Bizneset e vogla protestojnë sot kundër TVSH-së

Sipërmarrës të vegjël e të mesëm do të ulin sot qepenat e bizneseve të tyre në shenjë proteste kundër vendimit të Qeverisë Rama për t’i futur ato në skemën e TVSH-së.

Dyqanet në Rrugën e Kavajës, Rrugën e Durrësit, Tregut Çam, Tregut Elektrik, Tregut Ushqimor dhe Medresesë do të mbyllin qepenat nga ora 11:00 deri në orën 12:00.

Vendimi për futjen e biznesit me xhiro nga 2 deri në 5 milionë lekë në vit, në skemën e TVSH u miratua nga shumica socialiste në dhjetor 2017. Vendimi filloi të zbatohej më 1 prill.

Shumë shoqëri të biznesit të vogël e kundërshtuan dhe janë shprehur se një masë e tillë do të rrisë çmimet e konsumit, duke prekur xhepat e të gjithë qytetarëve.

Ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar e konsideroi këtë hap të qeverisë si nder për bizneset e tregtisë me shumicë, që e shikon biznesin e vogël si një konkurrent të padrejtë për supermarketet e mëdha, duke qenë se këto të fundit janë të detyruar të derdhin TVSH mbi të njëjtin mall që biznesi i vogël e shet pa TVSH.

Protestës së sipërmarrësve do t’i bashkohet dhe Partia Demokratike. Dje udhëheqësi demokrat Basha gjatë një takimi me sipërmarrësit, i shprehu atyre mbështetjen dhe i bëri thirrje të protestojnë si e vetmja mundësi për të kundërshtuar qeverinë.