Vetingu në polici, 500 punonjës japin dorëheqjen

Rreth 500 punonjës të Policisë së Shtetit  nga 13 mijë në total janë dorëhequr, kur kanë mbetur dhe pesë ditë nga afati për të dorëzuar dokumentet e vetëdeklarimit.

Këto të dhëna u bënë publike nga Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit, e cila shprehet se në 5 ditët e mbetura priten edhe më shumë dorëheqje. Sipas deklaratave të drejtuesve të Sindikatës, shkak për dorëheqjet janë bërë procedurat e komplikuara e të pasqaruara për plotësimin e formularëve dhe koha në dispozicion të punonjësve, e cila ka qenë e pamjaftueshme.

Punonjës të Policisë janë shprehur për median se sigurimi i të gjtihë dokumenteve të nevojshme për të justifikuar pasurinë e vënë në gjithë vitet e punës është proces i vështirë për t’u bërë brenda afatit kohor që ministria ka vënë në dispozicion.

Në disa intervista, zëvendësministri i Brendshëm ka deklaruar se për të ardhura jashtë rrogës deri në 1,5 milionë lekë nuk ka nevojë për dokumente, por policët shprehen se në mënyrë zyrtare nuk ka ardhur asnjë udhëzim i tillë, ndaj ata po vazhdojnë të mbledhin dokumentet.

Afati i fundit për dorëzimin e formularëve të vetëdeklarimit dhe dokumenteve shoqërues është 7 maji.

Procesi i vetingut në polici erdhi si propozim nga Ministri i Brendshëm Xhafaj në tetor të vitit 2017, dhe ligji për mënyrën se si do të bëhet vetingu u votua nga parlamenti në mars 2018.

Për më shumë rreth mënyrës se si do të formohen institucionet e vetingut në polici lexoni këtu.