Fatmir Xhafaj në 2017-ën mohonte krimet e të vëllait

Ministri Xhafaj pranoi dje, pas publikimit të provave nga Partia Demokratike, se vëllai i tij është përfshirë në trafik ndërkombëtar droge dhe se është dënuar për këtë nga gjykata italiane.

I gjendur përballë provave, Ministri Xhafaj gjithsesi tha se ngjarjet për të cilën vëllai i tij akuzohet janë të shumë viteve më parë dhe nuk kanë pse të ndikojnë në karrierën e tij politike.

Por vetëm pak muaj më parë, në shtator 2017, Ministri Xhafaj akuzonte Partinë Demokratike se pa pasur asnjë provë dhe fakt, hidhte baltë mbi të dhe vëllain e tij për shkak të detyrës.

Duke folur nga Kuvendi, Xhafaj pretendonte se për dënimit e vëllait të tij nuk ka asnjë provë, pasi nëse do të kishte pasur, Partia Demokratike duhet ta kishte gjetur gjatë muajve kur drejtoi ministritë teknike në vitin 2017.

Ministri Xhafaj, më 12 shtator 2017:

“Nga maji, ju opozitarët u bëtë pushtetarë, në dy ministritë kryesore të ligjit, në atë të Brendshme dhe në atë të Drejtësisë, […] të dyja ministritë ku janë faktet dhe provat kombëtare dhe ndërkombëtare, nëse ka të tilla.

Çfarë bëtë ju këto katër muaj? Si nuk gërmuat e t’i zbulonit gjanëm? Ku kishte rast më të mirë se sa të më kryqëzonit me fakte dhe prova.”