Kryeministri Rama sulmon dhe tall deputetët hollandezë

Kryeministri Rama sulmon dhe tall deputetët hollandezë

Në një fjalim të mbajtur sot në Ditën e Europës, Kryeministri Rama sulmoi dhe përqeshi delegacionin shumëpartiak parlamentar hollandez, i cili vizitoi Shqipërinë në fillim të javës me qëllim hartimin e një opinioni për parlamentin hollandez në lidhje me hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Kryeministri Rama u shpreh se deputetët hollandezë e bëjnë për të qeshur, duke e quajtur jo serioz misionin e tyre për të mbledhur fakte. Njësoj si në rastin e thuajse çdo zëri kritik europian ndaj qeverisjes së tij, edhe këtë herë Kryeministri Rama ka aluduar se qëndrimet skeptikë të deputetëve holandezë janë për shkak të ndikimit tek ta të Lulzim Bashës.

Në fjalën e tij, kryeministri u shpreh:

“Më vjen për të qeshur kur vijnë delegacione me “fact-finding”, vijnë në mëngjes dhe ikin pasdite, për të mbledhur fakte. Më takojnë mua, takojnë disa deputetë, takojnë edhe mikun tim të shtrenjtë me të cilin na bashkon, sigurisht në rrugë të ndryshme, dashuria për Holandën, Lulzim Bashën dhe largohen dhe mbledhin fakte. Çfarë lloj faktesh mund të mblidhen brenda gjysmë dite[…]!”

Ndërkohë kryeministri ka vlerësuar dhe glorifikuar Komisionin Europian, i cili sipas tij, ndryshe nga deputetët hollandezë, ka kompetencë për të mbledhur dhe gjykuar fakte. Akoma më absurd është pretendimi i kryeministrit se politikanët e vendeve Europiane nuk duhet të gjykojnë raportin e Komisionit por ta marrin atë pa vertetim:

…[N]dërkohë që Komisioni Europian është një ushtri ekspertësh dhe burokratësh të panumërt, që hanë fakte, pinë fakte, flasin fakte dhe dëgjojnë vetëm fakte! Si mundet të kontestohet, apo të thellohet raporti i kësaj ushtrie që është në terren çdo ditë, duke bërë fluturime gjysmë ditore, për të mbledhur fakte në takime me 5 politikanë!

Por Kryeministri Rama nuk është ndalur me kaq. Ai ka sulmuar Hollandën duke e bërë atë fajtore për marijuanën e kultivuar në Shqipëri dhe duke u dhënë leskione parlamentarëve hollandezë se për çfarë duhet ta gjykojnë qeverisjen e tij:

…[D]o t’i thoja kolegut holandez që nëse është njollë e zezë mbjellja e hashashit, e vetmja në Shqipëri, fara vjen nga Hollanda, teknologjia është në Holandë, tregu është në Holandë se është e ligjëruar dhe unë nuk akuzoj Hollandën që është vendi i BE, por kam të drejtën të mos më identifikojnë mua si vend me këto, por të më vlerësojë por të më vlerësojë për përpjekjet që unë bëj dhe rezultatet e arritura si rezultat i zbatimit të ligjit deri tek vetingu për ta përvëluar këtë fenomen negativ për vendin tonë për përpjekjet që unë bëj dhe rezultatet e arritura si rezultat i zbatimit të ligjit deri tek vetingu për ta përvëluar këtë fenomen negativ për vendin tonë”.

Është e qartë se Kryeministri kërkon që ta reduktojë krimin në Shqipëri vetëm tek marijuana, e cila tashmë nuk kultivohet më në mënyrë masive sa në periudhën 2014-2017, ndërkohë që tashmë Shqipëria është bërë një pikë kyçe e shpërndarjes së kokainës dhe heorinës në Evropë.

Në mënyrë ironike sulmin ndaj parlamentarëve të Hollandës, një nga gjashtë vendet themeluese të BE-së në vitin 1957, kryeministri e bëri pikërisht në ditën e Eruopës dhe për më tepër, 9 maj, dhe madje në prani të Ambasadores së BE-së Romana Vlahutin.

Kryeministri Rama pak ditë më parë sulmoi kryetarin e Komisionit të Çështjeve Europiane në Bundestag Gunther Krichbaum dhe disa deputetë të tjerë gjermanë që janë skeptikë për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Ndërkohë, mediat pranë tij zhvilluan një sulm të koordinuar në karakter ndaj Krichbaum duke e akuzuar atë si agjent rus dhe si të përfshirë në trafik fëmijësh. Këto sulme ngjallën një reagim të ashpër nga deputetët e Bundestagut të cilët i kërkuan llogari Ramës gjatë takimeve që ai zhvilloi gjatë vizitës së tij të fundit në Gjermani.

Lajme te ngjashme