin 255, pika 4 e KPP-së që parashikon:

“Policia gjyqësore, me pëlqimin e të arrestuarit ose të ndaluarit, duhet të lajmërojë pa vonesë familjarët. Kur i arrestuari ose i ndaluari është i mitur lajmërohet detyrimisht prindi ose kujdestari.”

– Mandatet e arrestit i nënshkruar nga Prokuroria nuk iu vunë në dispozicion Avokatit të Popullit.

– Të arrestuarit u morën në pyetje nga policia pa praninë e një avokati. Kjo është në kundërshtim me nenin 256, pika 1 e KPP-së:

“Prokurori merr në pyetje të arrestuarit ose të ndaluarin në prani të mbrojtësit të zgjedhur ose të caktuar kryesisht.”

Kërkesa zyrtare për vleftësimin e masave parandaluese, dërguar nga Prokuroria e Kukësit në Gjykatën e Shkallës së Parë në Kukës, jep një afat tjetër kohor për arrestimin, midis orës 10:00 dhe 13:00. Siç kemi theksuar më lart, kjo është në kundërshtim me nenin 255, pika 1 të KPP-së.

Kjo hile mund të ketë pasoja të rënda për Prokurorinë, pasi ajo minon ligjshmërinë dhe drejtësinë e gjithë procesit kundër 23 protestuesve. Protestuesit mund të mbështeten në nenin 259, pika 4 të KPP-së që parashikon:

“Kur arrestimi ose ndalimi nuk është i ligjshëm, gjykata vendos lirimin e menjëhershëm të të arrestuarit ose të ndaluarit.”

Siç është e qartë tashmë, as ndalimi dhe aq qëndrimi i tyre në qelitë e paraburgimit nuk janë kryer në mënyrë të ligjshme.

Seancën e vlefshmërisë në gjykatë

Edhe pse seanca për të përcaktuar masat e arrestit për protestuesit duhej të mbahej më 3 prill në orën 09:00, u shty për në datën 4 prill, ora 10:00 dhe u zhvendos në Gjykatën e Tiranës, sepse Gjykata e Kukësit pretendon se nuk ka masat e duhura të sigurisë.

Në Tiranë, qindra forca policie bllokuan Gjykatën e Tiranës, duke i ndaluar deputetët e opozitën të hynin në sallën e gjyqit, përsëri në kundërshtim me ligjin sepse seanca është me dyer të hapura.

Deri më tani, Delegacioni i BE-së në Tiranë, i cili është përgjegjës për monitorimin e zbatimit të sundimit të ligjit dhe zbatimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri në funksion të hartimit të Raportit të ardhshëm të Progresit, nuk ka reaguar për ngjarjet.