Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Reforma në drejtësi si strategji e tokës së djegur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit KPK

Shumë shpesh harrohet se reforma në drejtësi që po zbatohet aktualisht në Shqipëri është një eksperiment. Asnjëherë më parë në historinë evropiane nuk ka pasur një reformë të sistemit gjyqësor kaq të gjerë. Siç kam shkruar më parë, një raport i vitit 2011 i Qendrës Rumune për Politikat Evropiane ,“Qasja e BE-së në Reformën e Drejtësisë në Evropën Juglindore dhe Lindore”, jep një përmbledhje që të bën të reflektosh mbi masat antikorrupsion dhe reformave gjyqësore të mbështetura më parë nga BE në vendet e Evropës Lindore. Nuk ka asnjë provë se reforma e drejtësisë siç po zbatohet në Shqipëri do të japë në të vërtetë rezultatin e dëshiruar: një gjyqësor të pavarur, të fortë dhe jo të korruptuar.

Reforma në drejtësi në Shqipëri përbëhet nga dy komponentë kryesorë: rivlerësimi i të gjithë degës së drejtësisë nga një sërë institucionesh vetingu, të zgjedhura nga parlamenti shqiptar—të gjithë kandidatët që vijnë nga sistemi i drejtësisë dhe do të emërohen në këto institucione të reja do të duhet të kalojnë më parë në procesin e vetingut—dhe krijimi i një sërë institucionesh të reja për administrimin e drejtësisë: Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), Këshilli i Emërimeve në Drejtësisë (KED), dhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë (ILD).

Si rezultat i ritmit të ngadaltë me të cilin qeveria miratoi një sërë ligjesh dhe aktesh nënligjore që rregullojnë institucionet e reja dhe procesin e vetingut, këto institucione të reja ende nuk janë ngritur, pavarësisht se sipas Kushtetutës, institucionet duhet të ishin formuar më shumë se një vit e gjysmë më parë. Ne jemi praktikisht në një vakum ligjor e institucional, ku “i vjetri po vdes dhe i riu nuk mund të lindë”, një situatë e ndërmjetme në të cilën “shfaqet një shumëllojshmëri e madhe simptomash sëmundjeje.”

Një nga këto simptoma ka qenë zgjedhja vetëm me votat e shumicës socialiste e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, për shkak te shkak të mungesës së KLP-së, në shkelje të frymës së Kushtetutës, bazuar vetëm në një “opinion ligjor” shumë të dyshimtë të shkruar nga burokratë anonimë të BE-së dhe SHBA-ve. Për aq kohë sa nuk do të ketë KLP, nuk do të ketë Prokuror të Përgjithshëm të ri, dhe prokuroria do të jetë nën kontrollin politik të qeverisë së Ramës.

Një tjetër simptomë është fakti se Gjykata Kushtetuese nga 9 anëtarë tanoi ka vetëm 5 anëtarë–ndoshta shpejt do të ketë 4—duke mos arritur më kuorumin prej 6 anëtarësh. Si rezultat, Gjykata Kushtetuese nuk do të jetë në gjendje të marrë asnjë vendim. Sipas Kushtetutës, 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen nga Presidenti (3 prej tyre), Parlamenti (3 të tjerë) dhe Gjykata e Lartë (3 të tjerë). Në të gjitha rastet, KED është institucioni që rendit kandidatët e mundshëm. Kështu që për sa kohë KED nuk formohet dot, nuk do të plotësohet as Gjykata Kushtetuese dhe vendi praktikisht do të vazhdojë të mbetet pa Gjykatë Kushtetuese.

E njëjta situatë është dhe në Gjykatën e Lartë, ku kanë mbetur vetëm 9 nga 19 gjyqtarë. Si rezultat i kësaj situate, Gjykata e Lartë ka rreth 24 mijë dosje të prapambetura. Kjo do të thotë që tani po hyjmë në territorin ku do të shkelet në mënyrë të përhershme e drejta kushtetuese për një “gjykim të drejtë dhe publik brenda një kohe të arsyeshme” (neni 42 (2)), duke i hapur rrugën një vale të madhe dosjesh që do të shkojnë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), duke shkaktuar ndoshta miliona euro dëm ndaj shtetit shqiptar. Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti me propozimin e KLGJ-së. Për sa kohë KLGJ nuk është formuar, as Gjykata e Lartë nuk mund të jetë plotësisht funksionale.

