“Jo” debatit për llaç e tulla, “Po” debatit për pronën publike dhe projektligjin që e grabit atë.

Në kulmin e debatit për Teatrin Kombëtar, kryebashkiaku Veliaj, zari në lojën e fëlliqur të kryeministrit Rama, po e kanalizon debatin qëllimisht tek aspektet teknike të godinës, tek ana funksionale dhe deri tek paraqitja estetike e godinës, për të hequr vëmendjen nga projektligji antikushtetues që i hap rrugë shembjes.

Godina, po ta shikosh sot nga ana e paraqitjes estetike, mbase lë vërtet për të dëshiruar, por ajo është lënë qëllimisht në harresë nga qeveria, pikërisht për ti hapur rrugë shembjes. Mjafton të shohësh godinën e Teatrit Eksperimental ngjitur, pjesë e të njëjtit kompleks, e ndërtuar po në të njëjtin vit(1938), por të mirëmbajtur, për ta kuptuar këtë. Dhe mbrojtësit e teatrit, artistë, intelektualë a qytetarë, jo vetëm e kanë denoncuar këtë, por kanë propozuar dhe nxitur që në krye të herës nevojën dhe domosdoshmërinë e rikonstruksionit të plotë të saj.

Për ata që janë akoma të paqartë, dua t’ju sjell në kujtesë edhe një herë, që vendimi i qeverisë për prishjen e teatrit ka ardhur si pasojë e planeve të një kompanie private, afër Ramës dhe Veliajt, për të ndertuar 6-7 kulla të larta në territorin e saj. Ndaj duan ta shembin! Jo se u plas për ndonjë teatër të ri, pasi Tirana ka mjaft hapesira të lira për ndërtimin e jo një por disa teatrove të rinj, siç e meriton të ketë, por teatri u ka zënë rrugën!

Kaq e thjeshtë është!

Dhe për ta bërë të mundur këtë, dhe pasi dështuan në perpjekjen për ta kaluar në këshillin bashkiak, qeveria propozoi një projektligj të jashtëzakonshëm për t’i dhënë një kompanie të vetme private, kompanisë Fusha sh.p.k, pa asnjë garë tokën e Teatrit Kombëtar, duke i hapur rrugë shembjes së godinës historike.

Me anë të këtij projektligji të veçantë, përveç qëllimit të legjitimimit të shkeljeve flagrante në procesin e perzgjedhjes pa asnjë garë të kompanisë Fusha, kërkojnë të shmangin përgjegjësinë penale të personave të përfshirë në këtë aferë mega-korruptive.

Nuk mbaron këtu, duke iniciuar këtë projektligj, praktikisht Kryeministri dhe madje edhe Kryetari i Bashkisë Tiranë, e vendosin veten në hierarkine shtetërore mbi Parlamentin. Kjo ndodh rëndom në një shtet diktatorial, siç e kemi vuajtur jo shumë larg në kohë, por nuk mund të ndodhë kurrsesi në një republike PARLAMENTARE!! Parlamenti i Republikës së Shqipërisë, është një organ i pavarur kushtetues, i zgjedhur direkt nga populli dhe nuk mund marrë urdhra e as të bëjë detyrat që i ngarkon qeveria e aq më pak bashkia.

Nga ana tjetër, parlamenti e ka bërë detyrën e tij Kushtetuese duke miratuar ligje që zgjidhin më së miri çështjet që shtron ky projektligj. Gjithcka çfarë kërkohet të kryejë ky projektligj mund të zgjidhet me ligjet kuadër që janë në fuqi, siç janë: ligji për prokurimin publik, ligji për koncensionet, ligji për pronat publike, kodi civil, ligji për urbanistikën, etj. Pra mjafton të zbatohen ligjet në fuqi që adresojnë edhe çështjet e truallit të teatrit, dhe zhvillimet urbanistike të zonës përreth saj. Kaq!

Ndaj, theksoj që gjithë debati mbi teatrin NUK duhet përqendruar mbi detajet teknike të godinës së teatrit, që përsëris, është plotësisht e mundshme të rikonstruktohet. Ndaj duhet ngulmuar që ky debat të përqendrohet mbi truallin publik dhe tjetërsimin e tij në funksion të privatit. Ndaj duhet vazhduar denoncimi dhe refuzimi me forcë i kësaj perpjekjeje kriminale të qeverisë dhe Bashkisë Tiranë për prishjen e teatrit me anë të projektligjit të vecantë që praktikisht e bën të ligjshme këtë grabitje të hapur, deri në tërheqjen e plotë të tij!!