Deri më tani, vetëm 5 gjyqtarë dhe prokurorë kanë kaluar vetingun Gjykata Kushtetuese

Procesi i rivlerësimit të punonjësve të sistemit të drejtësisë filloi në nëntor 2017 dhe do të përfshijë mbi 800 gjyqtarë dhe prokurorë, si dhe një numër të punonjësve të tjerë të sistemit të drejtësisë.

Që kur ka nisur hetimi administrativ për grupin e dytë të dosjeve, bilanci i vetingut është: 13 gjyqtarë e prokurorë të dorëhequr, 5 të rikonfirmuar në detyrë, 5 të shkarkuar dhe 2 në pritje të vendimit.

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese është institucioni që deri më tani është “goditur” më rëndë nga procesi i vetingut. Nga nëntë anëtar gjithsej vetëm një e ka kaluar vetingun dhe është rikonfirmuar në detyrë, ndërkohë që për dy të tjerë procesi nuk ka nisur ende.

Kështu, Vitore Tusha është e vetmja që vazhdon të jetë anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha u shkarkuan nga detyra për mosjustifikim të pasurisë.

Besnik Imeraj, Sokol Berberi dhe Vladimir Kristo dhanë dorëheqjen përpara se të fillonte vetingu.

Dy anëtarët e mbetur Kryetari Bashkim Dedja dhe Gani Dizdari ende nuk kanë zhvilluar seancat dëgjimore me KPK.

Gjyqtarët

Të gjithë gjyqtarët që janë përballur me KPK deri më tani janë pjesë e listës prioritare të vetingut pasi janë kandidatë për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit.

Nga tre gjyqtarë që janë hetuar deri më tani, vetëm dy prej tyre kanë kaluar. Ata janë Manjola Xhaxho, gjyqtare në Gjykatën e rrethit Tiranë dhe Marçela Shehu, gjyqtare në Gjykatën e Kurbinit.

Ndërsa Besim Trezhnjeva, gjyqtar i Apelit në Durrës, u shkarkua nga KPK për mosjustifikim të pasurisë.

Aktualisht pritet vendimi gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Edmond Islamaj.

Prokurorët

Të gjithë prokurorët që janë përballur me KPK deri më tani janë pjesë e listës prioritare të vetingut pasi janë kandidatë për Këshillin e Lartë Prokurorial.

Nga tre prokurore që kanë mbaruar procesin e vetingut, dy prej tyre Fatjona Memçaj, prokurore e Apelit të Tiranës dhe Anila Leka, prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme janë rikonfirmuar në detyrë.

Ndërsa Besa Nikëhasani,prokurore në Prokurorinë e Apelit Shkodër, nuk u rikonfirmua në detyrë për shkak të mosjustifikimit të pasurisë.

Aktualisht pritet vendimi për prokurorin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Dritan Prençi.

Prokuror e gjyqtarë të dorëhequr ose larguar nga detyra pa kaluar procesin e vetingut

Dhjetë gjyqtarë e prokurorë, përveç tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, dhanë dorëheqjen pa kaluar në procesin e vetingut. Ata janë:

  1. Mirela Fana – anëtare e Gjykatës së Lartë, kryetare e KED;
  2. Ilir Pashaj – gjyqtar në Elbasan;
  3. Drita Velaj – gjyqtare në Kukës;
  4. Ilir Çeliku – gjyqtar në Gjykatën e Apelit Vlorë;
  5. Ermir Beta – prokuror;
  6. Sulejman Tola – prokuror;
  7. Adriatik Llalla – nuk ushtroi të drejtën për t’u riemëruar në sistemin e drejtësisë, pasi mbarimit mandati i Prokurit të Përgjithshëm;
  8. Brunilda Kasmi – gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë;
  9. Merita Xhani – gjyqtare në Gjykatën e Durrësit;
  10. Nazmie Pengili – gjyqtare në Gjykatën e Krujës.

Apelime

Deri më tani, sipas të dhënave nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, katër vendimet të KPK-së janë kundërshtuar.

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo ka bërë vetë një ankim kundër vendimit të KPK-së.

Ndërsa për tre rastet e tjera, Mirela Fana, Sulejman Tola dhe Adriatik Llalla është Komisioneri Publik që ka kundërshtuar vendimin e KPK-së.