Dy makinat Toyota me 3,4 milionë euro – Çfarë dimë deri më tani?

Mbrëmjen e 24 qershorit, policia shqiptare sekuestroi rreth 3,4 milionë euro të fshehur në dy makina tip “Toyota Yaris” në portin e Durrësit.

Makinat u gjetën në një karoatrec në tragetin që vinte nga Bari në Durrës. Së bashku me dy makinat me para, në trailerin që i përkiste një kompania shqiptare transporti, kishte dhe 8 makina të tjera. Itenerari i makinave ka qenë Belgjikë-Gjermani-Itali-Shqipëri.

Menjëherë në vend –ngjarje policia arrestoi pronarin e kompanisë së transportit Edi Lika, Klevis Lika djalin e pronarit të kompanisë, dhe shoferin e kamionit Agim Çeku.

Një ditë më pas, më 25 qershor, policia arrestoi Alban Mollaymerin, biznesmenin që ka porositur makinat nga Belgjika.

Policia ka shpallur në kërkim dy vëllezërit Elvis dhe Alfred Vladin, që dyshohet se janë personat që do të merrnin paratë. Megjithatë policia nuk ka treguar informacion të plotë rreth rolit konkret të dy vëllezërve Vladi në këtë çështje.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë së shtetit bërë më 25 qershor, më 20 qershor, policia u lajmërua nga burime vendase për një sasi të madhe eurosh të fshehura në disa autovetura.

Më 21 qershor, mabsdite, burime vendase njoftuan Policinë e Shtetit për një ngarkesë me karoatrec që do të sillte disa mjete tip ‘Toyota’, e cila pritej të vinte nga Gjermania, e mes tyre ishte një mjet me sasi eurosh të padeklaruara.

Në datë 24 qershor, në orën 07:30, makinat mbërritën në portin e Durrësit.  Policia Kufitare, mbi bazën e porosisë së marrë në datë 20 Qershor bëri identifikimin dhe ndalimin e mjetit.

Policia, pas kontrollit, gjeti në dy automjete të tipit ‘Toyota Yaris” 3,36 milionë euro, 80 mijë franga dhe 100 euro; 7 telefona celularë dhe një radio policie.

Paralajmërimi i Lulzim Bashës 

Më 21 qershor, gjatë seacës parlamentare, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha bëri publik faktin se një automjet i tipit “Toyota Yaris” po vjen nga Gjermania e ngarkuar me 1,5 milionë euro. Zoti Basha akuzoi kreu e grupit parlamentar socialist Taulant Balla se kishte garantuar kalimin e parave të drogës së një prej bandave më aktive të Elbasanit.

Më 24 qershor, Taulant Balla ishte i vetmi që reagoi për kapjen e sasisë së parave përmes një postimi në Facebook.

Ndërsa sot, sërish Taulant Balla, në një deklaratë për median, u mjaftua me referimin e policisë për ngjarjen dhe shtoi se:

“Taulant Balla nuk ka asnjë lloj lidhje me këta, ju garantoj me përgjegjësi penale, jo vetem me mandatin e deputetit. Jam gati të më bëhet gjyqi në Sheshin Skënderbej nëse mund të kem një lidhje të vogël me këtë.”

Ndërkohë, Kryeministri Rama dhe ministri i Brendshëm Xhafaj nuk kanë bërë asnjë deklaratë lidhur me këtë rast.