Nga Karl Kuçi
2 qershori—Festa e Republikës së Parë Italiane e dhënë me koncesion

Çdo vit, në ditën e përvjetorit të referendumit mbi monarkinë të 2 qershorit 1946, e cila solli në jetë Republikën, ambasadat e Republikës Italiane në botë organizojnë një pritje bujare, e cila, sikurse tregohet në rrëfimet popullore dhe mësimet shkollore për fëmijët italianë të pasluftës, është e hapur për të gjithë qytetarët italianë që ndodhen në vendin përkatës.

Pak a shumë të njejtën gjë na kanë mësuar edhe për përvjetorin e Fitores së Luftës së Parë Botërore, më 4 nëntor—Festa e Fitores dhe e Forcave të Armatosura—dita në të cilën të gjitha repartet ushtarake italiane ishin të hapura për publikun dhe mund të vizitoheshin nga çdo qytetar. Në atë ditë, Atashetë Ushtarakë pranë ambasadave italiane në botë organizonin një pritje të madhe.

Por koha kalon, dhe republika është plakur—republika e parë doli në pension, e ndoshta edhe e dyta—dhe nevoja e vjetër për mbështetje popullore duket se i ka lënë vendit nevojave të tjera.

Festa e Forcave të Armatosura praktikisht është zhdukur, ndërsa për Festën e Fitores (e cila, sa për kujtesë është e vetmja në historinë e Italisë së bashkuar) duket se nuk mund të krenohemi më, sepse sot, me Evropën e Bashkuar, ky festim nuk do të ishte i këndshëm për ata që dikur ishin në anën tjetër.

Edhe Festa e Republikës është menduar keq, njësoj si vetë Republika, dhe përveç emrit ajo nuk është më një gjë që u përket të gjithëve, veçanërisht nëpër ambasadat tona në botë.

Vitet e fundit, të paktën në Shqipëri, filloi t’u mbyllej dera qytetarëve italianë, duke e shndërruar Festën e Republikës nga një aktivitet popullor në një aktivitet elitar, i orientuar më shumë drejt marrëdhënieve diplomatike—me të ftuar kryesisht politikanët vendas—dhe jo forcimit të ndjenjës kombëtare, që Italia republikane praktikisht nuk e ka patur ndonjëherë, ndoshta për shkak të lindjes së saj pak të trazuar.

Pjesëmarrja ekskluzivisht vetëm me ftesa “ngushtësisht personale” dhe justifikimet e ekzagjeruara për arsye sigurie, kanë krijuar në komunitetin italian në botë një farë psikoze: të gjithë shohin kush ishte i ftuar dhe kush mori pjesë, sepse është e qartë që ai që nuk ishte nuk është i pëlqyer nga mëkëmbësi i mbretit, më falni, ambasadori.

Kështu lind specia e spekullantit të ftesave të “oborrit”, zakonisht të menaxhuara nga të afërm dhe miq të “zonjave të ambasadës”, që finalizohet me shpërndarjen e fotove në Facebook, të cilat u provojnë të gjithë të tjerëve, të përjashtuar nga ftesat, pushtetin e tyre të aksesit.

Kjo gjë, të paktën atëhere kur Italia kishte një farë rëndësie në Tiranë, pikëllontë jo vetëm komunitetin italian, por edhe shoqërinë shqiptare, sepse të ishe i pranishëm në festën kombëtare të Italisë ishte një “domosdoshmëri” për klasën drejtuese të vendit, sidomos të politikës, për të treguar peshën shoqërore.

Sot, të paktën shqiptarët, e kanë zgjidhur këtë problem, sepse kjo ngjarje nuk ka më për ta vlerë për të treguar shkallën shoqëror dhe, tani, edhe nëse i fton, ndonjëherë ata as nuk shfaqen.

Por pastaj, vështirësitë ekonomike dhe shkurtimet e fondeve, bënë që kokat e mënçura në Ministrin e Jashtme të Italisë t‘u sugjerojnë të gjitha ambasadave sponsorizimin e Festës së Republikës, me konkurim publik dhe procedur përzgjedhje përmes kritereve të panjohura: të gjitha ambasadat e publikojnë lajmërimin në fillim të prillit duke kërkuar një kontribut në një shumë të caktuar, e cila, në mos për gjë tjetër, u siguron profesionistëve të caktuar dhe kompanive të caktuara mundësinë të kenë marrëdhënie të mira “tregtare” me ambasadën.

