Nga Redaksia
Donald Lu—Bankers Petroleum: ambasadori amerikan pengon drejtësinë

Ambasadori Amerikan Donald Lu i ka kërkuar ish-prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla të ndalojë hetimet penale ndaj kompanisë Bankers Petroleum për shpërthimet të cilin dëmtuan rreth 200 shtëpi në Zharrës, Fier në vitin 2015.

Pak ditë më parë, portali i lajmeve Hashtag.al publikoi një email që Ambasadori Lu i ka dërguar Kryeprokurorit të atëhershëm Adriatik Llalla, më 24 korrik 2015. Në emailin e shkruar në shqip, thuhet:

“Nuk mund ta theksoj mjaftueshëm sesa i shqetësuar jam personalisht për pasojën e ndjekjes penale të këtyre punonjësve të Bankers Petroleum nga prokurori i Fierit. Në çdo vend tjetër, do të prisnim të shihnim gjoba dhe penalitete administrative. Akuzat penale janë të pazakonta.

Kjo do të ketë një ndikim kryesor në aftësinë e Shqipërisë për të tërhequr investime të huaja – pikërisht në një kohë kur Ministri Gjiknuri po përpiqet të kërkojë investitorë të huaj që të marrin pjesë në ankand për blloqet e naftës në Shqipëri. Do të jem i sinqertë me ju, është dyshimi im që korrupsioni ose trysnia politike mund të jenë të përfshira në vendimin e Prokurorit të Fierit. Ne do ndjekim këtë çështje nga shumë afër.”

Emaili erdhi pas një letre zyrtare, dërguar Llallës nga ambasadori në emër të qeverisë amerikane—letra u bë publike nga e përditshmja Dita, para rreth dy vjetësh. Edhe në letër, sigurisht, duke përdorur fjalë më të kujdesshme se në email, Ambasadori Lu i kërkoi Adriatik Llallës të mbyllë hetimin mbi Bankers Petroleum. Gjithashtu, është tashmë fakt publik se, gjatë të njëjtës periudhë, ambasadori Lu takoi Prokurorin e Përgjithshëm Llalla në zyrën e këtij të fundit, së bashku me Drejtorin Ekzekutiv të Bankers Petroleum David French, sërish duke i kërkuar prokurorit të pushojë akuzat penale kundër Bankers.

Bankers Petroleum, kompania më e madhe në Shqipëri, është një kompani e regjistruar në parajsa fiskale, por me zyra qendrore në Kanada, e cila ka të drejtën ekskluzive për të kërkuar dhe nxjerrë naftë në bllokun Patos-Marinzë. Në vitin 2017, Bankers u ble nga një kompani kineze.

Hetimi në fjalë u përqendrua në disa shpërthime që ndodhën më 2 prill 2015 për shkak të shpimeve në zonën e Marinzës, të cilat dëmtuan rreth 200 shtëpi në në Zharrëz. Të paktën një nga shpërthimet ndodhi gjatë përpjekjeve për të riaktivizuar një nga puse të mbyllur, pa marrë autorizimet e nevojshme. Pas shpërthimeve, prokuroria e Fierit nisi një hetim penal për “shkatërrimin e pronave si pasojë e neglizhencës” dhe “ndotje të ajrit”.

Është e paqartë se përse Ambasadori Donald Lu u përfshi në këtë çështje — ai nuk e ka komentuar asnjëherë publikisht ngjarjen — aq më tepër në kushtet kur Bankers nuk është  kompani amerikane dhe nuk është e lidhur me asnjë interes amerikan. Pavarësisht, tani është e qartë se ambasadori Lu u përpoq disa herë të detyrojë ish-Prokurorin e Përgjithshëm Llalla të pushonte hetimet.

Emaili i publikuar nga Hashtag.al ngre dyshime të reja mbi gjykimin dhe integritetin e ambasadorit Lu.

Nga emaili duket se ambasadori Lu jo vetëm kërkoi pushimin e akuzave penale ndaj Bankers, por gjithashtu se i përcakton prokurorëve drejtimin e hetimeve (në akuza për shkelje administrative), dhe dënimin që duhet të kërkonin. Për më tepër, ambasadori kërkon politizim të hetimit duke sugjeruar se veprimet e Llallës do të kishin ndikim negativ në përpjekjet e qeverisë Rama për të tërhequr investitorë të huaj në vend. Kështu, Lu nënkupton se Llalla dhe prokurorët e Fierit nuk duhet të vendosin në bazë të fakteve dhe ligjit shqiptar, por në mënyrë politike për t’i shërbyer qeverisë.

