Delegacioni i BE-së propozoi mos bërjen e vetingut për të shpëtuar reformën në drejtësi

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Delegacioni i BE-së propozoi mos bërjen e vetingut për të shpëtuar reformën në drejtësi

Nga frika se vonesat në procesin e vetingut do të dëmtojnë rëndë të gjitha rezultatet e dobishme që mund të jetë menduar se do të sillte reforma në drejtësi, Delegacioni i BE-së në Shqipëri duket se është i gatshëm të mbështesë një interpretim të dyshimtë të legjislacionit shqiptar dhe t’i bjerë shkurt zbatimit të reformës dhe ligjeve.

Më 29 mars 2018, një dokument i brendshëm i titulluar “për status quo-në e zbatimit të reformës në drejtësi”, hartuar nga misioni i BE-së për ndihmë juridike EURALIUS, dhe të siguruar nga Exit.al, flet për një sërë masash paraprake “me qëllim parandalimin e rreziqeve ose tejkalimin e mangësive për shkak të vonesave në zbatimin e reformës në drejtësi”.

Në pikën 5, dokumenti i Delegacionit të BE-së propozon “të ftojë Këshillin e Emërimeve në Drejtësi [KED] të vlerësojë dhe rendisë kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese në mënyrë të përshpejtuar “.

Siç kemi theksuar shumë herë më parë, arsyeja për këtë gjë është fakti se Gjykata Kushtetuese thuajse është shpërbërë dhe nuk ka më kuorumin e nevojshëm për të marrë vendime—aktualisht ajo ka vetëm tre gjyqtarë (pesë, në momentin kur është hartuar dokumenti): Bashkim Deden e Vitore Tushën, që janë konfirmuar nga procesi i vetingut, dhe Gani Dizdarin, i cili ende duhet të kalojë procesin e vetingut.

Si rezultat, Shqipëria është aktualisht në një vakum të rrezikshëm ligjor dhe kushtetues.

KED ka për detyrë të vlerësojë kandidatët e rinj për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe t’i rendisë ata në bazë të meritave dhe aftësive. Për të përmbushur këtë procedurë, dokumenti i Delegacionit të BE-së propozon zgjidhjen e mëposhtme:

“Të ftojë [KED] të hartojë me shpejtësi rregullat e tij të brendshme dhe të përpunojë aplikimet. Ligji nuk kërkon që anëtarët [e KED-it] t’i nënshtrohen vetingut]; prandaj,nuk ka asnjë pengesë për të vazhduar më tej.”

Le të analizojmë me kujdes se çfarë kanë propozuar kështu specialistët e EURALIUS-it:

Ligji nuk kërkon që anëtarët [e KED] t’i nënshtrohen vetingut”. Kjo nuk është e vërtetë. Neni 179(11), i Kushtetutës parashikon:

Anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi i nënshtrohen menjëherë procesit të rivlerësimit kalimtar të kualifikimit për gjyqtarë dhe prokurorë sipas nenit 179/b të këtij ligji.”

Pra, Kushtetuta e shpreh qartë se anëtarët e KED-it duhet të rivlerësohen (t’i nënshtrohen vetingut) “sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Në të vërtetë, disa prej tyre e kanë kaluar tashmë procedurën e vetingut, ashtu sikurse kërkohet nga Kushtetuta. Në takimin e parë të tij më 19 mars, KED-i përbëhej nga anëtarët e mëposhtëm:

  1. Artan Broci
  2. Altina Xhoxhaj
  3. Rovena Gashi
  4. Gentian Trenova
  5. Fajtona Memçaj
  6. Enton Dhimitri
  7. Fatos Qato
  8. Ahmet Jangulli
  9. Vitore Tusha (zëvendësuese)
  10. Shkëlzen Selimi (zëvendësues)
  11. Sotiraq Lubonja (zëvendësues)

 

Sipas dokumentit për përdorim të brendshëm të Delegacionit të BE-së, Rovena Gashi është tërhequr pasi aplikoi për një post në Gjykatën Kushtetuese. Gjithsesi, është e paqartë nëse ajo është tërhequr vetë apo nnëse ajo mund të lejohet të marrë pjesë në mbledhjet e KED-it duke qenë se PPP Arta Marku e ka pezulluar nga detyra në rrethana të dyshimta.

Altina Xhoxhaj dhe Gentian Trenova nuk e kaluan vetingun dhe u shkarkuan nga KPK, por që të dy e kanë apeluar vendimin. Ndërkohë, Fatjona Memçaj dhe Vitore Tusha u rikonfirmuan në detyrë pas rivlerësimit.

Tani, Delegacioni i BE-së duket se sugjeron se ndërsa vetingu vazhdon, anëtarët e KED-it, disa të verifikuar dhe të tjerë ende jo, duhet të mblidhen “për të hartuar me shpejtësi rregullat e brendshme dhe për të shqyrtuar aplikimet” e kandidatëve për gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Në fakt, ata deklarojnë pikërisht këtë:

“Rreziku që funksionimi i [KED-it] të pengohet, për shkak të shkarkimeve të mëtejshme nga vetingu, konsiderohet i ulët, pasi vlerësimi i kandidatëve të tjerë, pas atyre prioritarë, duket se do të marrë akoma disa javë/muaj. Deri atëherë, me hamëndje [KED] do ketë përfunduar vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për gjyqtarë të [Gjykatës Kushtetuese].”