Nëse ti më sponsorizon, ftoj ata që më thua ti”, ky është raporti i pashkruar, por nuk do ishte shtrëmbërim i madh i së vërtetës të përkthehej “nëse nuk më sponsorizon, nuk të ndihmoj”, dhe kjo, për njohësit e kodit penal, rrezikon të kualifikohet si zhvatje.

Diskutimet rreth “gruas së Cezarit” (dikujt që duhet të jetë mbi çdo dyshim) janë gjithmonë të bezdisshme, por zgjedhja për të financuar Festën e Republikës me anë të sponsorizimeve private është shenja e një makine shtetërore tashmë të paaftë të bëjë dallimin mes parimeve dhe moralit dhe pazareve të vogla të burokratëve po aq të vegjël.

Parimi është qartësisht i diskutueshëm, për të mos thënë i papranueshëm: nëse Ministria e Jashtme “shet shërbime” kundrejt parapagimit, do të thotë se ajo ka përfunduar në një ndërmarje normale private. Nëse nuk shet shërbime, por thjesht merr sponsorizime, do të thotë se adminstrohet nga një kupolë arbitrare dhe e pandëshkueshme.

Edhe Kisha e Romës ka shitur përherë Mesha të Shenjta, por të paktën nuk e ka stampuar kurrë stemën e Coca-Cola-ës mbi altarët dhe veshjet fetare.

Dhe pse të mos veprojë si Ministria e Jashtme edhe Ministria e Drejtësisë, duke mundësuar sponsorizimin e gjykatave nga Parmalat, apo Ministria e Brendshme që mund t’i kërkojë kompanisë ILVA të sponsorizojë makinat e policisë, apo Ministria e Financave që mund t’i kërkojë nder Alitalias për të sponsorizuar kartmonedhat 100 euroshe, që kanë gati të njëjtën ngjyrë.

Edhe për çmimin e caktuar nga Ambasada Italiane në Tiranë të vjen të qeshësh, duke qenë se 20 sponsorat, emrat e të cilëve ishin stampuar bukur mbi ftesat e 2 qershorti 2018 të, duhet të kenë dhënë të paktën një mijë euro secili dhe me atë shumë edhe një qytetar i thjeshtë mund të ftonte për darkë në restorantin më të shtrenjtë të Tiranës të gjithë të ftuarit e pranishëm atë natë në pritjen e Ambasadës.

Por turpi i vërtetë ishin emrat e sponsorave, kryesisht sipërmarrje publike italiane dhe koncesionarë të qeverisë shqiptare. Përveç dy prurjeve të reja, dy gurë të çmuar të kurorës të kompanive shtetërore italiane, njëra nga të cilat çuditërisht në industrinë e armëve; në listë ishte një joint-venture e pashpjegueshme publiko-private në sektorin e plehrave; një shtrues gjeomembranash, partneri strategjik i kompanisë që ka fituar koncesione të njëpasnjëshme për djegjen e mbetjeve që nuk ekzistojnë në Shqipëri; një studio ligjore, e cila prej vitesh i sugjerohet në mënyrë ekskluzive sipërmarrësve italianë nga vetë Ambasada; një bankë “e sistemit” e cila prej vitesh ka shpërndarë miliona euro “për t’i humbur” ndaj sipërmarrësve më problematikë shqiptarë (këtë vit mungonte një ish konkurentja e saj, e cila tashmë ka falimentuar ngaqë prej vitesh bëri të nëjtën gjë); kompania e përhershme ajrore italiane e subvencionuar pafund nga shteti; një koncesionar hidrocentralesh, dhe në fund një koncesionar nafte.

Ndërsa ekonomia e vërtetë përfaqësohej vetëm nga katër industri italiane dhe një greke dhe gjashtë importues vendas të produkteve italiane. Ndër këta importues ishte edhe njëri, kampion i vërtetë i asaj “ekonomie” që po mbyt Shqipërinë, por që vetëm kryeministri shqiptar dhe ambasadori italian ndjejnë nevojën për të mohuar se ekziston, dhe që nuk do të mund të ftohej dot në rastin e një vizite të Presidentit të Republikës Italiane.

Por nëse vlerësimi i Ministrisë së Jashtme bazohet në sa para arkëton nga sponsorizimet një ambasadë, atëhere edhe ambasadori, nëse paguan mirë, ka të drejtën të sillet si Markezi del Grillo, ndërsa kontribuesit e papërzjerë në aktivitete kriminale dhe sipërmarrësit normal italianë do të mbeten jashtë.

Rroftë Republika e Parë Italiane, ajo që nuk mbaron kurrë!