Vëllai i ministrit Xhafaj padit deputetët e PD: Audio-përgjimi është montazh

Vëllai i Ministrit të Brendshëm Xhafaj, Agron Xhafaj ka paditur në prokurori deputëtet e PD Alibeaj e Salianji dhe këshilltarin ligjor Gazmend Bardhi për kallëzim të rremë.

Me anë të një kallëzimi penal në Prokurorinë e Tiranës, Agron Xhafaj, që tashmë e ka ndërruar emrin në Geron, kërkon hetim nga prokuroria për tre përfaqësuesit e opozitës që dje publikuan një audio-përgjim që tregon se Agron Xhafaj vazhdon të jetë i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.

Sipas Xhafajt, Alibeaj, Salianji dhe Bardhi kanë bërë kallëzim të rremë, parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal.

Vëllai i ministrit të Brendshëm pretendon se ai nuk është anjsë prej personazheve që dëgjohet në audio-përgjim dhe se audio-përgjimi është i gjithi një montazh i sajuar nga opozita.

Sipas Partisë Demokratike, në regjistrimin audio, dy personat që flasin për të rregulluar “një rrugë me kanabis” janë Agron Xhafaj dhe një prej ish-bashkëpunëtorëve të tij i cili ka dalë nga burgu në Itali, i kapur si pjesë e bandës së Xhafajt, dhe është rikthyer në Shqipëri.

Materialin audio të bërë publike nga PD sot e ka marrë në dorëzim Prokuroria, e cila do të hetojë vërtetësinë e materialit.