Emaili i ambasadorit Lu mund të përbëjë një përpjekje për të penguar drejtësinë, duke ndikuar padrejtësisht në një hetim penal. Në Amerikë një veprim i tillë konsiderohet krim i rëndë—Kodi Federal i SHBA-ve përmban 21 përcaktime ligjore për veprime të cilat përbëjnë pengim të drejtësisë. Një prej tyre, 18 U.S. Code § 1512, i referohet pikërisht përpjekjeve të dikujt që “pengon, ndikon, ose ndalon një procedim zyrtar, ose përpiqet të bëjë një gjë të tillë.” Nëse një person gjendet fajtor për pengim të drejtësisë, sipas këtij neni, ai duhet të gjobitet ose të dënohet me burg deri në 20 vjet, ose të dyja bashkë.

Thjesht, për ta vënë çështjen Bankers-Lu në kontekst: Presidenti Trump aktualisht po hetohet nga Prokurori Special Robert Mueller për pengim të drejtësisë për një veprim që duket i parëndësishëm krahasuar me këmbënguljen direkte të ambasadorit Lu dhe kërcënimet e tij ndaj ish prokurorit Llalla për të mbyllur një hetim zyrtar.

Për më tepër, veprimet e ambasadorit hapur kanë qenë ndërhyrje në çështje të brendshme të Shqipërisë, çfarë përbën shkelje të Konventës së Vienës për Çështjet Diplomatike.

Ndërsa ambasadori Lu është i mbrojtur nga imuniteti diplomatik dhe nuk mund të mbahet përgjegjës për shkeljet e ligjit shqiptar, pasojat morale dhe etike të veprimeve të tij nuk duhet të nënvlerësohen.

Përfshirja e tij e hapur dhe e vazhdueshme në disa hetime penale në Shqipëri është shtrembërim i parimeve të shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve, të cilat janë themlet e qeverisë amerikane që Abasadori Lu përfaqëson.

Është fatkeqësi që Ambasadori Lu shumë prej veprimeve të tij ia ka veshur qeverisë amerikane—në email ndaj Llallës, ashtu sikurse edhe në raste të tjera të ngjashme, ambasadori përdor shumësin “ne”, duke nënkuptuar me “ne, qeveria amerikane”.

Është e vështirë të imagjinohet se mund të ishte në interesin e qeverisë amerikane ndërhyrja e drejtpërdrejtë në çështjen Bankers; një kompani joamerikane, me pronarë të fshehur në parajsa fiskale, e cila është dyshuar vazhdimisht për evazion fiskal dhe dëme ndaj pronës private dhe ndotje të mjedisit në Shqipëri. Ka më shumë gjasa që ambasadori Lu ta ketë përdorur dhe të ketë abuzuar me emrin e qeverisë amerikane për një çështje në interesin e tij privat.

Në fakt, Ambasadori Lu ka sugjeruar pikërisht këtë gjë në email, ku ai pohon se shqetësimi i tij, të cilin ai “nuk mund ta shpreh sa duhet”, ishte “personal”. Arsyeja se përse ai ishte i shqetësuar personalisht mund te spekulohet, por çështja kryesore mbetet se si mundet një ambasador të lejohet të abuzojë me detyrën e tij dhe emrin e qeverisë amerikane për interesat e tij private.

Emaili tregon gjithashtu qasjen tashmë familjare të Ambasadorit Lu për akuza të pajustifikuara për korrupsion dhe ndikim politik. Në email, ai thotë se dyshon që “korrupsioni dhe presioni politik mund të kenë ndikuar në vendimin e prokurorisë së Fierit”.

Por përse ka të tilla dyshime, ambasadori? Vetëm ai mund ta thotë. Në fakt, hetimi penal për “neglizhencë” që ka shkaktuar dëmtimin e 200 shtëpive dhe ndotje të mjedisit duket sikur është gjëja më minimale që mund të bënte një prokuror në këtë rast. Ndërkohë është se kë ka patur në mendje ambasadori që mund të ndikojë politikisht prokurorët, duke pasur parasysh se 200 familjet e Zharrëzës nuk kanë asnjë pushtet politik ose ekonomik, dhe shumica jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë.

Ajo çfarë ne dimë, tashmë, është se ambasadori Lu i përdor akuzat për “korrupsion” dhe “ndikim politik” kundër të gjithë atyre që nuk i binden vullnetit të tij. Disa muaj pas emailit, ambasadori Lu filloi një sulm ndaj prokurorit Llalla, pasi ky i fundit nuk i pushoi hetimet ndaj Bankersit, duke e quajtur atë armik të reformës në drejtësi dhe më vonë të korruptuar.

Ndërsa çështja e ndikimit politik u përdor nga ambasadori Lu për të mbrojtur ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri, një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të ambasadorit Lu deri në momentin që ai filloi të hetohej për përfshirje në trafikimin e drogës. Në të treja deklaratat që ambasadori Lu është detyruar të bëjë për Tahirin, ai është treguar i kujdesshëm të lërë të nënkuptohet ose të pohojë direkt se hetimet ndaj Saimir Tahirit janë të ndikuara nga ndikimet politike.