Air Albania, një projekt i dyshimtë — Exit Shpjegon

Për projektin e kompanisë Air Albania dihet fare pak, me përjashtim të njoftimeve të shkëputura që Kryeministri Edi Rama ka lëshuar herë pas herë në publik, thuajse në çdo rast postime të shkurtra propagandistike në faqen e tij në Facebook.

Tashmë është e qartë se projekti është një nismë personale e kryeministrit dhe të gjitha vendimet për të janë marrë personalisht prej tij dhe Presidentit turk Erdogan, duke anashkaluar institucionet dhe çdo lloj standardi e kërkese ligjore në lidhje me politik-bërjen dhe vendim-marrjen publike.

Exit.al ka qëmtuar informacionet publike për këtë projekt, si dhe disa nga pikëpyetjet kryesore që lidhen me të.

Kronologjia e projektit

Nuk dihet se kur Kryeministrit i lindi ideja e projektit, por ai foli për herë të parë për të në publik gjatë një intervistë për Enver Robellin, më 30 mars 2017, kur u shpreh:

“[N]e kemi një plan të themelojmë një kompani ajrore që si bazë do të ketë Shqipërinë, një kompani ajrore shqiptare në bashkëpunim me Turkish Airlines dhe kompaninë ajrore AtlasGlobal.”

 Më 8 maj 2017, Edi Rama priti Drejtorin Ekzekutiv të Turkish Airlines Ilker Ayci, në zyrën e tij, dhe të dy dhanë një prononcim para mediave, ku shpallën publikisht projektin për krijimin e linjës ajrore shqiptare në bashkëpunim me Turkish Airlines dhe nën kujdesin personal të presidentit turk. Në prononcim, Kryeministri Rama u shpreh:

 “Me Zotin Ayci diskutuam për projektin që kam bërë me dije më parë, për ngritjen e një linje të re ajrore shqiptare, e cila ka nisur të projektohet falë mbështetjes së posaçme të Presidentit Erdogan dhe asistencës teknike të ekipit të Turkish Airlines.”

Kryeministri shpjegoi, gjithashtu, se krijimi i kompanisë ajrore është pjesë e një nisme më të gjerë, e cila përfshin edhe ndërtimin e aeoroportit të Vlorës, dhe informoi se edhe për aeroportin “puna vazhdon […] me mbështetjen e Presidentit Erdogan.”

 Nga ana e tij, drejtuesi i Turkish Airlines zbuloi natyrën personale të vendim-marrjes për projektin:

“Presidenti ynë, Zoti Recep Tayip Erdogan, bashkë me Zotin Edi Rama kanë zhvilluar bisedime të ndryshme dhe një ndër çështjet që kanë trajtuar më shumë ka qenë bashkëpunimi në fushën e Aviacionit Civil, për të zhvilluar bashkëpunimin në këtë fushë dhe në udhëheqjen e fuqishme të Kryeministrit të Shqipërisë, bashkë me vizionin e tij, edhe ne si “Turkish Airlines” do të mbështesim arritjet e Shqipërisë në këto vite. 

Në bazë të vendimit të përbashkët që ka arritur Presidenti turk dhe Kryeministri shqiptar, ne kemi përveshur mëngët dhe po punojmë për të realizuar vendimin që kanë marrë ata bashkërisht.”

Dy muaj më vonë, më 10 korrik 2017, Edi Rama vizitoi Turqinë dhe u takua sërish me Erdoganin. Ai rikonfirmoi sërish se me mbështetjen e Erdoganit do të krijohet Air Albania dhe do të ndërtohet Aeroporti i Vlorës. Ai gjithashtu vizitoi zyrat e Turkish Airlines dhe zhvilloi bisedime me Drejtorin Ekzekutiv të kompanisë, Ilker Ayci, i cili pas takimit, u shpreh se:

Aktualisht nuk ka një linjë ajrore shqiptare. Për këtë arsye, zoti Edi Rama përmes një lidershipi kaq aktiv, ka punuar fuqishëm për krijimin e kompanisë shqiptare, e cila do të lidhë Shqipërinë me rajonin dhe me globin me konceptin e cilësisë së lartë.”

Më 21 nëntor 2017, Edi Rama shpalli emrin e kompanisë, Air Albania, duke postuar në faqen e tij në Facebook një foto të një avioni të branduar me këtë emër, me komentin: “Së shpejti.

Më 22 mars 2018, Edi Rama udhëtoi sërish në Turqi dhe u takua me Erdoganin, pa dhënë asnjë detaj rreth qëllimit të vizitës apo çështjeve të diskutuara, me përjashtim një komenti në Facebook ku u shpreh:

“Darkë pune me Presidentin Erdogan për ecurinë e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve; projektet e nisura për aeroportin ndërkombëtar të Vlorës dhe Air Albania…” 

Të nesërmen, më 23 mars 2018, Rama postoi një tjetër mesazh në Facebook, shoqëruar me një foto me Drejtorin e Ekzekutiv të Turkish Airlines, duke informuar se ishte në zyrën e Aycit “për të diskutuar mbi fazën e fundit të projektit të linjës sonë ajrore Air Albania, e cila po programohet me asistencën teknike të kolosit ajror turk.”

Më 12 prill 2018, Rama postoi një video reklamë në faqen e tij në Facebook, dhe i bëri thirrje “çdo vajze e djali që përmbush kriteret dhe dëshiron të provojë veten në konkursin për një vend në trupën e kompanisë kuqezi” për të aplikuar për t’u punësuar në kompaninë Air Albania. Videoja dhe postimi ishin të mbushura me retorikë dhe simbole patriotike.

