Familjet koreano-amerikane presin me ankth takimi Donald Trump-Kim Jong Un

Për shumë amerikanë, takimi i Presidentit Trump me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un që pritet të ndodhë këtë muaj, nuk është vetëm politik. Është personal.

Kjo sepse 300 mijë qytetarë amerikanë me origjinë koreane mund të takojnë pjestarë të familjeve të tyre të mbetur në Korenë e Veriut.

Shumë prej tyre shpresojnë se ky takim mes liderëve të dy vendeve do të sjellë një periudhë të re marrëdhëniesh të mira mes vendeve, e kjo gjë mund të hapë rrugën që anëtarët e familjeve të shkëputur prej vitesh të ribashkohen.

Një zonjë 87 vjeçare që jeton në Chikago nuk i ka takuar tre vëllezërit e motrat e saj që prej vitit 1950, kur në Kore shpërtheu lufta.

Megjithëse e shikon si diçka të vështirë për tu arritur, zonja shprehet se takimi me ta, në këtë moment të jetës do të ishte shumë i rëndësishëm për të.

Shumë familje koreane u ndanë gjatë Luftës së Koresë dhe kjo ndarje u forcua edhe më shumë kur gadishulli u nda përfundimisht në fund të konfliktit në vitin 1953.

Gjatë periudhave të afrimit mes dy Koreve, Koreja e Veriut në shumë pak raste ka rënë dakord të lejojë takime të shkurtra mes familjarëve të mbetur në anë të ndryshme të kufirit.