Turqi, opozita bashkohet, propozon kandidat të përbashkët kundër Erdogan

Turqi, opozita bashkohet, propozon kandidat të përbashkët kundër Erdogan Deputetët e partive opozitare turke

Deputetët e partive opozitare turke po ndryshojnë partitë në tentativë për të sfiduar presidentin Erdogan në zgjedhjet e parakohshme, të lajmëruara në mënyrë të papritur pak ditë më parë.

15 prej deputetëve të partisë pro-laike Partia Popullore Republikane (CHP) kanë vendosur t’i bashkohen partisë së qendrës së djathtë Iyi. CHP, e cila është partia kryesore opozitare, tha se ky vendim u mor bazuar në “prirje e parime demokratike”.

Shpallja e zgjedhjeve të parakohshme nga Presidenti Erdogan, që do të mbahen më 24 qershor, e gjeti opozitën turke në rrëmujë, teksa përpiqet të gjejë kandidatët më të fortë kundër Erdogan.

Themeluesi i Partisë Iyi Meral Aksener shihet nga opozita si kandidati më serioz kundër Erdogan, por partia nuk plotësonte kushtet për të paraqitur kandidat për president nga radhët e saj. Me bashkimin e 15 deputetëve në grupin e saj parlamentar, Partia Iyi mund të propozojë Aksener si kandidat për president.

Zgjedhjet e parakohshme, një vit përpara afatit zyrtar, po zhvillohen që të hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese të cilat u votuan në referendumin e prillit 2017.

Me mbajtjen e zgjedhjeve, Turqia kthehet në një republikë presidenciale, posti i kryeministrit eleminohet, kompetencat e parlamentit dobësohen dhe vendimmarrja praktikisht vendoset në duart e presidentit. Fitimi i zgjedhjeve do t’i jepte presidentit Erdogan fuqi absolute në drejtimin e vendit.

Lajme te ngjashme