Thellohet skandali: Agron Xhafaj nuk rezulton të ketë qenë ndonjëherë i kërkuar nga italianët

Nga verifikimet e Exit.al në Itali rezulton se emri i Agron Xhafajt nuk është futur asnjëherë në listën e të kërkuarve në Itali dhe as në listën e Interpolit, edhe pse vëllai i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj është dënuar në vitin 2002 me 7 vjet e 2 muaj burg për trafik lëndësh narkotike si pjesë e një organizate kriminale, dënim i konfirmuar nga gjykata e apelit të Leçes dhe ajo e lartë e Italisë.

Exit.al ka mësuar, gjithashtu, nga autoritetet shqiptare se Italia nuk i ka paraqitur asnjëherë Shqipërisë kërkesë për ekstradimin e tij, ndërkohë që ajo u ka dërguar autoriteteve shqiptare kërkesë për ekstradimin e të gjithë anëtarëve të bandës të dënuar në Itali në të njejtin proces me Agron Xhafajn.

Pavarësisht kësaj, si masë mbrojtjeje për çdo situatë, trafikanti i dënuar në Itali ka ndryshuar formalisht emrin nga Agron në Geron Xhafaj, që do të thotë se i dënuari Agron Xhafaj nuk ekziston më, ndërkohë që njeriu “i rilindur” Geron Xhafaj mund të udhëtojë i lirë në Shqipëri, mund të hyjë dhe udhëtojë i lirë në Itali dhe kudo në botë, pasi ai nuk është dënuar apo hetuar askund për ndonjë aktivitet kriminal.

Ministri Xhafaj e ka pranuar se ai ishte në dijeni të dënimit të vëllait, por kjo çështje nuk i ka sjellë atij pasoja politike dhe nuk e ka penguar atë bëjë karrierë politike dhe të arrijë deri në postin e lartë të Ministrit të Brendshëm. Për më tepër, Zoti Xhafaj nuk ka marrë asnjë përgjegjësi politike e aq më pak penale nga fakti që në kapacitetin e kryetarit të Komisionit parlamentar të Ligjeve ka lejuar aprovimin në seancë plenare të një ligji të ndryshëm nga ai i debatuar dhe të miratuar në komision dhe për më tepër që bie ndesh me normën europiane, diçka që u kundërshtua edhe nga Ministri italian i Drejtësisë Orlando.

Mbetet për t’u sqaruar në Itali dhe ndoshta pjesërisht edhe në Shqipëri fakti se si është e mundur që një i dënuar i drejtësisë italiane, me vendim të formës së prerë, të mos jetë futur në listën e të kërkuarve, nuk është lajmëruar Interpoli dhe nuk është kërkuar burgimi i tij për të kryer dënimin.

Nuk shërben për asgjë fakti që Agron Xhafaj është hetuar dhe gjykuar në tre shkallë të gjyqësorit nëse vendimi i dënimit nuk zbatohet ose të paktën nuk përpiqet të zbatohet, dhe ky është një fakt që sipas shumë zërave dhe disa rasteve të bëra publike në Shqipëri mund të ketë ndodhur edhe shumë herë të tjera për shumë personazhe të krimit shqiptar të dënuar në Itali.

Mos ndoshta ekziston një “zyrë” ku mund të drejtohesh në mënyrë që emri yt të mos futet në listën e përpiluar nga Policia Italiane për personat në kërkim? Cilat mund të jenë kushtet për të marrë një shërbim të tillë?

Këto pyetje i përkasin administratës italiane të Drejtësisë dhe Rendit Publik, por fakti që kjo “heqje nga lista” i është bërë një familjari të afërt të një politikani me ndikim, i cili ka mbuluar pozicione të rëndësishme në qeverinë shqiptare, shpesh për interesa që bien në kundërshti me interesat italiane, ngre një sërë pikëpyetjesh edhe mbi pavarësinë e vendimeve dhe qëndrimeve politike italiane.

Në fakt në këtë pikë hipotezat e mundshme janë vetëm dy:

– Hipoteza e parë është që autoritet shqiptare, përpara vendimit të Gjykatës Italiane të Apelit në vitin 2011, i kanë lajmëruar autoritet italiane se i dënuari ka zgjedhur të vuajë dënimin në atdhe, ndaj emri i tij nuk është futur në listën e personave në kërkim në Itali. Por Agron Xhafaj në Shqipëri është i lirë dhe nuk figuron të jetë burgosur ndonjëherë—ky do të ishte një fallsifikim tjetër, kësaj here në rang ndërkombëtar.

– Hipoteza e dytë është se ka pasur një “marrëveshje” ndërmjet politikanit shqiptar dhe autoriteteve italiane: fshirja e emrit të vëllait të tij nga listat italiane në këmbim të ndikimit dhe nënshtrimit të tij ndaj dëshirave të politikës italiane—një tjetër histori me spiuna dhe trafikantë, as e para dhe as e fundit ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë. Por çfarë mund të ketë bërë Ministri Xhafaj për interes të italianëve në Shqipëri, kur edhe dispozita për ekstradimet bie ndesh me interesat e italianëve?

Apo politikani shqiptar ka qenë aq i dinak (dhe italianët aq idiotë) sa që ka mbaruar punë dhe nuk ka paguar borxhin ndaj tyre?