Ministri Xhafaj paralajmëron bandat e Elbasanit: Do ju nxijmë jetën!

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj paralajmëroi luftë të ashpër kundër bandave kriminale në Elbasan.

Gjatë Forumit të Sigurisë Publike në Elbasan, Zoti Xhafaj u shpreh:

“Do ua nxijmë jetën! […] Kemi këtu [në Elbasan] dy tre grupe kriminale që i njohim shumë mirë e po punojmë për to për t’i dokumentuar në mënyrë që shumë shpejt mund t’i vëmë para përgjegjësisë penale.

Veprimtaria e tyre kriminale do të ndëshkohet në formën e saj më të ashpër sepse krijojnë shqetësime për sigurinë rendin dhe jetën e qytetarëve, ekonominë e pasurinë.

Këtu jemi në një betejë pa kompromis. Jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund.”

Kjo nuk është hera e parë që Ministri Xhafaj i shpall “luftë” bandave të Elbasanit.

Në dhjetor 2017, Zoti Xhafaj lajmëroi ristrukturimin e policisë së Elbasanit, dy muaj pas ristrukturimit të plotë të bërë nga ish drejtori i Policisë Çako, si mënyrë për të forcuar luftën ndaj krimit të organizuar në këtë qytet.

Arsyeja kryesore e ristrukturimit të policisë së Elbasanit ishte ngjarja ende e pazbardhur e shtatorit, mes policisë dhe fisit Çapja, një ndër fiset më famëkeqe në Elbasan.

Si ish-drejtori Çako, drejtori i ri Ardi Veliu, ashtu dhe Ministri Xhafaj nuk kanë mbajtur në asnjë moment përgjegjësi personale, pavarësisht se situata e krijuar muajt e fundit në Shqipëri, me një seri krimesh të rënda e përplasje mes bandash, ku në të gjitha rastet policia ka dështuar të arrestojë autorët, ngre pikëpyetje të mëdha jo vetëm mbi punën e drejtuesve të qarqeve, por dhe mbi punën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme.