Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Bjarke Ingels i dëgjon qytetarët e Uashingtonit, po a do t’i dëgjojë ata të Tiranës?

Kur në në vitin 2016, arkitekti Bjarke Ingels, i firmës arkitekturore BIG, bëri publik projektin e tij për kampusin e Muzeut Smithsonian në Uashington, i cili parashikonte prishjen e lulishtes shumë të dashur për publikun Enid A. Haupt Garden prej 1,6 hektarësh, përfshi muret dhe portat e tij historike—peticioni kundër tij mblodhi mijëra firma online.

Muzeu Smithsonian në Uashington – Foto © Jeff Tinsley.

Në një editorial për gazetën Washington Post, gazetari James M. Goode kritikoi ashpër shkatërrimin e “një prej pak vendeve të mbetura për meditim”. Goode vazhdoi më tej: “Përzgjedhja e kësaj firme për një projekt që kërkon hollësi, nuancë dhe ndjeshmëri në një mjedis historik është e diskutueshme. Objekti me të cilin Bjarke Ingels kërkon ta zëvendësojë lulishten është një shkretëtirë panoramike e cila të kujton qendrat tregtare provinciale.”

Në janar 2018, revista e arkitekturës Architectural Digest njoftoi se Bjarke Ingels e ka rishikuar tërësisht projektin e tij “pas kundërshtimeve të projektit fillestar”. Sipas autorit Hadley Keller:

Rishikimet [e projektit] janë një shembull frymëzues i një arkitekti që përshtatet me interesin publik dhe ndërton një marrëdhënie të mirë me komunitetin – veprime që janë në përputhje me qasjen plot vetëdije shoqërore të Ingels ndaj arkitekturës dhe planifikimit urban.”

Ingels citohet të ketë thënë në artikull se: “Që nga propozimi ynë i fundit, ne kemi dëgjuar me shumë vëmendje publikun. Plani i rishikuar i BIG ka bërë më shumë përpjekje për të ruajtur lulishten e dashur Haupt.”

Propozimi i Bjarke Ingels në vitin 2016
Propozimi i ndryshuar i Bjarke Ingels në vitin 2018

Krahasuar me projektin e propozuar në vitin 2016, në projektin e ri janë ruajtur portat dhe muret historike dhe projekti i relievit është shumë i ngjashëm me pamjen origjinale të tij.

“Si i tillë,” vlerëson Keller, “plani i rishikuar ka mbajtur barrën e vështirë të vendosjes së balancës mes ruajtjes së trashëgimisë dhe modernizimit – balancë që sigurisht Ingels ka kualifikimin për ta arritur.”

***

Kohët e fundit, BIG propozoi një tjetër projekt, në një tjetër kryeqytet, që rrezikon të fshijë arkitekturën historike dhe të transformojë rrënjësisht një hapësirë publike. Në këtë rast, BIG ka projektuar, siç është bërë publike, me kërkesën e kompanisë private të ndërtimit Fusha shpk godinën e re të Teatrit Kombëtar e cila do të ndërtohet në tokë publike.

Procedura për këtë projekt ndërtimi ka shkelur ligjet e prokurimit publik dhe përfshin një partneritet publiko-privat, i cili merr miliona euro nga buxheti i shtetit, ndërkohë që qytetarët po përballen me rritje taksash dhe me tarifa grabitqare rrugore. Po ashtu për këtë projekt nuk ka pasur absolutisht asnjë bisedim me ata që preken direkt nga projekti — drejtuesit, aktorët dhe vizitorët e Teatrit Kombëtar – e as ndonjë konsideratë për faktin se Teatri Kombëtar është një ndërtesë historike, madje më e vjetër se Parku Enid A. Haupt, i cili daton në vitin 1987.

I ndërtuar gjatë pushtimit fashist italian, kompleksi i Teatrit Kombëtar është një ndër veprat e pakta të mbetura të asaj periudhe arkitekturore që ka ndikuar tërësisht në peizazhin e Tiranës. Por vlera kulturore dhe historike e Teatrit nuk lidhet vetëm me origjinën e tij. Gjatë regjimit komunist, Teatri shërbeu si skenë për shfaqjet publike të gjykimit publik të ashtuquajturve “armiq të popullit”. Kjo e bën Teatrin Kombëtar jo vetëm një vend të kremtimit të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, por edhe një vend përkujtimor—një kujtim që aktualisht është ndoshta më i domosdoshëm se kurrë, kur Shqipëria ngadalë, por në mënyrë të sigurt po rrëshqet në një autokraci të re.

Prandaj, shkatërrimi i Teatrit Kombëtar sipas planit të BIG nuk është vetëm një fshirje e historisë arkitekturore, por edhe shkatërrim i një prej vendeve të pakta konkrete të kujtimit të diktaturës komuniste, vendosur në zemër të pushtetit qeveritar dhe ngjitur me BunkArt-in, vepra abuzive e sanksionuar nga qeveria Rama e cila fsheh krimet e komunizmit.

Aktorë, artistë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë organizuar protesta, seanca dëgjimore dhe takime publike rreth projektit të Bjarke Ingels, që në momentin e parë kur Kryeministri Edi Rama e bëri publik planin e tij për Teatrin Kombëtar. Projekti përfshin transferimin e një pjese të madhe të tokës publike në të cilën gjendet ndërtesa e tanishme në duart e sipërmarrësve privatë. Arkitektë të ndryshëm kanë propozuar zgjidhje konkrete për ruajtjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar, duke e zgjeruar dhe modernizuar atë, madje me kosto më të ulët për taksapaguesit shqiptarë se sa partneriteti publik-privat i Ramës me kompaninë Fusha shpk. Por këto propozime nuk janë dëgjuar nga qeveria.

Megjithatë, në ndryshim nga Uashingtoni, asnjë përfaqësues i studios BIG nuk ka përfshirë qytetarët shqiptarë në këtë proces. Gjatë dy javëve të fundit, Exit.al ka kontaktuar vazhdimisht me zyrën e shtypit të studios BIG dhe ka kërkuar informacion në lidhje me planin e tyre për përfshirjen e palëve të interesuara në projektin për Teatrin Kombëtar. Gjithashtu, i kemi pyetur nëse janë në dijeni të bazës së dyshimtë ligjore për tjetërsimin e pronës publike në të cilën do të realizohet projekti i tyre. Pavarësisht premtimeve, asnjë nga pyetjet tona nuk ka marrë përgjigje.

Pra, mund të ndodhë që në kryeqytetin e SHBA-së, Bjarke Ingels të jetë një “shembull frymëzues i një arkitekti që përshtatet me interesin publik, mban marrëdhënie të mirë me komunitetin” dhe “vendos me kujdes linjat midis ruajtjes së trashëgimisë dhe modernizimit,” por në kryeqytetin e Shqipërisë ai rezulton të jetë vetëm një arkitekt tjetër i famshëm: i cili duke dashur të lerë me çdo kusht shenjën e tij, nuk merr parasysh ndikimin shoqëror të punës që bën.