Vetingu, KPK shkarkon gjyqtarin Trezhnjeva për fshehje të pasurisë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit KPK

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot nga detyra gjyqtarin e Apelit në Durrës Besim Trezhnjevën.

Sipas KPK-së, gjyqtari Trezhnjeva ka bërë deklarim të rremë të pasurisë dhe nuk ka mundur ta justifikojë atë.

Besim Trezhnjeva është gjyqtari i dytë që shkarkohet nga KPK. Pak javë më parë, KPK shkarkoi gjyqtarin Fatos Lulo për të njëjtën arsye: deklarim të rremë dhe mosjustifikim të pasurisë.

Deri më tani vetëm gjyqtarja Vitore Tusha e ka kaluar vetingun, ndërsa gjyqtari Besnik Imeraj dha dorëheqjen përpara se KPK të merrte një vendim për të.

Dy ditë më parë, Besim Trezhnjeva zhvilloi seancën dëgjimore me KPK-në, gjatë së cilës ky i fundit ngriti dyshimet se gjyqtari nuk ka bërë deklarim të saktë të pasurisë.

Dyshimi për fshehje të pasurisë ka ardhur prej deklarimit që Trezhnjeva ka bërë në ILDKP.

Sipas ILDKP, deklarimi i pasurisë së Trezhnjevës nuk është i saktë.

“Pas një analize të thellë të hetimit rezulton se Trezhnjeva ka kryer deklarim të rremë dhe se ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme. Nga analiza e hetimit rezulton se ka deklarime të rreme në lidhje me të ardhurat e bashkëshortes”, shkruhej në raportin e KPK-së, lexuar në fund të seancës dëgjimore.

Sipas ILDKP-së dhe KPK-së, gjyqtari nuk ka mundur të justifikojë rreth 200 milionë lekë.

Gjyqtari Trezhnjeva dhe avokati i tij mbrojtës e kanë quajtur të padrejtë vendimin për shkarkim.

Besim Trezhnjeva ishte dhe kandidat për për Këshillin e Lartë Gjyqësor, institucion që do të zëvendësojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë.