Vdekja e Enea Ftoit – Komiteti i Helsinkit gjen mospërputhje mes dokumenteve të policisë

Vdekja e Enea Ftoit – Komiteti i Helsinkit gjen mospërputhje mes dokumenteve të policisë

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) i ka kërkuar publikisht prokurorisë të bëjë një hetim të plotë dhe të pavarur për vdekjen e Enea Ftoit, në qelitë e paraburgimit në Komisariatin e Korçës.

Megjithëse ekspertiza ligjore, që doli dje, nxorri si përfundim se viktima nuk kishte shenja dhune në trup, sipas KSHH ka mospërputhje mes variantit të ngjarjes që jep komisariati dhe variantit të ngjarjes që del nga dokumentet e regjistrat.

Si kanë rrjedhur ngjarjet?

Më 14 maj, Enea Ftoi, 27 vjeç, babai i tre fëmijëve, u arrestua në flagrancë për veprën penale të vjedhjes me dhunë.

Ai u shoqërua në komisariatin e policisë Korçë, ku ju bënë dhe vizitat mjekësore.

Nga vizitat, rezultoi se Enea Ftoi ishte përdorues droge dhe për ta qetësua atij I është dhënë një ilaç (diazepam) me injeksion dhe tabletë.

Më 17 maj, në orët e para të mëngjesit, pak orë përpara se Enea Ftoi të dilte përpara gjykatës për masën e sigurisë, ai u gjet i vdekur në qelin e tij.

Familjarët e Enea Ftoit pretendojnë se ai ka humbur jetën si pasojë e dhunës së ushtruar nga policia. Madje sipas tyre, që policia të mbulonte ushtrimin e dhunës mbi të arrestuarin, nuk e kishte njoftuar fare familjen. Familjarët e kanë mësuar vdekjen e të afërmit të tyre  vetëm kur kishin shkuar në gjykatë për seancën e vleftësimit të masës.

KSHH, gjatë një misioni verifikimi, zbuloi se ka mospërputhje mes regjistrave, dokumenteve të komisariatit dhe atyre të prokurorisë e gjykatës.

Kështu, kryeinfermieri i komisariatit Korçë pretendon se i ndjeri ka marrë mjekim dhe është kontrolluar nga ai çdo ditë, ndërkohë  në regjistrat përkatës rezulton se Enea Ftoi është  kontrolluar vetëm në datën 15 maj, ora 15:00, madje jo nga një mjek, për shkak të mungesës së një pozicioni të tillë në organikën e personelit.

Më 17 maj, ditën kur Enea Ftoi u gjet i ndekur në qelinë e tij, ka një mospërputhje mes Regjistrit të Dorëzimit të Shërbimit dhe shkresës përcjellëse drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.

Konkretisht, në Regjistrin e Dorëzimit të Shërbimit, të datës 17 maj, nga ora 6:00 deri në 7:45 të mëngjesit rezulton se kur ishte bërë ndërrimi i turneve, gjendja e të gjithë të ndaluarve dhe arrestuarve paraqitej normale dhe pa probleme. Ndërkohë në shkresën drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, nga ky Komisariat është bërë me dije se shtetasi Enea Ftoi ka ndërruar jetë në orën 07:30, të datës 17 maj 2018.

Pyetur nga vëzhguesit e KSHH-së, punonjësin e komisariatit Korçë nuk mundën të flisnin për  kushtet dhe rrethanat në të cilat kishte ndodhur vdekja e Enea Ftoit.

Megjithatë, punonjësit pranuan se nuk kishin mundur të njoftonin familjarët e Eneas, megjithëse numrat e tyre ishin të regjistruar nga ana e autoriteteve.

Gjatë gjithë kohës që bëhej autopsia, vëzhguesve të KSHH-së nuk i është dhënë asnjë informacion me argumentin se çështja ndiqej nga prokuroria.

Pas autopsisë së parë, që në trupin e viktimës nuk ka shenja dhune, po priten të bëhen dhe dy ekzaminime të tjera për të caktuar shkakun e vdekjes.

Kjo nuk është hera e parë që denoncohen raste dhune në qelitë e paraburgimit dhe burgimit.

Në tetor 2017, Komiteti Shqiptar i Helsinkit denoncoi një tjetër rast abuzimi fizik të një të burgosuri në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.

Po ashtu, KShH-ja ka publikuar një raport tronditës lidhur me zbatimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor, konventë në të cilën Shqipëria bën pjesë. Raporti është shumë kritik ndaj standardeve ligjore sa i përket hetimit dhe dënimit të tortures, si dhe kushteve të të burgosurve në Shqipëri, si në  dy rastet përmendura më sipër.

 

Lajme te ngjashme