Çështja Kosovë-Serbi, nacionalistët serbë kërkojnë referendum

Nacionalistët serbë, të shqetësuar për arritjen e një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, po kërkojnë mbajtjen e një referendumi mbi këtë çështje.

Ata kanë nisur një fushatë, “Iniciativa Popullore për Kosovën” kundër arritjes së çdo marrëveshjeje që do ta detyronte Serbinë të njihte pavarësinë e Kosovës dhe të hiqte dorë nga zona e Mitrovicës.

“Është e nevojshme të ushtrohet presion social dhe të pengohet nënshkrimi i një të ashtuquajture ‘marrëveshje ligjërisht detyruese’, që do të thotë heqje dorë nga Kosova dhe Metohija”,u shpreh një prej përfaqësuesve të kësaj iniciativ për BIRN.

Ai shpjegoi se aktualisht grupi i nacionalistëve po punon për rritjen e mbështetjes mes qytetarëve dhe më pas do të fillojë me mbledhjen e 100 mijë firmave të nevojshme për ta dërguar nismën në parlamentin serb.

Nisja e kësaj fushate vjen pikërisht në kohën kur Presidenti serb Aleksandar Vuçiç po deklaron në mënyrë të vazhdueshme se ndodhet nën presionin ndërkombëtar për të gjetur një zgjidhje me qeverinë e Kosovës.

Pavarësisht se Zoti Vuçiç është shprehur se zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk është aspak e lehtë, pas një takimi me kancelaren gjermane Merkel në fund të prillit, ai tha se Serbia e Kosova kanë garancinë dhe mbështetjen e Berlinit në këtë proces bisedimesh.

Ndërkohë Vuçiç ndodhet sot në Turqi për një takim me Presidentin turk Erdogan dhe një ditë më pas do të takohet me Presidentin rus Putin. Çështja e Kosovës është një ndër çështjet për të cilat do të flitet gjatë këtyre takimeve.