Si duket, mbas rekrutimit, më 11 maj 2018, Rama organizoi një takim në zyrat e Kryeministrisë me ata që ai i quajti “djemtë dhe vajzat e ekuipazhit të parë shqiptar” ku, ndër të tjera, u shpreh:

“Air Albania ka një rëndësi të veçantë se është e para kompani ajrore e flamurit tonë, e para kompani ajrore me kapital publik brenda saj.”

(Në fakt, të dyja janë deklarata të rreme—Albanian Airlines e krijuar në vitin 1992, është kompania e parë nën flamurin shqiptar e themeluar me kapital shtetëror.).

Disa ditë më vonë, më 16 maj 2018, më në fund vjen akti i vetëm ligjor dhe formal në lidhje me Air Albania: Qeveria me Vendimin 309, datë 16 maj 2018, urdhëroi krijimin e kompanisë Air Albania me pronësi kompanitë Albcontrol sha, Turkish Airlines dhe MDN Investment shpk.

Urdhëri përcakton se ortakët shqiptarë, Albcontrol dhe MND Investment, duhet të kenë shumicën e aksioneve, pra të paktën 51 për qind—sipas vendimit, aksionet duhet të përcaktohen në negociata mes palëve.

Ky vendim dëshmon se të gjitha aktivitetet e deriatëhershme, përfshi rekrutimin e personelit janë bërë në mënyrë jashtë institucionale. Në të vërtetë, kompania Air Albania nuk është themeluar dhe regjistruar apo licensuar ende dhe mbetet një projekt personal i Kryeministrit Rama, i cili përfiton nga autoriteti i tij për të shkelur procedura bazike.

Ortakët e Air Albania

Air Albania do të jetë një projekt publik-privat-publik, me partnerë një kompani në pronësi qeveritare turke, një kompani në pronësi qeveritare shqiptare dhe një kompani private.

Albcontrol sha është kompani në pronësi të qeverisë shqiptare, përmes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, e cila menaxhon hapësirën ajrore të Shqipërisë, në përputhje me standardet ndërkombëtare të fluturimit.

Turkish Airlines, një nga kompanitë ajrore më të mëdha në botë, ka aksioner kryesor qeverinë turke, e cila zotëron 49,12 për qind, ndërsa 50,88 për qind të aksioneve janë në pronësi si aksione të tregtuara në bursë.

Kompania MND Investment shpk është kompani private, e krijuar rreth dy muaj më parë, më 7 maj 2018, vetëm nëntë ditë para vendimit të qeverisë që e bëri atë ortake në Air Albania. Kompania ka kapital themeltar prej rreth 100 mijë euro dhe është në pronësi të plotë të Sinan Idrizit.

Idrizi, një emër i panjohur për publikun, nuk ka asnjë aktivitet në Shqipëri dhe nuk është shprehur të ketë ndonjë biznes në ndonjë vend tjetër të botës. Në disa pronocime të fundit publike, ai është shprehur se ka lidhje biznesi në Turqi, ku duket se ka jetuar për shumë vite para se të kthehej në Shqipëri në vitin 2014, por nuk ka dhënë asnjë detaj apo referencë publike.

E vetmja gjë që dihet për të është se nga viti 2014 ai është një nga pronarët dhe administrator i Klubit të Futbollit Flamurtari. Sidoqoftë, askush nuk e di se nga vinë apratë me të cilat ai financon Flamurtarin. Si president i Flamurtarit, ai u dënua në muajin maj 2018 nga Federata Shqiptare e Futbollit për të mos marrë pjesë për 16 muaj në asnjë aktivitet sportiv për ushtrim dhune ndaj një gjyqtari.

Ajo që bie në sy është se Sinan Idrizi ka qenë i pranishëm në disa takime me Erdoganin dhe Aycin, që do të thotë se ai është përfshirë që në hapat e parë në këtë projekt. Arsyeja se pse Kryeministri Rama apo Presidenti Erdogan ka zgjedhur Idrizin mbetet e panjohur.

 

Ende nuk dihet se cilat janë pjesët që do të zotërojë secili prej ortakëve në Air Albania, sikurse nuk dihen kontributet e secilit ortak, përfshi ato në kapital.

Në mënyrë të veçantë është e paqartë se për çfarë arsye ka qenë e nevojshme përfshirja në këtë projekt e MND Investment, një kompani e posa krijuar, pa kapital dhe pa përvojë, në pronësi të një njeriu pa asnjë përvojë apo lidhje të dukshme me këtë projekt.

Investimi dhe kontrobutet e ortakëve

Nuk ka asnjë të dhënë ekonomike, financiare apo teknike në lidhje me projektin. Në fakt, nuk ka asnjë dokument qeveritar qoftë studim, analizë apo çfarëdo dokumenti tjetër rreth projektit dhe investimit të pritshëm.

Në takimin me Kryeminsitrin Rama në Tiranë, në maj 2017, drejtori i Turkish Airlines, Ayci u shpreh se kompania po kryente një studim fizibiliteti, por ky studim nuk është bërë ndonjëherë publik.

Të paqarta janë sa është kostoja totale e investimit fillestar për fillimin e kompanisë, cili do të jetë kontributi i palëve, kush do të jetë përgjegjëse për financimin e operacioneve deri në momentin që kompania mund të mbulojë kostot. Natyrisht, këto të dhëna janë diskutuar me palën turke nga kryemisnitri Rama, por ato mbahen të fshehura ndaj publikut shqiptar.