Qendrimet e Komisionerit Publik të vetingut janë të gjitha antikushtetuese Komisioni i Pavarur i Kualifikimit KPK

Të gjitha ankimimet e kryera nga Komisioneri Publik për gjyqtarët dhe prokurorët e dorëhequr janë në shkelje të afateve të përcaktuara në ligjin Nr. 84/2016 “ Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e shqipërisë”.

Komisioneri Publik deri më tani ka ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për ndërprejen e procesit të vetingut për gjykatësen Mirela Fana dhe Prokurorët Sulejman Tola dhe Adritiatik Llalla, të tre të dorëhequr nga funksionet e tyre.

Sipas ligjit Nr. 84/2016, Neni 63:

  1. Të gjitha vendimet e Komisionit ankimohen në Kolegjin e Apelimeve nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik, 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit.
  2. Ankimi depozitohet pranë Komisionit që ka dhënë vendimin, sipas nenit 46 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”.

Në ligj parashikohen edhe afatet e apelimit. Kështu në neni 48, pika 1 të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, parashikon se:

“1. Gjykata, ku është paraqitur ankimi, dërgon ankimin, së bashku me aktet që i bashkëlidhen atij, vendimin e gjyqtarit për pranimin e ankimit, aktet e komunikimit të ankimit, si dhe dosjen e gjykimit në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda 15 ditëve nga data e depozitimit të ankimit.”

Si dhe neni 67 “Rivendosja në afat e së drejtës për ankim” ku parashikohet se:

“1. Nëse subjekti i rivlerësimit ose Komisioneri Publik nuk paraqesin ankimin brenda afatit, kanë të drejtë të kërkojnë rivendosjen në afat të ankimit pranë Komisionit, brenda 15 ditëve nga data që vihen në dijeni për shkakun e humbjes të së drejtës, por jo më vonë se data e vendimit të marrë nga Kuvendi, sipas nenit 179/b, pika 9, të Kushtetutës.”

Rasti i  gjyqtares Mirela Fana dhe prokurorit të Krujës Sulejman Tola

Të dy subjektet dhanë dorëheqjen nga funksionet e tyre në bazë të ligjit të vetingut. KPK vendosi ndalimin e procesit të vetingut për to më 23 mars 2018, duke u mbështetur në:

Nenin “G” të Aneksit të Kushtetutës që parashikon se “subjekti i rivlerësimit mund të japë dorëheqjen nga detyra dhe në këtë rast procesi i rivlerësimit ndërpritet.”; dhe në nenin 56 të ligjit Nr. 84/2016 “ Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e shqipërisë”, që parashikon se “Subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të japë dorëheqjen nga detyra jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji. […] Në rastin e dorëheqjes, Komisioni merr vendim për pushimin e procedurës së rivlerësimit.”

Këto dy nene janë interpretuar dhe nga vendimi nr 78 datë 12.12.2017 i gjykatës Kushtetuese, që në paragrafin 43 shprehet:

“[…] Neni 56 i ligjit i jep mundësinë subjektit që dorëhiqet brenda afatit 3-mujor, të përfitojë pagesë kalimtare sipas parashikimeve ligjore në fuqi, mundësi të cilën nuk e përfitojnë subjektet që e japin dorëheqjen pas përfundimit të këtij afati. Gjykata thekson se për sa koë që subjekti I rivlerësimit është në detyrë dhe procesi i rivlerësimit nuk ka përfudnuar ende, ai ka të drejtën të japë dorehqejn dhe në këtë rast procesi i rivlerësimit ndërpritet, duke u zbatuar parashikimet e nenit G të aneksit të Kushtetutës.”

Në fund të vendimit të KPK-së, parashikohej se ankimimi i këtij vendimi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit duhet të bëhet brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të tij.

Por, Komisioneri Publik i regjistroi ankimimet pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit më 17 prill 2018, rreth 25 ditë pas vendimit, kur ligji parashikon se ankimimet duhet të bëhen brenda 15 ditësh. Në faqen zyrtare të Kolegjit të Apelimit nuk është bërë publike nëse ka pasur nga Komisioneri Publik kërkesë për rivendosje në afat të kërkesës për apelim të parashikuar në ligjin e mësipërm.

E njëjta situatë është paraqitur edhe në rastin e Adriatik Llallës, kundrejt të cilit Kolegji i Apelimit po shqyrton sot ankimimin e komisionarit publik ndaj vendimit të KPK për ndërprerjen e procesit të vetingut.

Pas dorëheqjes së Adriatik Llallës më 10 shkurt 2018, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), vendosi më 16 shkurt 2018, të ndërpresë procesin e rivlerësimit ndaj tij. Ky vendim u ankimuan nga Komisioneri Publik pranë KPA-së, më 27 mars 2018, 39 ditë më vonë se shpallja e vendimit dhe 24 ditë më vonë nga afati që parashikon ligji.

Pavarësisht lajmeve në media se vendimi i KP-së për ankimim të vendimit erdhi pas regjistrimit të një procedimi penal ndaj Adriatik Llallës në mars, në prokurorinë e Durrësit për  “shpërdorim të detyrës” dhe “mosdeklarim të të ardhurave”, në faqen zyrtare të Kolegjit të Apelimit nuk bëhet publik asnjë arsye për shqyrtimin e ankimit të paraqitur nga KP jashtë afateve ligjore.