Kryebashkiakja e Sarandës Koka paditet sërish për shpërdorim detyre

Kryebashkiakja e Sarandës Koka paditet sërish për shpërdorim detyre Florjana Koka

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka paditur në prokurori kryebashkiaken dhe ish-kryebashkiakun e Sarandës, Florjana Koka dhe Edmond Gjoka.

Zonja Koka dhe Zoti Gjoka akuzohen për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh” për dhënien e lejeve të ndërtimit.

Bashkë me dy kryebashkiakët, është paditur dhe ish-drejtori i Urbanistikës Panajot Gunari.

Sipas njoftimit zyrtar të IKMT-së, padia është bërë për një kompleks në zonën bregdetare pranë Kanalit të Çukës:

“Zyrtarët janë përgjegjës për miratimin në kundërshtim me ligjin, të lejes së ndërtimit në favor të firmës “Daed” sh.p.k dhe zgjatjen e afatit të kësaj leje për objektin “Kompleks multifunksional” në zonën bregdetare, pranë Kanalit te Çukës.”

Florjana Koka erdhi në krye të Bashkisë Sarandë në vitin 2015, nën siglën e Partisë Socialiste.

Një vit më parë, ajo është paditur në prokurori për të njëjtën vepër, sërish akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe shkaktimin e një dëmi prej 1 milionë dollarësh në buxhetin e shtetit.

Në 2017-ën, kallëzimi u bë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili nga auditimi ka gjetur shkelje në tenderimet publike, likujdimin e pagesave për punë dhe investime të pakryera.

Lajme te ngjashme