Eurokomisioneri Hahn: Nuk do ketë integrim në BE pa reforma dhe zgjidhje konfliktesh

Eurokomisioneri Hahn: Nuk do ketë integrim në BE pa reforma dhe zgjidhje konfliktesh Eurokomisioneri për Zgjerim Johannes Hahn

Eurokomisioneri për Zgjerim Johannes Hahn deklaroi sërish se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të plotësojnë kushtet e reformat, pastaj mund të anëtarësohen në BE.

Duke folur në lidhje me vitin 2025, të përmendur shpesh si viti i zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit, Zoti Hahn theksoi se kjo datë është datë orientuese, por jo përfundimtare. Ai sqaroi se nëse vendet nuk reformohen dhe arrijnë standardet evropiane deri në vitin 2025, atëherë nuk do të ketë anëtarësime vetëm për hir të premtimeve lidhur me datën.

Në një intervistë me  Bernd Riegert për Deutsche Welle, pas punimeve të Samitit të Sofjes, ndër të tjera Eurokomisioneri Hahn deklaroi:

– Viti 2025 ka qenë një lloj “date orientuese”. Vendimet do të merren vetëm në takimin tonë të radhës të Bashkimit Evropian në fund të qershorit.

– Këtu bëhet fjalë vërtet për një datë të përkohshme, e cila duhet të tregojë seriozitetin dhe besueshmërinë e të gjithë procesit. Ne ndihemi të lidhur me detyrimet tona, por tani varet nga shtetet e Ballkanit që të arrijnë përparime.

– Ne kemi thënë gjithmonë qartë dhe këtë e dinë të gjithë: nuk do të pranojmë asnjë anëtar të ri, pa u zgjidhur më parë të gjitha konfliktet bilaterale.

 – Këtu në Sofje ne përqendrohemi te “konektiviteti”, pra në ato fusha, ku mund të zgjerojmë lidhjet në infrastrukturë, në sektorin e energjisë dhe në ofertat digjitale me njëri-tjetrin. Me këtë perspektivë evropiane ne ofrojmë investime shumë konkrete në infrastrukturë.

 – Ne [BE] kemi strategjinë e Ballkanit Perëndimor, të cilën e kemi publikuar në shkurt. Ajo tregon qartë një perspektivë evropiane për të gjitha këto shtete. Por ende duhet bërë shumë.

 – Disa [shtete] kanë ecur më shpejt se të tjera, të gjithë kanë bërë përparime. Një aspekt shumë i rëndësishëm është që këto shtete të përgatiten për një anëtarësim të ardhshëm në BE edhe në infrastrukturë.

 – Ne po punojmë për një zonë rajonale të tregtisë së lirë, që do t’u mundësojë shteteve që të kenë marrëdhënie më të mira tregtare me njëra-tjetrën.

 – Synimi është që të rritet rendimenti ekonomik i të gjithë kandidatëve, që ata të bëhen më solidë dhe rezistencë dhe më të aftë për konkurencë në Evropë.

Lajme te ngjashme