Imigrantët e paligjshëm, vendet e BE-së ndërtojnë gardhe në kufij Gardhi në kufirin mes Hungarisë, Rumanisë e Serbisë

Problemet e shumta me imigrantët e paligjshëm nga Lindja e Mesme për në shtetet evropiane ka bërë që shumë vende të ndërtojnë gardhe në kufijtë e tyre tokësorë. Një nga këto vende është pikërisht Hungaria, e cila ka ndërtuar një gardh në kufirin me Serbinë për të mbajtur larg emigrantët e paligjshëm.

Robert Molnar, kryetari i bashkisë së fshatit Kubekhaza, në kufi me Rumaninë dhe Serbinë në Hungari, sqaroi se kryeministri hungarez Viktor Orban, që ka qëndrime të forta kundër emigrantëve dhe që fitoi pak muaj më parë mandatin e tij të tretë, si masë ndaj imigrantëve, urdhëroi ndërtimin e një gardhi të elektrizuar dhe të pajisur me kamera e sensorë nxehtësie që kushton 1 miliard dollarë.

“Ne kemi një problem serioz me emigracionit, Evropa nuk është e përgatitur, ndaj është e rëndësishme të mbrojmë sovranitetin tonë”, shprehet Robert Molnar.

Gjatë fushatës, Orban iu referua refugjatëve si “pushtues myslimanë” dhe u zotua për të mbrojtur Hungarinë nga “ndryshku” i imigracionit musliman. Sapo fitoi mandatin, Orban nisi zbatimin e planit të gardhit 1 miliard dollarësh.

Që nga fillimi i krizës së emigrantëve në Europë në vitin 2015, Austria, Bullgaria, Greqia, Hungaria, Maqedonia, Sllovenia dhe të tjerë vende kanë ndërtuar rreth 1300 kilomentra gardhe – një reagim i shpejtë dhe konkret i Europës, pas hyrjes së më shumë se 1.8 milion imigrantë të paligjshëm sirianë në vendet e BE. Autoritetet evropiane shprehen se këto masa kundër imigracionit në Evropë e përmbushin qëllimin e tyre: Mbajnë njerëzit larg.

Autoritetet hungareze shprehen se gardhet, së bashku me një marrëveshje të bërë nga Turqia dhe Bashkimi Evropian për të frenuar rrjedhën e emigrantëve, ndihmuan të ulnin emigrantët në kufijtë e saj me gati 100% që nga viti 2015.

Në vitin 2015, sipas të dhënave të agjencisë kufitare të BE-së, rreth 2 milionë emigrantë hynë në Evropë; vitin e kaluar 200 mijë, ndërsa këtë vit, falë masave të marra vetëm 635 emigrantë u identifikuan në vendet e Ballkanit në përpjekje per të hyrë në vendet e BE-së.