Kapen në Durrës 3,5 milionë euro të fshehura në dy makina Toyota Yaris

Kapen në Durrës 3,5 milionë euro të fshehura në dy makina Toyota Yaris

Ditën e dielë, Policia shqiptare në bashkëpunim me Interpolin italian kanë gjetur rreth 3,5 milionë euro të fshehura në dy mjete tip ‘Toyota Yaris’ të transportuar me tragetin Bari – Durrës përmes një kompanie shqiptare të transporti. Mjetet vinin nga Belgjika dhe kaluan tranzit në Itali. Operacioni i Policisë shqiptare erdhi pas njoftimit të Interpol Roma.

Deri më tani policia ka arrestuar dy persona, drejtuesin e kamionit dhe pronarin e kompanisë së transportit. Ky i fundit, sipas mediave në dëshminë e tij në Polici është shprehur se nuk kishte dijeni për shumën e parave dhe se kërkesa për transportin e makinave ishte bërë nga një biznesmen kosovarë.

Operacioni i policisë ka ndodhur pasi Kryetari i opozitës Lulzim Basha akuzoi nga salla e Kuvendit Kryetarin e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla për lidhje me një sasi prej 1,5 milionë euro që do të vinte nga Gjermani me një makina Toyota Yaris. Zoti Basha tha se:

“Zgërdhihuni! Ai që zgërdhihet aty ishte edhe para tre ditësh në Gjermani. Të kanë zbuluar “Toyota Yaris” o zgërdhitës me 1,5 milionë euro të drogës brenda, vazhdo qesh zgërdhitës. Shkonte në Gjermani ju thoshte ne s’kemi probleme, s’kemi drogë, korrupsioni po luftohet”,- tha Zoti Basha.

Pas akuzave të Zotit Basha, pas seancës parlamentare deputeti Balla u shpreh për gazetaret se:

“Në 20 ditët e fundit, në Gjermani kanë qenë këta deputetë shqiptarë: Mimi Kodheli nga PS, dhe nga PD Sali Berisha me Lulzim Bashën. Tani, nëse Saliu ka qenë me drogë në ‘Toyota’ dhe e ka parë Lulzimi, kjo është çështje e brendshme e PD. Që Basha ka problem të theksuara që burojnë edhe nga Babalaja, këto janë çështje të Lulzimit, por kujtojmë në këtë rast se fakti që ju thoni përbën një vepër penale. Të kesh parë me sytë e tua një deputet me një Toyota dhe me një 1.5 mln dollarë drogë…”

Lajme te ngjashme