PD publikon përgjimet: Agron Xhafaj vazhdon trafikun e drogës nga Vlora

Partia Demokratike publikoi sot prova se vëllai i ministrit Xhafaj vazhdon ende të organizojë operacione për trafikun e lëndëve narkotike nga Vlora.

Në një deklaratë për shtyp, deputetët Enkelejd Alibeaj, Ervin Salianji e Gazmend Bardhi, bënë publik një përgjim audio ku dëgjohet Agron Xhafaj teksa rregullon një ngarkesë droge për një nga ish-bashkëpunëtorët e tij të mëparshëm.

Në bisedën telefonike dëgjohet ish-bashkëpunëtori, i cili ka dalë nga burgu në Itali, i kapur si pjesë e bandës së Xhafajt, që ka ardhur në Shqipëri dhe i kërkon Agron Xhafajt ta ndihmojë për “të bërë një rrugë”, sepse ka mbetur pa para.

Agron Xhafaj e drejton tek një person i quajtur “Ermal”, që sipas tij është “shoku i ngushtë i Agronit”.

Më pas Agroni i thotë ish-bashkëpunëtorit të mos e shqetësojë shumë pasi “ata në Itali janë zbërthyer” dhe se po i sulmojnë shumë, atë dhe të vëllanë Fatmir Xhafajn.

Gazmend Bardhi, gjatë deklatës për shtyp, tha se Ministri Xhafaj i siguron vëllait trafikant droge mbështetjen e Policisë së Shtetit.

Ndërsa deputeti Enkelejd Alibeaj renditi tre shkelje të ligjit që Fatmir Xhafaj ka bëre për të mbrojtur vëllain e tij, të dënuar në Itali.

1-Agron Xhafaj nuk e vuan dënimin, nuk bën asnjë ditë burg sepse Fatmir Xhafaj nuk përmbush përgjegjësitë ligjore të Ministrit të Brendshëm si të verifikojë dhe identifikojë identitetin e ri të Agron Xhafaj.Të njoftojë autoritetet italiane për vendodhjen e tij, ta arrestojë dhe ta burgosë atë.

2- Fatmir Xhafaj nga pozicioni si kryetar i komisionit të ligjeve fallsifikoi dokumentet zyrtare për të pamundësuar me ligj ekstradimin e vëllait të tij, Agron Xhafaj. Fallsifikimi pamundësoi edhe vuajtjen e dënimit në Shqipëri të Agron Xhafaj i dënuar me vendim të formës së prerë me 7 vjet e 2 muaj burg për trafik ndërkombëtar droge.Kështu nuk bën asnjë ditë burg.

3- Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj nuk zbaton ligjin antimafia dhe pengon që ligji të veprojë ndaj tij dhe Agron Xhafaj. Aktiviteti kriminal i trafikut të drogës që ka kryer vëllai i Ministrit të Brendshëm e bën automatikisht atë subjekt të ligjit, vetë Ministrin Fatmir Xhafaj.