Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Rama i tregon deputetëve holandezë vetëm gjysmën e së vërtetës Deputetët holandezë gjatë vizitës në Tiranë

Një delegacion deputetësh për mbledhjen e fakteve nga Parlamenti hollandez mbërriti në Tiranë për të mbledhur të dhëna në lidhje me përparimin e vërtetë të Shqipërisë pas publikimit të progres-raportit nga Komisioni Evropian. Exit.al ka marrë materialin që qeveria shqiptare i ka dhënë delegacionit prej shtatë deputetësh hollandez, mes të vilëve kishte dhe përfaqësues nga të katërta partitë e koalicionit qeverisës.

Sikurse mund të ishte e pritshme, të dhënat ishin përzgjedhur për të projektuar një imazh pozitiv të përpjekjeve të qeverisë Rama, duke mbuluar me llustër të gjitha problemet që lidhen me pesë kriteret kyçe të vendosura më parë nga Progres Raporti.

Reforma në drejtësi

Së pari, në dokument shkruhet se “zbatimi i procesit të vetingut filloi më 18 janar të viti 2017”. Është e paqartë se kur procesi ka nisur si datë, por është fakt se institucionet e vetingut u krijuan vetëm në qershor të vitit 2017, zyrat e tyre u ndërtuan plotësisht në tetor, dhe dosjet e para u zgjodhën përmes shortit në nëntor 2017.

Sikurse e kam argumentuar më parë, vonesat e shumta të krijuara në procesin e vetingut sollën emërimin e një Prokuroreje të Përkohshme të Përgjithshme në mënyrë antikushtetuese dhe paralizimin e institucioneve të reja të drejtësisë të përcaktuara në Kushtetutë.

Në dokumentin e shpërndarë tek deputetët holandezë, qeveria deklaron se “ka rritur buxhetin, burimet njerëzore dhe mbështetjen logjistike për institucionet e vetingut” në shumën e 4 milionë eurove për vitin 2017.

Këto shifra janë të vështira për tu vërtetuar, sepse alokimet e buxhetit të shtetit vendosen nga Këshilli i Ministrave dhe jo nga Parlamenti, por ne e dimë që në shtator të vitit 2017 qeveria në fakt nuk pranoi të plotësonte kërkesat e institucioneve të vetingut dhe partnerëve të tyre ndërkombëtarë për rritje të buxhetit dhe personelit, duke ulur personelin dhe buxhetin e tyre me rreth 40 për qind.

Si rezultat, sikurse është vënë re edhe nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, se procesi i vetingut po ecën shumë më ngadalë nga sa ishte parashikuar, që është një kërcënim i vërtetë ndaj të drejtave të njeriut në Shqipëri, përfshirë të drejtën për një gjyq të drejtë dhe në përputhje me afatet kohore.

Lufta kundër krimit të organizuar

Sikurse mund të jetë e qartë nga lumi i pandërprerë i raporteve të huaja, krimi i organizuar shqiptar është në rritje në të gjithë Evropën, kryesisht si rezultat i përfitimeve të mëdha të marra nga kultivimi dhe trafikimi i kanabisit në periudhën 2014 – 2017.

Ky ishte një biznes fitimprurës i cili kapi nivelet e larta të qeverisë, prova e kësaj ëshët hetimi penal i nisur ndaj ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, dhe ndaj disa prej drejtuesve të Policisë së Shtetit. Si rezultat, Shqipëria është eksportuesi numër një i kanabisit në Evropë dhe ka numrin më të lartë të përdoruesve të kokainës për frymë.

Pavarësisht kësaj, Kryeministri Rama deklaroi se “institucionet italiane të zbatimit të ligjit treguan vitin e kalaur se trafikimi i drogës ëshët ulur ndjeshëm”. Ndoshta Rama po i referohet raportit të hamëndësuar të Guardia di Finanzia, që gjithashtu në raportin e vitit 2016 raportoi se në vitin 2016 është shkatërruar 99.8 përqind e kultivimit të kanabisit. Ky raport rezultoi më vonë të ishte i rremë.

Ndërkohë një përmbledhje e shkurtër për arrestimet e shqiptarëve në botë është e mjaftueshme për të përgënjeshtruar deklaratën se “trafiku i drogës ëshët ulur ndjeshëm”.