Me fjalë të tjera, Delegacioni i BE-së propozon që KED-i, një institucion i ri i krijuar nga reforma në drejtësi, të lejohet të rendisë kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që ata janë duke iu nënshtruar vetingut (dosjet e të shtatë kandidatëve janë aktualisht duke u shqyrtuar), edhe pse vetë anëtarët e KED-it nuk kanë kaluar vetingun. Kjo duket shumë e ngjashme me strategjinë e “opinionit ligjor” të EURALIUS-it, të dhjetorit 2017, i cili rekomandoi publikisht zgjedhjen e një Prokuroreje të Përgjithshme “të përkohshme” pa kaluar vetingun, e cila më pas zaptoi një pjesë të kompetencave të KLP-së.

Në të dyja rastet, si në opinionin ligjor të dhjetorit 2017 dhe në dokumentin e brendshëm të marsit 2018, BE ka bërë propozime që shkojnë kundër logjikës dhe frymës së reformës në drejtësi. Logjika e reformës parashikon qëllimisht verifikimin e institucioneve gjyqësore rigorozisht nga lart poshtë, pikërisht për të siguruar që KED-i të jetë vlerësuar dhe plotësisht funksional para vlerësimit dhe renditjes së kandidatëve të Gjykatës Kushtetuese; që KLP të jetë vlerësuar para emërimit të drejtuesve të prokurorisë; dhe që KLGj të jetë vlerësuar para vlerësimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Kjo është e vetmja mënyrë që mund të garantojë që kandidatët me figurë të dyshimtë të mos i “rrëshqasin” vetingut.

Delegacioni i BE dhe misioni EURALIUS, me sa duket, janë të gatshëm ta sakrifikojnë këtë frymë dhe logjikë me qëllim që të “përshpejtojnë” procesin.

Ndërkohë, ata kanë “harruar” të informojnë në dokumentet e tyre, të bëra publike deri më tani, arsyen pse vetingu po ecën shumë më ngadalë se sa pritej: në shtator 2017, qeveria Rama e shkurtoi buxhetin dhe personelin mbështetës të institucioneve të vetingut me 40 për qind.

Që Delegacioni i BE-së dhe misioni EURALIUS janë të dëshpëruar dhe duan t’i bien shkurt reformës në drejtësi duket, gjithashtu, qartë nga propozimet e tyre lidhur me Shkollën e Magjistraturës. Siç e kam theksuar edhe më parë, Shkolla e Magjistraturës nuk mund të hapë procesin e aplikimit për studentët e rinj para formimit të KLP-së dhe KLGJ-së. Kjo do të thotë se, si rezultat, nuk mund të plotësohet dot asnjë pozicion i lënë bosh nga prokurorët dhe gjyqtarët e shkarkuar, derisa në kohën kur do ketë përfunduar vetingu, i planifikuar të përmbyllet në kohë për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

EURALIUS duket se e pranon këtë si rrezik:

Rekrutimi çdo vit i një numri të mjaftueshëm magjistratësh është i domosdoshëm për të siguruar që radhët e magjistratëve të plotësohen pas shkarkimeve nga vetingu. […]

Duke qenë se rekrutimi i kandidatëve për trajnimin fillestar është kompetencë e përbashkët [e KLGj-së/KLP-së] dhe [Shkollës së Magjistraturës], për shak të moskrijimit të [KLGJ/KLP-së], [Shkolla e Magjistraturës] nuk ka të drejtë të fillojë procesin e rekrutimit në vitin 2018.”

Për të zgjidhur këtë ngërç, do të duhet të ndryshohet Ligji 96/2016 Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, gjë që është propozuar në dokumentin e brendshëm. Megjithatë, një ndryshim i tillë ligjor kërkon një shumicë prej 3/5 e votave, shumicë që ka pak gjasa të arrihet, tashmë pasi Delegacioni i BE-së dhe EURALIUS-i ndihmuan në miratimin e njëanshëm nga shumica socialiste të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Markut.

Kështu edhe këtë herë, vizioni dritëshkurtër i Delegacionit të BE-së për zgjidhje teknokratike ka bërë të pamundur arritjen një kompromis politik. Vetë Delagacioni i BE-së e pranon këtë gjë kur thotë: “Është e diskutueshme nëse mund të arrihet një konsensus politik dhe cili do të ishte ‘çmimi’ që duhet të paguhej për të”.

Si alternativë, ata këshillojnë që sapo të krijohen KLGj dhe KLP, ato “mund të përcaktojnë në vitet e mëpasshme, një numër më të lartë skandidatësh për prokurorë/gjyqtarë për të përfunduar trajnimin fillestar “.

Megjithatë, është e paqartë se nga ku do të vijnë të gjithë këta kandidate për t’u bërë gjyqtarë e prokurorë, pasi vitin e kaluar nuk u rekrutuan dot as 25 të tillë:

Për këtë arsye, Ligji për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë përcaktoi një numër minimal prej 25 përsoan për t’u trajnaur gjatë periudhës kalimtare. Në vitin 2017, rezultatet minimale për t’u pranuar në provim u arritën nga një numër i pamjaftueshëm, prandaj vetëm 15 kandidatë u pranuan në Shkollën e Magjistraturës.

Në tërësinë e tij, dokumenti i brendshëm tregon paaftësinë, dhe ndoshta edhe panikun që ka kapluar Delegacionin e BE-së dhe EURALIUS-in. Në pamundësi për të kuptuar se reforma në drejtësi është një proces politik, ata vazhdojnë të propozojnë zgjidhje teknokratike dhe ligjore për problemet, zgjidhja e vetme e të cilave mund të gjendet vetëm në Kuvend.

Megjithatë, nëse nga gjithë arsyetimi i tyre mund të kuptohet ndonjë gjë, ajo është: ata e konsiderojnë parlamentin shqiptar të vdekur.

Lajme te ngjashme