Aktualisht, gjithsej 48 kandidatë për KLP, KLGJ, KED dhe ILD duhet të verifikohen. Deri tani, 3 prej tyre u futën në procesin e vetingut dhe të gjithë nuk e kaluan: Besnik Imeraj, kandidat për në KED, dha dorëheqjen; ndërsa Besa Nikëhasani, kandidate për në KLP dhe Besim Trezhnjeva, kandidat për në KLGj, u shkarkuan nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve (KPK).

Siç kam argumentuar më parë, duket e pamundur që ndonjë nga këto institucione të formohet para verës dhe me gjasa as para fundit të vitit. Kjo do të thotë të paktën një vit pa Prokuror të Përgjithshme të pavarur, një vit pa Gjykatë Kushtetuese funksionale dhe një vit në të cilin numri i dosjeve të vonuara Gjykatën e Lartë do të vazhdojë të rritet. Ndërkohë, kur procesi i vetingut të përqendrohet në rivlerësimin e prokurorive dhe gjykatave të rretheve, ato do të paralizohen edhe nga më shumë vende të lira pune.

Nuk ka asnjë garanci se pas rivlerësimit do të mbeten mjaftueshëm kandidatë për të plotësuar të gjitha pozicionet në institucionet e reja të drejtësisë, gjë që do të kërkonte edhe një thirrje tjetër të hapur për aplikime, një raund tjetër vetingu të kandidatëve e kështu me radhë.

Por le të supozojmë se. përfundimisht, të gjithë kandidatët janë verifikuar dhe KLP, KLGj, KED dhe ILD mund të marrin funksionet e tyre të mandatuara me Kushtetutë. Kë do të emërojnë këto institucione për të mbushur numrin e madh vendeve të lira, që do të shkaktojë në vetingu në sistemin e prokurorisë dhe gjykatave?

Të emëruarit e rinj do të duhet të kenë përfunduar Shkollën e Magjistraturës, por problemi është se KLP dhe KLGJ jo vetëm që emërojnë të sapodiplomuarit, por edhe përcaktojnë numrin e vendeve të lira në Shkollën e Magjistraturës. Si rezultat, drejtori i Shkollës së Magjistraturës Sokol Sadushi pak ditë më parë, vuri alarmin jo vetëm për faktin se 16 magjistratët e diplomuar këtë vit do të mbeten pa punë, por gjithashtu dhe për faktin se shkolla nuk do të mund të pranojë aplikime të reja për 25 vendet e disponueshme gjatë vitit akademik 2018-19.

Sadushi propozon një zgjidhje për të cilën Parlamenti duhet të kalojë një “dispozitë kalimtare”, duke i lejuar 25 studentët të fillojnë në vitin e ardhshëm akademik pa miratimin e KLP-së dhe KLGJ-së. Megjithatë, kjo do të krijonte një precedent për “dispozita të tjera kalimtare nga shumica socialiste e Edi Ramës, për të “rregulluar” reformën në drejtësisë, ndërsa ajo është në zbatim e sipër. Për shembull, qeveria mund të sugjerojë një “dispozitë kalimtare” për të mbushur vendet e lira në Gjykatën Kushtetuese ose në Gjykatën e Lartë, siç ka bërë me Prokurorin e Përgjithshëm.

Por le të supozojmë se një dispozitë e tillë kalon në Parlament dhe 25 studentë do të fillojnë mësimin në Shkollën e Magjistraturës këtë vit. Kur të jenë diplomuar, ata do të duhet të mbushin qindra vende të lira në të gjithë sistemin gjyqësor. KLP dhe KLGj do të jenë në gjendje ta zbusin këtë mospërputhje duke filluar me vitin akademik 2019-20 (duke supozuar një skenar më të mirë). Këta magjistratë të rinj do të jenë në gjendje të fillojnë punën vetëm në vitin 2021.

Pra, vonesat antikushtetuese në formimin e KLP-së dhe KLGJ-së ndikojnë drejtpërdrejt në sistemin aktual gjyqësor në Shqipëri, jo vetëm përmes një prokurori të përgjithshëm të paligjshëm dhe paralizimit të gjykatave. Por, vonesat do të ndikojë, në të ardhmen e afërt, të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, funksionimin e duhur të gjyqësorit “të pavarur”, pasi të ketë përfunduar vetingu.

Dëmi i bërë nga zbatimi i dështuar i reformës në drejtësi, për të cilën BE vazhdon të këmbëngulë se ajo po ecën “sipas parashikimeve”, do të dobësojë gjyqësorin për shumë vite të ardhshme. Dhe nga një gjyqësor i dobët përfiton vetëm qeveria Rama dhe krimi i organizuar.