Në materialin për deputetët holandezë, qeveria është përpjekur të kundërshtojë këtë realitet shqetësues duke paraqitur të dhëna të paverifikueshmë për numrin e vrasjeve.

Nuk ka asnjë lidhje ndërmjet përhapjes ndërkombëtare të krimit shqiptar dhe numrit të vrasjeve në Shqipëri, dhe mbi të gjitha grafiku nuk jep asnjë të dhënë për suksesin e qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar.

Lufta kundër korrupsionit

Sërish materiali i qeverisë paraqet në pjësn më të madhe të dhëna të parëndësishme, duke treguar një rritje të numrit të personave që marrin dënime përfundimtare për akuzat për korrupsion.

Pjesa më e madhe e këtyre dënimeve janë për punonjës të nivelit të ulët, ndërsa korrupsioni në majën e qeverisë po lulëzon më shumë se kurrë.

Komisioni i prokurimeve publike, i kontrolluar direkt nga Kryeministri Rama, në mënyrë të qendrueshme ka dhënë tendera për një grup të vogël të ashtuquajturish oligarkë, përmes procedurave në shkelje të frymës dhe ligjit të prokurimeve publike.

Koncesione prej miliona eurosh të dhëna nga qeveria vitin e kaluar treguan se përfituesit e vetëm në këto skema janë koncesionarët që paguhen në kurriz të  taksapaguesve shqiptarë dhe si Banka Botërore, ashtu dhe FMN kanë paralajmëruar qeverinë Rama për rrezikun e koncesioneve afatgjata.

Materiali citon edhe raportin e vitit 2018 Freedom House. Ne kemi dhënë citime të tjera nga ky raport:

“Kontrolli i plotë i Kryeminsitrit Rama mbi Partinë Socialiste dhe shumica e tij e fortë në parlament, e bashkuar me kontroll të fortë mbi ekzekutivin, mund të rrisin prirjen për regjim autokratik që mund të sjellë edhe institucione të tjera nën kontrollin e kryeministrit”.

Reforma administrative

Një raport i publikuar kohëve të fundit, i mbështetur nga BE dhe OECD, tregon se nuk është bërë asnjë përparim në profesionalizimin e administratës publike dhe se reforma e zbatuar gjatë mandatit të parë të Ramës ka qenë një dështim i plotë.

Për të kundërshtuar gjendjen e dëshpëruar të administratës publike, Kryeministri Rama përdori projektin e tij të preferuar, platformën e tij të bashkë-qeverisjes, ose siç e quan në fletushkën, “E-Participation”: “Që nga tetori i vitit 2017 kemi zhvilluar një platform qeverisje dixhitale për ndërveprimin me qytetarët “. Kryeministri harron të përmendë se nuk ka asnjë bazë ligjore për këtë platformë, e cila anashkalon institucione kushtetuese si Avokati i Popullit dhe nxit një klimë nepotizmit, duke i bërë ministritë drejtpërsëdrejti përgjegjës për trajtimin e problemeve të “qytetarëve të zakonshëm”, në vend që të zhvillojnë politika afatgjata dhe t’i zbatojnë ato siç duhet.

Për më tepër, qeveria u ka bërë thirrje qytetarëve e madje dhe gazetarëve të përdorin platformën si një alternativë më të mirë se kërkesat për informacion bazuar në të drejtën të lirisë pë informacion, të cilat, ndryshe nga platforma e bashkë-qeverisjes, ende sigurojnë një mënyrë relativisht efektive dhe të bazuar në ligj për të kërkuar informacion nga qeveria.

Të drejtat e njeriut

Materiali i qeverisë nuk përmend të situatën e të drejtave të njeriut. Dhe kjo nuk habit aspak, sepse nuk ekziston asnjë provë sado e vogël që tregon përmirësim në këtë fushë.

Dokumenti i prezantuar tek delegacioni parlamentar holandez tregon qartë përpjekjen e dëshpëruar të qeverisë Rama për të pasqyruar veten në një  pamje më pozitive, në dallim nga provat e mëdha që tregojnë të kundërtën.