Arta Marku pezullon nga detyra prokurorët Rovena Gashi dhe Dritan Gina Prokurorja Rovena Gashi

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku ka pezulluar sot nga detyra prokuroren Rovena Gashi dhe Prokurorin Dritan Gina, me arsyen e marrjes si të pandehur nga Prokuroria e Durrësit.

Sipas njoftimit të prokurorisë, ata po hetohen për deklarim të rremë të pasurisë. Prokurorja Gashi ka konfirmuar për portalin informativ Opinion.al se “nuk janë njohur me faktin e marrjes së pandehur nga prokuroria e Durrësit, as ajo dhe as bashkëshorti”.

Hetimet për prokuroren Rovena Gashi nisën pas bërjes publike të dokumentave konfidenciale që lidhen me deklarimin dhe sqarimet e pasurisë personale të prokurores Rovena Gashi, të dërguara në mënyrë ekskluzive pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK). Këto dokumente përfunduan në duart e një prej politikanëve të hetuar prej saj, Alfred Peza, pa kaluar as 48 orë nga dorëzimi i tyre në KPK.

Ish-deputeti Peza, që menaxhon portalin informativ Alpenews.al, publikoi një seri tre artikujsh (1,2,3) të cilët i referoheshin në mënyrë konfidenciale dokumentave, të cilat janë pjesë e hetimit nga institucionet e vetingut, duke sulmuar hapur prokuroren dhe duke interpretuar në mënyrë subjektive dhe përzgjedhëse dokumentet e marra.

Duket se publikimi i dosjes së Gashit nga Alfred Peza është bërë për hakmarrje personale, pasi Gashi ishte prokurorja që nisi fillimisht hetimin për çështjen e Zotit Peza. Prokurorja Gashi më pas e përcolli dosjen për hetim tek Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Alfred Peza është aktualisht nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për fshehje të të ardhurave, pastrim parash, dhe mos deklarim të pasurisë, bazuar në hetimin e ILDKPKI-së. Çështja e tij është në pritje të gjykimit në Gjykatën e Lartë.

Rovena Gashi, e cila njihet si një prej personave më të afërt të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, u shkarkua menjëherë pasi i kërkoi KQZ-së heqjen e mandatit për dy deputetë: Aqif Rakipi (PDIU) dhe Gledion Rehovica (LSI).

Shkarkimi i Rovena Gashit 

Më 29 dhjetor 2017, prokurorja Gashi u shkarkua nga detyra, në shkelje të Kushtetutës, nga Prokurorja e Përkohshme e Përgjithshme Arta Marku, vetëm pak ditë pasi kjo e fundit u emërua në mënyrë antikushtetuese nga shumica socialiste në Kuvend.

Pas shkarkimit, Prokurorja Rovena Gashi paditi në Gjykatën Administrative Kryeprokuroren e Përkohshme, Arta Marku, për shkarkim të padrejtë nga detyra, sepse pozicioni i Kryeprokurores së Përkohshme, i pa parashikuar nga Kushtetuta, ngjason për nga kompetencat me rolin e Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm, i cili nuk mund të emërojë apo shkarkojë prokurorë.