Protesta kundër tarifave në Rrugën e Kombit – Çfarë dimë deri më tani?

Më 28 mars, qytetarët e Kukësit njoftuan zhvilimin e një proteste të madhe më 31 mars, kundër vendosjes së tarifave për përdorimin e rrugës Milot-Morinë, si pjesë e një marrëveshjeje koncesionare që do t’i kushtojë taksapaguesve shqiptarë rreth 66 milionë euro. Tarifa për autoveturat prej 5 eurosh për një segment prej 115 km e bën autostradën Milot-Morinë më të shtrenjtën në Evropë. Kukësi nga ana tjetër është rajoni më i varfër i Shqipërisë, e cila është  po ashtu një nga shtetet më të varfra të Evropës.

Në seancën pleanarë të një dite më pas, Kryeministri Rama iu përgjigj ashpër thirrjes për protestë, duke deklaruar se populli shqiptar është i pafuqishëm për “tu ngritur”:

“Nuk mundet dot ju të bllokoni asgjë dhe të pengoni asgjë. Për më tepër kur fillojnë ato kërcënimet, “shiko se do ngrihen këta dhe do ngrihen ata”. Kjo e ngritjes është “thirri, thirri të të ngrihet, ai i shkreti kokulur s’të përgjigjet dot”.
Deklaratat e Edi Ramës u komentuan gjerësisht në median sociale.

Një protestë e parë, më e vogël në përmasa, u zhvillua më 30 mars, nga tregtarë dhe qytetarë, nga Kosova e Shqipëria. Tregtarët kundërshtuan vendosjen e tarifave dhe thanë se në tregti do të ketë pasoja negative; rritje të shpenzimeve të tregtarëve dhe rritje të çmimeve për klientët.

Një ditë më vonë, të shtunën, më 31 mars, rreth orës 10:40, qindra protestues u mblodhën në kabinat me pagesë të ndërtuara në dalje të tunelit në Rrugën e Kombit, e vetmja rrugë funksionale që lidh rajonin verilindor të Shqipërisë me Kosovën dhe pjesën tjetër të vendit.

Forcat e policisë, me qëllim për të mbrojtur kabinat ku bëhen pagesat, godisnin me shkopinj gome këdo protestues që tentonte të afrohej. Protestuesit u përgjigjen duke goditur me gurë drejt policëve, të cilët më pas u detyruan të tërhiqen. Rreth orës 11:30, protestuesit arritën të çanin kordonin e policisë dhe i vunë flakën gabinave.

Sipas Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, 12 oficerë policie, përfshirë drejtorin e policisë së Kukësit, Parlat Vatoci, u plagosën. Ndërkohë Deputeti i LSI Petrit Vasili foli për më shumë se 100 protestues që ishin plagosur nga përleshjet me policinë.

Në 12:39, Kryeministri Edi Rama bëri deklaratën e parë për protestën, në Facebook, duke i akuzuar qytetarët për “dhunën barbare ndaj pronës së përbashkët.” Shumë nga komentuesit i kujtuan Kryeministrit faktin se banorët e Kukësit, në të vërtetë po mbronin pronën publike kundër taksës abuzive të vendosur nga koncesionari privat, me mbështjetjen e shtetit.

Kryeministri Rama urdhëroi forcat special nga Tirana të niseshin për në Kukës dhe protesta u shpërnda rreth orës 14:30. Në orën 14:38, Rama shkroi në Facebook se do të jepte një deklaratë të drejtpërdrejtë në orën 19:00 në kanalin televiziv të tij, ERTV.

Gjatë deklaratës, përpara kamerave ishte një Kryeministër i shqetësuar, që i merrej fryma dhe mezi ishte në gjendje të mbajë veten. Kryeministri, për herë të pare, përmendi se përdoruesit e shpeshtë të autostradës nga zonat aty pranë do të  të paguanin një çmim të reduktuar, ndonëse nuk përmendi asnjë shifër konkrete. Rama po ashtu, bëri dallimin mes “njerëzve të vërtetë” të Kukësit dhe “agjitatorëve nga Tirana”, të cilët me sa duket kishin udhëhequr protestën. Kryeministri gjithashtu i përjashtoi menjëherë nga partia të gjithë anëtarët e këshillit bashkiak të PS që mbështetën protestën.

Gjatë mesnatës së 1 prillit, 24 persona u arrestuan nga policia për pjesëmarrje në protestë. Gjatë ditës, më 1 prill, Avokati i Popullit deklaroi se arrestimet ishin bërë në mungesë të dokumenteve të rëndësishme, përfshirë edhe urdhër-arrestet dhe se shumë prej të burgosurve nuk ishin ushqyer ose ishin lënë pa ujë për më shumë se 12 orë.

Për më tepër, dokumentet ekzistuese mbi të cilët janë bërë arrestimet, përmbanin informacione të gabuara. Zyra e Prokurorisë, po ashtu, nuk ka mundur t’i vërtetojë Avokatit të Populliti se zotëron urdhërat origjinalë të arrestit.

Në median sociale dhe intervistat në rrugë, arrestimet e paligjshme në mesnatë u krahasuan me momentet më të errëta të diktaturës komuniste.

Në orën 11:00, ERTV transmetoi një konferencë të Kryeministrit Rama me gazetarët, nga ku Rama njoftoi se brenda 60 ditëve qeveria do të shpallë tarifat speciale për përdoruesit e shpeshtë, banorët e zonës dhe më pas, do të nisë një fushatë informacioni. Ai fajësoi “dezinformimin” dhe “manipulimin” nga media dhe opozita për ngjarjet e një ditë më parë. Megjithatë, shumica e mediave shqiptare janë në duart e oligarkëve pranë Kryeministrit.

Ndërkohë, qytetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile u mblodhën në drejtoritë e ndryshme policore në Tiranë ku protestuesit e sjellur nga Kukësi, po mbahen të burgusur për akuza ende të panjohura. Shumë protestues, familjarë dhe miq të të burgosurve, qëndruan gjatë natës në Tiranë dhe protestat vazhduan dhe më 2 prill.

Më 2 prill, policia ngriti padi kundër 8 prej aktivistëve të shoqërisë civile që protestuan përpara stacioneve të policisë, për “zhvillim të protestave të paligjshme”. Një studiuese amerikane u arrestua pasi po filmonte protestën.

Sot, protestuesit nga Kukësi kanë seancën e parë të gjyqit në Gjykatën e Shkallës së Parë në Kukës.