Saimir Tahiri vendoset nën arrest shtëpiak

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur sigurimin me “arrest shtëpie” për ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Saimir Tahiri akuzohet për “ Trafikimin e narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, e parashikuar në nenet 283/a dhe 333/a, në lidhje me nenin 28 të Kodit Penal dhe, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, e parashikuar në nenin 260 të Kodit Penal.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar sot arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe burgosjen e tij deri në fund të hetimeve, por gjykata ka favorizuar Tahirin duke miratuar vetëm arrest shtëpie. Exit.al e paralajmëroi këtë kërkesë të prokurorisë.

Saimir Tahiri akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike.

Pak ditë më parë, ai dorëzoi mandatin e deputetit, duke i hapur rrugë prokurorisë për arrestimin e tij.

Dorëheqja e Tahirit erdhi pas presionit të qeverisë dhe parlamentin gjerman ndaj Kryeministrit Rama, si kusht për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në.

Një historik i shkurtër i çëshjes Habilaj-Tahiri

Fillimisht, akuzat ndaj Saimir Tahirit si bashkëpunëtor me vëllezërit Habilaj u bënë nga Dritan Zagani, ish-punonjës i shërbimit anti-drogë në policinë e Fierit dhe më parë punonjës i policisë kufitare në Vlorë.

Në 2015-ën, Zagani akuzoi se Tahiri kishte vënë në dispozicion të tyre makinën e tij, tashmë të famshme, audi me targë AA003GB, me të cilën Habilajt kryenin trafikun e drogës drejt Greqisë, duke qenë se policët kufitarë nuk guxonin të kontrollonin makinën personale të ministrit të tyre.

Më 16 tetor 2017, në Itali u arrestuan Moisi Habilaj, së bashku me anëtarë të tjerë të bandës, të njohur më parë për publikun për shkak të akuzave publike ndaj tyre për trafik droge në drejtim të Greqisë dhe Italisë.

Nga hetimet e prokurorisë së Katanias, u zbuluan prova për përfshirjen e ish-ministrit të Brendshëm Tahiri në organizatën kriminale të vëllezërve Habilaj.

Në 19 tetor, Prokuroria e Krimeve të Rënda i paraqiti kërkesë Kuvendin për heqjen e imunitetit të deputetit Tahiri, që më pas do t’i hapte rrugë arrestimit të tij.

Më 25 tetor 2017, Kuvendi rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për lejimin e arrestimit të deputetit Saimir Tahiri.

Pas këtij vendimi të Kuvendit, një sërë ngjarjesh kriminale pasuan çështjen Tahiri.

Më 26 tetor, Prokuroria kontrolloi banesën e Saimir Tahirit.

Më 27 tetor, Saimir Tahiri u pyet për rreth dy orë nga Prokurorët e Krimeve të Rënda mbi lidhjet me grupin kriminal të Habilajve.

Më 31 tetor, Saimir Tahiri largohet nga Kreu i PS-së së Tiranës dhe nga Koordinator i bashkëqeverisjes së qeverisë me qytetarët.

Më 1 nëntor, gjatë një lidhje telefonike për ‘Neës24’, gazetari i ‘Meridioneës’ Dario De Luca që publikoi dosjen e përgjimeve të grupit “Habilaj” tha se nga hetimet e deritanishme në përgjimet e grupit kriminal bëhet fjalë për ish-ministrin e Brendshëm Tahiri.

Më 1 nëntor u arrestua Orest Sota, pasi nuk zbatoi urdhërin e Policisë së Elbasanit për qendrim në postobllok. Biznesmenit 25 vjeçarë, policia i gjeti 800 mijë euro edhe dy lejet për drejtim të mjeteve lundruese të tonazhit 20 deri 100 ton në emër të ish- Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Sota tha në polici se paratë i kishte me vete pasi do të blinte hekur te kompania ‘Kurum’. Deklaratat e tij u hodhën poshtë nga Kompania Kurum. Përfaqësues të Kurumit, thanë se  transaksione të tilla nuk bëhen asnjëherë me para në dorë por me bankë.

Ndërsa, për patentat e Saimir Tahirit, Sota u shpreh se i ka harruar shoferi i Zotit Tahiri në makinën e tij.

Firma e Orest Sotës “ECO CONSTRUCTION & PARTNERS” e themeluar në vitin 2015 ka rikonstruktuar Komisariatin Nr. 6 të Policisë në Tiranë, zonës elektorale e Saimir Tahirit, kur drejtonte Partinë Socialiste. Sota është djali i biznesmenit Lefter Sota dhe nipi i Kapitenit të RENEAS Vasillaq Sota.

Por në lidhje me këtë çështje, deputeti Tahiri nuk doli asnjëherë të sqarojë publikisht arsyen pse patentat e tij u gjetën në makinën e biznesmenit 25 vjeçar Orest Sota.

Më 7 nëntor 2017, gazetari Basir Collaku publikon faktin se makina në të cilën qarkullonte Sota është në pronësi të biznesmenit të ndërtimit Armando Lilo. Firma e të cilit aktualisht po ndërton në lulishten tek ish-Parku i Autobuzave një kompleks banimi dhe shërbimi.

Më 15 nëntor, Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u largua në Gjermani, pavarësisht vendimit të Kuvendit për ndalim të daljes jashtë vendit. Avokati i tij nuk kishte dijeni për këtë udhëtim.