Kryeministri Rama nën hapat e Erdoganit: FETO, rrjet i rrezikshëm terrorist

Kryeministri Rama nën hapat e Erdoganit: FETO, rrjet i rrezikshëm terrorist

Kryeministri Edi Rama zbuloi për herë të parë në publik qëndrimin e tij  ndaj organizatës Feto të klerikut turk në mërgim Fetullah Gylen, duke e quajtur atë “organizatë kriminale”.

Gjatë një intervistë me Ilva Taren, të hënën në mbrëmje, Kryeministri Rama u shpreh:

Unë di të them që ai rrjet që organizoi përmbysjen me dhunë të një qeverie të zgjedhur në Turqi është një rrjet i rrezikshëm. Kur vjen puna tek Shqipëria, në sigurisht që njerëz të cilët supozohen të lidhur me atë rrjet i mbajmë në vëzhgim.

Kryeministri Rama ka mbështetur kështu qëndrimin e presidentit turk Erdogan, i cili e konsideron predikuesin Gylen dhe organizatat e lidhura me të si organizator të grushtit të dështuar të shtetit të korrikut 2016, edhe pse ai nuk ka ofruar prova të qarta për këtë lidhje.

Pas grushtit të shtetit, Erdogan ndërmori një fushatë masive arrestimesh dhe dënimesh të të gjithë atyre që ai i konsideroi pjesëmarrës apo mbështetës të grushtit të shtetit. Janë arrestuar 40 mijë persona, janë shkarkuar më shumë se 140 mijë punonjës në adminsitratën publike, janë shkrirë 1500 grupe civile, janë mbyllur më shumë se 160 media dhe gazeta. Mes të arrestuarve janë edhe  150 gazetarë.

Shënjestra kryesore e sulmit të Erdogan ka qenë organziata Feto dhe çdo kush që konsiderohet i lidhur me të. Përpjekjet e tij për shkatërrimin e organizatës dhe arrestimin e anëtarëve të saj janë shtrirë edhe jashtë Turqisë. Turqia ka hartuar lista me anëtarë të supozuar të FETO-s në shumë vende dhe ka kërkuar nga qeveritë përkatëse arestimin ose përzënien e tyre.

Muajin e kaluar në Kosovë u arrestuan 6 pedagogë turq, drejtues të institucioneve arsimore të akuzuar si anëtarë të organizatës FETO.

Në nëntor 2016, Ministria e Arsimit e Shqipërisë miratoi kërkesën e Ambasadës turke për ndalimin në institucionet arsimore jopublike në Shqipëri përdorimin e emërtimeve dhe simboleve turke. Kërkesa e ambasadës kishte në shënjestër rrjetin e kolegjeve turke në Shqipëri të cilat janë nën pronësinë e organziatës Feto.

Deklarimi i Kryeministrit Rama mund të parathotë fundin e pronësisë së rrjetit Gylen të këtyre kolegjeve duke çuar ose në mbylljen e tyre ose detyrimin për shitjen e kolegjeve tek organizata të tjera.

Lajme te ngjashme