Kampi i refugjatëve si metodë për korrupsioni politik

Nga Carloalberto Rossi
Kampi i refugjatëve si metodë për korrupsioni politik Edi Rama

Gazetat shqiptare janë mbushur plot me gjysëm lajme nga burime qeveritare të vendeve të ndryshme evropiane dhe me gjysëm përgenjeshtrime, pastaj përgënjeshtrime të qeverisë shqiptare mbi një propozim të besueshëm (ose kërkesë sipas burimeve) për të ndërtuar në Shqipëri (ose në Ballkan, sipas burimeve) një kamp, sërish sipas burimeve, hipotetikisht me financime të BE-së për pritjen e mijëra azilkërkuesve ekonomikë dhe lufte, të kthyer nga vendet evropiane ose për pritjen e luftëtarëve të kthyer të ISIS.

Është një histori që zhvillohet të paktën në mënyrë paradoksale dhe skandaloze—të gjithë luajnë me opinionin publik të brendshëm, çdokush propozon diçka dhe pastaj përgënjeshtron një tjetër, por asnjëherë nuk ka një rrëfim dhe pohim të qartë. Para pak ditësh në një intervistë për Deutche Welle-n Wadelphul, numri dy CDU-së gjermane në Bundestag përgënjeshtroi përgënjeshtrimet histerike të Kryeministrit Rama se nuk kishte ofertë, duke u shprehur se në fakt kishte një ofertë të papritur nga qeveria shqiptare, e cila duhej të vlerësohej.

Rama tashmë ka mohuar që në Shqipëri do të ngrihen kampe refugjatësh, por nuk ka mohuar që qeveria e tij bëri ofertë për pritjen e tyre—kjo mund të shpjegohet me mundësinë që BE ka kuptuar se, pavarësisht dëshirës së qeverisë, në Shqipëri nuk ka asnjë kusht dhe garanci tjetër për të ngritur kampe refugjatësh.

Por kjo tërheqje europiane nuk ja heq “gjenialitetin” zgjidhjes që mendoi Rama: për të marrë përgjigje pozitive për diçka pa asnjë vlerë në afatshkurtër, pra “hapjen e kushtëzuar” të negociatave për anëtarësim në BE, Rama u vetëofrua për të bërë diçka që do t’i mundësonte gati të gjithë partnerëve evropianë të bënin sikur kishin gjetur zgjidhjen për problemin e ngritur nga qeveria italiane Conte-Salvini-Di Maio.

Sigurisht që kjo gjë do të bëhej me shpenzimet e BE-së (njësoj sikurse ndodhi në Turqi) dhe kjo mund të sillte edhe në Shqipëri një thes me para që pashmangshmërisht do të administroheshin bashkarisht nga ambasada të ndryshme dhe nga qeveria.

Goditja gjeniale qëndron, pikërisht, në këtë pikë: me paratë e BE-së, Rama do të rivinte (përkohësisht) në funksionim ekonominë shqiptare që është në agoni, do të largonte vëmendjen e të gjithëve nga problemet e mëdha të demokracisë së brendëshme, do të zhvendoste në plan të dytë reformën, tashmë, të dështuar në drejtësi, do t’u bënte një nder të madh shumë partnerëve evropianë, do të rihidhte në publik narrativën e superkonsumuar të Shqipërisë si tokë e mikpritjes dhe e tolerancës etnike dhe fetare, dhe kjo, në një farë mënyre, do të “blinte” konsensusin evropian për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë, qoftë edhe me kusht, për ta përdorur këtë të fundit për t’i mbyllur gojën opozitës, asaj opozite që sipas Kryeministrit nuk ekziston, por të cilën e martirizon çdo ditë.

Në fakt, me vendin e pushtuar nga mijëra persona pa dokumenta do të ishte e nevojshme të forcoheshin kontrollet e policisë, pa i lënë shumë hapësirë protestave dhe kundërshtive të tjera destabilizuese.

Në fakt, deklaratat e pakujdesshme (sipas Ramës), por në fakt të papërgënjeshtruara të Zëvendës Ministrit të Brendshëm Julian Hodaj, mbi faktin se Shqipëria në kohën e luftës së Kosovës diti të menaxhojë pa problem 600 mijë kosovarë, jepen si provë dhe argument për bëshmërinë e këtij projekti të pakuptimtë.

