Lista e barnave të rimbursueshme, përse po protestojnë farmacistët? – Exit shpjegon

Ditët e fundit, farmacistët shqiptarë kanë pezulluar punën dhe kanë protestuar për zgjidhjen e problemeve me listat e barnava të rimbursueshme nga shteti.

Por çfarë dihet deri më tani për këtë çështje?

Më 5 maj 2018, në mungesë të plotë informacioni nga institucionet, farmacistët marrin në dorë listën e re të barnave të rimbursueshme nga shteti.

Dëmi financiar

Urdhëri i Farmacistit (UF) menjëherë reagoi duke deklaruar se rinovimi i listës së barnave pa lajmërim ka shkaktuar dëm të madh financiar tek farmacistët, pasi ata mund të kenë pasur stok të një ilaçi të blerë me çmimin e plotë, ndërkohë tani i njëjti ilaç mund të jetë bërë pjesë e listës së rimbursueshme dhe shitet automatikisht me një çmim më të lirë.

Që prej vitit 1995, kjo është hera e parë që lista e barnave të rimbursueshme refuzohet nga farmacistët. Kjo sepse në vitet e mëparshme diskutimi për listën dhe më pas futja e detyrueshme e saj bëhej në një afat kohor prej të paktën një muaji, duke i dhënë kohë farmacistëve të rregullojnë stoqet e barnave.

Lista e re është e njejta me atë të vitit 2017, por që për shkak të debateve të shumta politike nuk u miratua. Farmacistët janë shprehur vazhdimisht se i gjithë porcesi është bërë pa transparencë dhe diskutim, dhe se lista ka si qëllim jo të mirën e shëndetit publik, por klientelizmin.

Përveç dëmit financiar nga ndryshimi i çmimit, farmacistët tregojnë se për një sërë barnash të shtrenjta, ka ndryshuar kodi i referencës duke bërë që sistemi të mos i njohë e automatikisht të mos lejojë rimbursimin e tyre. Sipas farmacistëve kjo vjen për dy shkaqe: afati kohor i pamjaftueshëm për të bërë ndryshimet në sistem dhe paaftësia e ekipit që ka hartuar listën e re dhe ka bërë ndryshimet e panevojshme të kodeve të referencës.

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm dhe Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), përmes një deklarate të kreut të saj Eduard Ahmeti, përgënjeshtëroi pretendimet e farmacistëve duke thënë se ndryshimet në listë janë diskutuar më parë me grupet e interesit.

Gjithsesi, kur u pyet nga gazetarët se kush mban përgjegjësi dhe kush paguan për dëmet ekonomike të farmacistëve, Zoti Ahmeti nuk dha përgjigje.

Probleme të tjera në kontratën me farmacistëve dhe FSDKSH

Përveç problemeve me listën e barnave, farmacistët kanë kundërshtuar dhe elementë të tjerë të kontratës me FSDKSH që janë futur për herë të parë këtë vit në kontratë.

Për shembull, sipas kontratës së re, nëse një farmaci ka procese gjyqësore me Fondin, nuk mund të rinovohet kontrata deri në përfundim të procesit gjyqësor. Pra nëse FSDKSH i ka vënë një farmacisti një gjobë; farmacisti mendon se gjoba është e padrejtë dhe e dërgon çështjen në gjykatë administrative, ky farmacistë nuk mund të rilidhë kontratën me Fondin deri në përfundim të procesit.