Bulqizë, tjetër aksident në galeritë e kromit

Një tjetër aksident i rëndë ka ndodhur sot në minierën e kromit në Batër-Martanesh, në rrethin Bulqizë. Një minator, me inicialet N.L është plagosur teksa punonte në galeri.

53 vjeçari ndodhet në spitalin e Burrelit, jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë policia po hetohen rrethanat e ngjarjes.

Miniera e kromit në Bulqizë njihet si një prej më të rrezikshmeve dhe në kushte të papërshtatshme për të punuar, por kjo nuk ka bërë që institucionet përkatëse të vënë përpara përgjegjësisë kompanitë koncesionare.

Kushtet e  rrezikshme të punës në minierat e Bulqizës kanë shkaktuar vdekjen e shtatë minatorëve dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve vetëm në muajt e fundit.

Megjithë vdekjet e shumë minatorëve në minierat e kromit në Bulqizë, asnjë drejtues apo pronar i kompanive koncesionare nuk është ndjekur penalisht në tre vitet e fundit.

Minatorët ende nuk kanë marrë as statusin e mbrojtjes së minatorit, i cili i siguron atyre kurim mjekësor falas dhe shpërblime financiare në rast aksidenti gjatë punës. Prej më shumë se një viti statusi i minatorit ka mbetur i bllokuar në parlament.