Kompania e nipit të Sadri Abazit në garë dhe për koncesionin në Kamëz

Kompania Alko Impex Construction ka paraqitur dokumente fallco në tenderin për koncesionin e pastrimit të Bashkisë Kamëz.

Kjo kompani, në pronësi të nipit të deputetit socialist Sadri Abazi, siç raportuam dje ka fituar miliona euro duke marrë pjesë me dokumente fallco në tendera të Bashkisë Tiranë.

Sipas burimeve të Exit.al, oferta e kompanisë Alko Impex Construction, bërë pranë Bashkisë Kamëz, shoqërohet nga e njëjta diplomë fallco e inxhinierit të kompanisë dhe listë jo e saktë punonjësish, që kemi publikuar në artikullin e mëparshëm.

Oferta ekonomike e Alko Impex është 1 miliard e 350 milionë lektë (rreth 9,6 milionë euro), oferta e dytë më e ulët nga ofertat e ardhura deri më tani.

Ofertat e deritanishme për koncesionin e pastrimit të Bashkisë Kamëz

Bashkia e drejtuar nga Xhelal Mziu vendosi të japë me koncesion 12 vjeçar pastrimin e qytetit dhe hapi tenderin në fillim të muajit mars.

Tenderi mbyllet sot më 16 prill.

Sipas të dhënave të koncesionit, kompania fituese do të bëjë pastrimin, grumbullimin, transportimin dhe seleksionimin e mbetjeve të Bashkisë Kamëz dhe do të ndërtojë një stacion transferimi.

Fondi limit për këtë koncesion është rreth 10 milionë euro.

Bashkia Kamëz do të likuidojë kompaninë koncesionare në një periudhë prej 12 vjetësh që nga moment i nënshkrimit të kontratës.

Sigurimi i Ofertës ose fondi që Operatori Ekonomik duhet të depozitojë paraprakisht si garanci përpara se të hyjë në garë është rreth 200 mijë euro.

Siç Exit.al, raportoi dhe dje, kjo nuk është hera e parë që kompania Alko Impex fiton miliona euro të taksapaguesve shqiptarë me dokumente fallco.

Kompania Alko Impex është regjistruar në Shqipëri në vitin 2008 si degë e kompanisë kosovare Alko Impex General Construction me pronar Imer Ademin. Por, aktiviteti i kompanisë nga viti 2008 deri në vitin 2014 ka qënë pothuajse inekzistent. Sipas bilanceve të publikuara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve (QKR) fitimet e saj nga viti 2014 deri më tani janë 10 fishuar.