Edi Rama: Presidentin Erdogan e kam admiruar gjithnjë Kryeministri Edi Rama në vizitë zyrtare në Turqi, 1 korrik, 2016. Burimi: Facebook.

Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë për admirimin që ka për presidentin turk Erdogan dhe punën e tij.

Në një intervistë ekskluzive për median turke Anadolu Agency, ndër të tjera, Rama tha se e ka admiruar gjithnjë Erdoganin dhe se ka një marrëdhënie të veçantë me të.

Pyetur për ndërtimin e kampit për azilkërkuesit e dënuar nga BE-ja, Rama mohoi të ketë një kërkesë zyrtare.

Disa nga pikat kryesore të intervistës janë:

Për marrëdhënien me Presidentin Erdogan

  • E kam admiruar për së largu punën e tij [Erdoganit]  të jashtëzakonshme si kryetar i Bashkisë së Stambollit dhe rolin transformues që ai ka pasur dhe ka qenë një ndër shembujt që më kanë frymëzuar për atë që kam bërë për Tiranën.
  • Pastaj kam pasur fatin të njihem me të ta vlerësoj së afërmi, një marrëdhënie që është e ngritur mbi respektin reciprok që nuk ka absolutisht asnjë nga ato shenja që shumëkush merr përsipër të ngrejë akuza dhe teori konspiracioni.
  • Është një marrëdhënie e veçantë pasi bazohet tek një parim që nuk e gjen shpesh në marrëdhëniet politike dhe diplomatike që ‘po’ është ‘po’ dhe ‘jo’ është ‘jo'”.
  • Të godasësh fenë islame dhe të mbash qëndrime islamofobe do të thotë në fakt të godasësh një rrënjë të rëndësishme të pemës së shqiptarisë dhe të vetë burimit, burimit të ekzistencës së kombit tonë.

Për ndërtimin e kampit për azilkërkuesit

  • Sa i përket një kampi refugjatësh në funksion të Bashkimit Evropian këtu në Shqipëri, kjo është një fantazi.
  • Ne nuk kemi pasur asnjë propozim për të bërë diçka të tillë dhe as nuk e kemi konsideruar një mundësi të tillë.
  • Jemi të gatshëm të bëjmë çdo gjë bashkë me tjerët dhe të marrim pjesën që na takon, por nuk jemi të gatshëm që të bëjmë atë që të tjerët nuk duan ta bëjnë, duke qenë shumë më të pasur, duke qenë shumë më të fuqishëm se ne.

Për integrimin në BE

  • Procesi i integrimit evropian është gjithmonë e më i ndërlikuar dhe njëkohësisht më i paparashikueshëm për shkak të vetë turbullirave të brendshme në vendet e Bashkimit Evropian dhe të erërave kundër zgjerimit dhe kundër vetë Bashkimit Evropian brenda disa vendeve të rëndësishme anëtare.
  • Ne do të vazhdojmë punën tonë, pasi për ne procesi i integrimit evropian nuk është një udhëtim për t’u spostuar nga Tirana në Bruksel, por është një udhëtim brenda vetes për t’u modernizuar dhe për të pasur një shtet funksional të standardeve evropiane.