Policia private e Saimir Tahirit

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë dje në pyetje Orges Liperin, pronarin e ligjshëm të skafit me të cilin ka udhëtuar Tahiri për në Greqi.

Sipas deklaratës së tij, Orges Liperi e ka blerë skafin në Itali, paratë për të cilin nuk dihet se ku janë marrë. Skafi është blerë për llogari të Roni Shqopës, ish-drejtor i shtëpisë së pushimit nën varësinë e Ministrisë së Brendshme, me qëllim përdorimin e skafit nga ish-ministri Tahiri.

Drejtori Roni Shqopa, gjithashtu ka ndërmjetësuar në blerjen e skafit midis Liperit dhe një shtetasi italian.

Liperit ka deklaruar gjithashtu se faturat e rregullimit të skafit të prishur të ankoruar në Brindizi, me vlerë 30 mijë euro, janë paguar ngaRoni Shqopa dhe Boge Budini, ish-drejtor i policisë Kufitare Durrës.

Roni Shqota dhe Boge Budini  janë dy punonjës të tjerë policie që i shtohen listës së policëve që i kanë shërbyer privatisht ish-ministrit Tahiri dhe bandës së vëllezërve Habilaj.

Po ashtu, sot u bënë publike dhe detaje nga dosja hetimore se si një tjetër polic, Naim Brahimaj, ka punuar privatisht për nevoja e ish-ministrit Tahiri dhe bandës Habilaj.

Në gusht 2014, Naim Brahimaj dhe Artan Habilaj kanë takuar Saimir Tahirin në Greqi dhe kanë marrë skafin e tij të prishur për ta dërguar në Itali. Naim Brahimaj ka qenë ish-shofer dhe komandant skafi pranë repartit “Delta Force”. Aktualisht, ai është inspektor në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Durrës.

Në 2017-ën të tjerë drejtues të lartë të policisë u morën në pyetje për veprime ose mosveprime në favor të Habilajve dhe Tahirit.

Kështu në 11 nëntor 2017, Prokuroria e Krimeve të Rënda mori në pyetje Edi Merkajn, Drejtorin e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Policinë e Shtetit.

Prokuroria dyshon se Shërbimi i Çështjeve të Brendshme ka dekonspiruar aksionin dhe kanë lejuar arratisjen e tre drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit: Jaerd Çelës, ish-drejtori i policisë së Vlorës; Gjergji Kohilës, shefi i sektorit të luftës kundër krimit të organizuar në drejtorinë e Qarkut Vlorë; dhe Sokol Bodes ish-kreu i policisë kufitare të Dhërmiut.

Në fillim të nëntorit 2017, u shpallën në kërkim nga policia për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike në mbështetje të grupit të organizuar kriminal të vëllezërve Habilaj grupi i strukturuar i drejtuar nga Jeard Çelaj, ish-shef i Policisë në Vlorë ku bënin pjesë Alban Çelaj, ish-shefi i Policisë Shkodër; Gjergji Kohila, shef i krimeve Vlorë; Sokol Bode, ish-shef i Policisë Kufitare Dhërmi dhe Enkeled Greku, ish-drejtor i Postës së Policisë Selenicë.

Deri më tani, nga përgjimet e dosjes Habilaj dhe dëshmitë e personave të përfshirë në hetim në Shqipëri, 11 funksionarë të shtetit ndër to Saimir Tahiri dhe deputetja Elona Gjebrea dhe 9 punonjës të lartë të policisë janë nën akuzë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda sepse me veprimet ose mosveprimet e tyre kanë lejuar që grupi kriminal Habilaj të funksionojë.