Ekspertët holandezë të reformës në drejtësi i thurin lavde vetes

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Ekspertët holandezë të reformës në drejtësi i thurin lavde vetes

Pas diskutimit mbi “Reformën në Drejtësi në Shqipëri dhe Kontributin e Holandës/BE-së”, disa media shqiptare, të afërta me qeverinë, e paraqitën ngjarjen si një histori suksesi për Shqipërinë.

Një artikull i Top Channel, “Reforma në drejtësi diskutohet në Hagë, ekspertët holandezë: Modeli më i mirë” citon zëvendës drejtorin e Qendrës për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (CILC) Eric Vincken, i cili tha se “reforma ligjore në Shqipëri është e një niveli historik dhe e pashoqe. Nuk është bërë kurrë më parë”:

“Ka ndryshuar pothuajse çdo nen dhe kapitull të legjislacionit shqiptar. Gjithashtu, ne vlerësojmë miratimin në parim të marrëveshjes Eurojust nga Shqipëria dhe pjesëmarrjen e Shqipërisë në platformat e tjera ndërkombëtare duke u kthyer atë në një anëtare me të drejta të plota të ekosistemit ligjor global. Hapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të nxisë më tej qeverinë për të vijuar me reformat rrënjësore në Shqipëri.”

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila gjatë të njëjtit debat nuk ishte në gjendje të mbronte veprimet antikushtetuese të Kryeprokurores së Përkohshme, i bëri jehonë Top Channel-it (ose anasjelltas) në një nga postimet e saj në Twitter:

Por e vërteta është se asnjë nga “ekspertët” holandezë në tryezën e debatit në Hagë nuk ishte ekspert vërtet i pavarur. Të gjithë ishin punonjës të CILC, e cila është një nga organizatat partnere zbatuese të programit EURALIUS të financuar nga BE. Me fjalë të tjera, kur këta të ashtuquajtur ekspertë të pavarur po lavdëronin Reformën në Drejtësi si “revolucionare” dhe “të guximshme”, ata në fakt po vlerësonin veten dhe punën e tyre, pasi ata kanë qenë pjesë e hartimit të reformës në drejtësi.

Tavolina e “diskutimit” funksionon kështu: CILC dhe Ambasada Shqiptare në Hagë ftojnë Ministren e Drejtësisë dhe Ministrin e Punëve të Brendshme në një “debat” në Hagë. CILC pastaj lavdëron Reformën në Drejtësi, për hartimin e së cilës CILC u pagua nga BE dhe qeveria shqiptare, pastaj e përdor këtë lavdërim për të argumentuar hapjen e negociatave me BE-n. Kështu të gjithë fitojnë!

Dje, unë i dërgova me email Zëvendës Drejtorit të CILC Eric Vincken, i cili gjatë debatit shprehu shqetësime rreth ritmit të ngadaltë të vetingut, artikullin tim që shpjegon një prej arsyeve kryesore të ritmit të ngadaltë: mungesën e qëllimshme të fondeve për institucionet e vetingut nga qeveria shqiptare, Mendova se do të ishte informues dhe do t’i jepte pak kontekst çështjes për të cilën ai u duk i shqetësuar. Kjo ishte përgjigjja e tij:

“Faleminderit për mesazhin tuaj. Por ju lutem mos më fajësoni nëse nuk i përgjigjem gjerësisht raportimit tuaj gazetaresk për seminarin e djeshëm. Sipas mendimit tim, raportimit i mungojnë detajet teknike dhe ju i nxjerrni gjërat jashtë kontekstit. Për më tepër, ju bëni interpretime të ekzagjeruara dhe na akuzoni për organizimin e një takimi agjitacion-propagande. Më duhet të them se ju duhet ta shihni këtë gjë te vetja juaj. “

Mbeta paksa i befasuar nga kjo përgjigje e dikujt aq thellësisht të përfshirë në “reformën revolucionare” të drejtësisë shqiptare. Ku kam “dalë nga konteksti”? E tërë përpjekja ime  ishte t’i vendosja gjërat në kontekst: kontekstin politik dhe ligjor shqiptar, që më duket me rëndësi të madhe. Mesa duket unë paskam bërë edhe “interpretime të ekzagjeruara”, por nuk arrij ta kuptoj se ku mund ta kem bërë këtë gjë. Une jam përpjekur t’i mbështes të gjitha pretendimet e mia me deklaratat dhe veprimet e qeverisë shqiptare dhe funksionarëve të saj, të cilat janë raportuar gjerësisht nga media shqiptare.

Pretendimi i fundit, që unë “akuzoj” CILC për “organizimin e një takimi agjitacion-propagande” është ndoshta më i habitshmi. Në fakt unë u përpoqa t’i rezistoj përdorimit të fjalës “propagandë” në raportimin tim për ngjarjen, edhe pse deklaratat e ish-ambasadorit të OSBE-së dhe moderatorit të takimit Robert Bosch sigurisht që do të kualifikoheshin si të tilla (unë mund t’i publikoj me kënaqësi regjistrimet e takimit). Por hallucinimi i Eric Vincken se unë e kam akuzuar atë për “propagandë” dhe se në të vërtetë ai që bën propagandë jam unë, më dha një këndvështrim tjetër të situatës.

Në hapjen e sesionit të Pyetje dhe Përgjigjeve, e mori mikrofonin edhe Senatori holandez Sybe Schaap nga VVD-ja (partia e kryeministrit Mark Rutte). Ai i tregoi auditorit se kishte qenë në Shqipëri në të njëjtën periudhë me grupin e deputetëve hollandezë që erdhën në Shqipëri për mbledhje faktesh, por që “për fat të mirë” ai nuk i kishte ndeshur: “Mu duk më shumë si një udhëtim propagandistik”.

Ashtu si kryeministri Edi Rama, senatori Schaap vuri në pikepyetje nëse misioni holandez kishte mbledhur me të vërtetë ndonjë fakt, sepse —duke iu drejtuar “ekspertëve holandezë” në tryezë— ai tha “këta njerëz dinë se çfarë po ndodh në të vërtetë”.

Pra, në një kthesë të jashtëzakonshme të ngjarjeve, Senatori Schaap, ish Ambasadori i OSBE-së Bosch dhe Zëvendës Drejtori i CILC, Vincken, kanë adoptuar krejtësisht gjuhën e qeverisë Rama. Çdokush që ngre dyshime në mënyrë kritike ndaj rrënimit masiv që Reforma e Drejtësisë po i sjell sistemit është duke pērhapur “propagandë” dhe duke bërë “agjitacion”.

Dhe kushdo që për interesin e vet personal lëvdon reformën “revolucionare” dhe “të guximshme” në drejtësi ai përfaqëson mendimin e “ekspertëve”.

Lajme te ngjashme