Ministrat e Brendshëm të disa vendeve të BE-së, kryesisht ata të sapo emëruar dhe të pa informuar për dosjet kriminale të politikanëve shqiptarë, shprehën vlerësime të përgjithshme, por pozitive mbi këtë propozim shqiptar, pra, u joshën nga korrupsioni politik i vënë në veprim nga Rama, por makinat e shërbimeve të inteligjencës të vendeve të ndryshme evropiane filluan menjëherë të ftohin entuziazmin e politikanëve të tyre.
Kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga ngjarjet e Kosovës dhe nga fluski i menjëhershëm i dhjetra mijërave refugjatëve kosovarë dhe duket se tani askush nuk e mban mend çfarë ndodhi saktësisht në atë kohë.

Në atë kohë e pamë Shqipërinë, befas solidare, të vihej në rresht në Pallatin e Sportit në Tiranë për të marrë në shtëpi familjet kosovare, por pa edhe vendosjen e gjendjes së emergjencës nga qeveria, lulëzimin e spekullimeve skandaloze, shfaqjen e mijërave organizatave jofitimprurëse të mbushura me para në kërkim të reklamës për vete, dhe në fund pamë edhe luftën e traktorëve në Kukës dhe rifillimin e vrullshëm të skafeve Vlorë–Puglia, dhe mbi të gjitha ndërhyrjen ushtarake të NATO-së në Shqipëri, pjesërisht me justifikimin e përgatitjes së kampeve të refugjatëve, dhe pjesërisht për të mundësuar hapjen e një fronti tokësor në drejtim të territoreve në luftë në Kosovë.

Për disa muaj Shqipëria funksionoi si një hostel luksoz i refugjatëve dhe i ushtrive, me përfitime ekonomike dhe shumë spekullime të përhapura në të gjithë vendin. Por ndërsa po përgatitej “dimërimi” i kampeve të refugjatëve, që do të sillte para pafund, u arritën befas marrëveshjet e Kumanovës, dhe papritmas kosovarët u zhdukën duke u kthyer vetë në Kosovë, duke lënë me duar bosh “turistët” e solidaritetit, që po përshtatnin strategjinë e tyre nga “dimërimi” fitimprurës në “kthimin e organizuar” me kolona me autobuz a të bardhë me shenjën e Kombeve të Bashkuara të shoqëruar nga fuoristrada të vullnetarëve të mbërritur nga e gjithë bota.

E gjitha shkoi kot, sepse kosovarët deshën të iknin në shtëpitë e tyre, sepse qëllimi final i përpjekjes së tyre ishte pikërisht një shtëpi e tyre, një atdhe i tyre. Dhe kjo dëshirë ishte më e fortë se sa shfaqja e spekullimeve të shumë OJQ-ve të huaja dhe ndonjë lokale, dhe madje edhe më e fortë se bujaria e sinqertë e mikpritjes e bërë pa interes nga shumë shqiptarë të thjeshtë për vëllezërit kosovarë.

Sot situata duket shumë më ndryshe nga atëherë, dhe është e vështirë të besosh se mijëra afrikanë të mund të ngjallin solidaritetin e qytetarëve shqiptarë, të rraskapitur nga politikat ekonomike të pakuptimta të qeverisë së tyre, sikurse është e sigurtë që vullneti i refugjatëve nuk është qëndrimi për t‘u shplodhur nga një udhëtim dhe për t’u kthyer sërisht në vendin e tyre. Ndërkohë, duket tërësisht e pamundur që një shtet që nuk deshi, ose të paktën nuk arriti, të luftonte trafikun e njerëzve të tij edhe pse me të shkuar të njohur kriminale, mund të ndalojë refugjatët e rinj afrikanë të ikin drejt Italisë apo ndonjë vendi tjetër europian.

Madje, skenari më i mundshëm është pikërisht ai i ripozicionimit të menjëhershëm të aktiviteteve kriminale shqiptare duke u rikthyer në “origjinë” tek trafiku i skafistëve që ishin tipar i jetës shqiptare për shumë vite dhe që mundësoi grumbullimin e shumë kapitaleve të investuara kryesisht në turizëm. Për më tepër ky aktivitet i rilindur ka potencialin e përfshirjes së shumë refugjatëve në rrjetin kriminal të trafikut të drogës në Evropë, duke hapur kanale etnike ende të pastrukturuara.

Edhe një herë, gjenialiteti i egër i lidershipit shqiptar kërkon të krijojë një mundësi të madhe, për inetresat vetjakë të kastës dhe jo për interesat e përbashkëta, por kësaj herë çmimi që duhet të paguajë një Evropë në krizë nervash do të ishte me të vërtet shumë i kripur.

Lajme te ngjashme