Banorët e Dragobisë protestojnë: Kompania që ndërton HEC-et po bën shpërthime me tritol

Banorët e Dragobisë në Tropojë bllokuan sot rrugën kombëtare Tropojë-Valbonë, në shenjë proteste për shpërthimet me ekploziv që po bëjnë kompanitë që po ndërtojnë hidrocentrale në këtë zonë.

Banorët u shprehën se shpërthimet me eksploziv kanë shkaktuar rënien e masivëve shkëmbore, duke dëmtuar disa shtëpi dhe vënë në rrezik jetën e banorëve, në lagjen Metaliaj në Dragobi.

Këto pretendime të banorëve mbështeten dhe nga policia e qarkut Kukës, e cila disa ditë më parë lajmëroi se një linjë elektrike u dëmtua si pasojë e shpërthimeve.

Në luginën e Valbonës, po ndërtohen hidrocentrale mbi lumin e Valbonës nga  kompania “Gener2”. Megjithë protestat e shumta kundër ndërtimit dhe proceseve të gjata gjyqësore, kompania prej muajsh ka nisur punimet.