Itali, kriza aktuale politike është përtej çdo parashikimi Ekonomisti Carlo Cottarella pas takimit me presidentin italian Mottarella

Vendimet e presidentit italian për të mos pranuar qeverinë e propozuar nga LegaNord dhe Lëvizja 5 Yjet (M5S) dhe kërkesa ndaj ekonomistit Carlo Cottarelli, që të formojë një qeveri teknike, janë hapat e parë drejt zgjedhjeve të parakohshme, vetëm dy muaj pas zgjedhjve të përgjithshme.

Në Itali është bërë tashmë një dukuri normale zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme dhe ndryshimi i qeverive e kryeministrave pa mbaruar mandatin, megjithatë kriza aktuale politike është jashtë çdo parashikimi dhe e jashtëzakonshme dhe sipas standardeve italiane.

Shumë ekspertë italianë shprehen se zgjedhjet e ardhshme do të jenë de facto referendum nëse Italia do të mbetet në eurozonë apo jo.

Çfarë mund të vijë më pas:

Një mozaik populist

zgjedhjet e përgjithshme të 4 marsit, asnjë parti nuk mundi të fitonte shumicën e nevojshme për të formuar qeveri e vetme. Lëvizja 5 Yjet (me rreth 31 për qind të votave) dhe LegaNord (me rreth 17,5 për qind të votave) lanë mënjanë rivalitetin dhe filluan të hartonin një platformë të përbashkët qeverisjeje.

Mbrëmjen e të dielës, pasi LegaNord dhe Lëvizja 5 Yjet kishin propozuar qeverinë e tyre, Presidenti Sergio Mattarella nuk e pranoi emrin e Paoli Savonas si Ministër i Financave dhe Ekonomisë. Paolo Savone njihet për qendrimet e tij anti-evropiane dhe anti-euro.

Duke përdorur si argument shqetësimet e investitorëve, Presidenti Mattarella tha se nuk mund ta mandatonte qeverinë e re nëse brenda saj është dhe Paolo Savona.

Qeveria e përkohshme

Pas refuzimit të kabinetit qeveritar, president thërriti Carlo Cottarellin, ish-zyrtarin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, për të diskutuar formimin e një qeverie të përkohshme deri në zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Cottarelli premtoi të mbledhë sa më shpejt një kabinet qeveritar. Sapo Mattarella të miratojë ministrat e propozuar, qeveria e re mund të betohet brenda ditës.

Kryeministri i ngarkuar premtoi se qeveria e tij “neutrale” do të garantojë menaxhimin e “kujdesshëm” të borxhit publik të Italisë, i dyti më i lartë në Europë pas Greqisë.

Carlo Cottarelli theksoi se roli i Italisë në Bashkimin Evropian është thelbësor, ashtu siç është dhe qëndrimi në zonën e monedhës euro.

Por pas betimit, çdo qeveri e re në Itali përballet me një mocion të detyrueshëm besimi në secilën dhomë të parlamentit. LegaNord e Lëvizja 5 Yjet, të cilët së bashku kanë pak më shumë se gjysmën e vendeve në parlament, kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin qeverinë e Cottarellit.

Nëse qeveria e re nuk merr votat e nevojshme në parlament, Cottarelli deklaroi se do të fillojë punën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme pas gushtit.

Ndërsa nëse qeveria merr votëbesimin, ai tha se do të qeverisë deri në fund të vitit, për të miratuar dhe buxhetin e vitit të ardhshëm. Në këtë rast, zgjedhjet do të zhvillohen në fillim të vitit 2019.